Inteligjenca artificiale po transformon internetin me një shpejtësi që deri pak vite më parë dukej e paimagjinueshme. Nga mënyra si kërkojmë në Google, te blerjet online, rrjetet sociale dhe madje edhe influencerët virtualë, AI po bëhet pjesë e pandashme e jetës digjitale.
Google pranon se po bën ndryshimet më të mëdha në motorin e saj të kërkimit në 25 vitet e fundit, pasi përdoruesit tashmë po bëjnë pyetje shumë më të gjata dhe më komplekse. “Njerëzit po kërkojnë përgjigje që nuk ekzistojnë qartë askund në internet”, deklaroi Robby Stein, zv.president për Google Search.
Sipas kompanisë, përdoruesit po fillojnë të kërkojnë në Google në të njëjtën mënyrë si shkruajnë në ChatGPT. Kërkimet me mbi 11 fjalë janë rritur ndjeshëm, ndërsa pyetjet në formë bisede janë katërfishuar.
Google po integron tashmë AI që krijon grafikë interaktivë, mini-aplikacione dhe përgjigje të personalizuara direkt në faqen e kërkimit. Ndërkohë, kërkimet që bëhen përmes fotografive apo videove janë rritur me 60% brenda një viti.
Por revolucioni nuk ndalet te kërkimi online.
Në rrjetet sociale po shpërthejnë influencerët e krijuar nga inteligjenca artificiale. Personazhe si Aitana Lopez apo Lil Miquela kanë qindra mijëra ndjekës dhe përdoren nga markat sepse kushtojnë më pak dhe mund të kontrollohen plotësisht. Sipas kompanive të marketingut, gati 80% e markave kanë rritur investimet te përmbajtjet e krijuara me AI gjatë vitit të fundit.
Edhe blerjet online po ndryshojnë. Meta, Amazon, OpenAI dhe Google po ndërtojnë sisteme të reja ku inteligjenca artificiale krahason produkte, çmime dhe madje bën rekomandime automatike për përdoruesit. Trafiku drejt dyqaneve online nga platformat AI është rritur me 393% vetëm në tre muajt e parë të vitit 2026.
Ekspertët paralajmërojnë se interneti po hyn në një epokë të re ku AI nuk do të jetë më thjesht një mjet, por “shtresa bazë” e gjithë eksperiencës online.
“Pas një kohe, AI thjesht bëhet pjesë e mënyrës si jeton”, thotë profesori Joseph Turow nga Universiteti i Pensilvanisë.
(Burimi: CNN)





