Duket se vitet nuk kalojnë për Eva Longorian. Aktorja e famshme e serialit “Desperate Housewives” ka tërhequr sërish vëmendjen e ndjekësve të saj në rrjetet sociale, duke publikuar një seri fotografish nga pushimet me mikeshat, ku shfaqet në një formë fizike të shkëlqyer në moshën 51-vjeçare.
Ylli hollivudian ka zgjedhur një destinacion tropikal, të cilin nuk e ka bërë publik, për të kaluar disa ditë relaksi, larg angazhimeve profesionale.
E veshur me bikini të gjelbra, me lëkurën e abronzuar dhe mes një peizazhi me palma, Longoria duket sikur po pozon për një revistë mode.

Në fotografi të tjera nga të njëjtat pushime, aktorja shfaqet me bikini në ngjyrë bezhë me konture të zeza, duke shijuar detin në shoqërinë e mikeshave të saj.
Por pas formës së admirueshme fizike të aktores qëndron një rutinë e përditshme që kërkon jo pak disiplinë.
Në qershor të këtij viti, në një intervistë për revistën “Good Housekeeping”, Longoria zbuloi se dita e saj nis në orën pesë të mëngjesit me stërvitje intensive, nën mbikëqyrjen e trajnerit personal.
“Zgjohem dhe stërvitem në orën pesë të mëngjesit me trajnerin tim. Stërvitja është forma ime e meditimit. Është ora ime e terapisë”, rrëfeu aktorja.
Ajo tregoi se i kushton rëndësi të veçantë ushtrimeve të forcës dhe stërvitjes me pesha.
“Ne bëjmë ushtrime force me pesha. Pesha të rënda, shumë të rënda. Pas të pesëdhjetave duhet të bëjmë ushtrime rezistence, ndaj nuk është e lehtë”, shpjegoi Longoria.

Kjo nuk është hera e parë që aktorja tërheq vëmendjen me paraqitjen e saj. Në shtator, ajo realizoi një set fotografik për markën UGG, ku pozoi me një korse të ngushtë mbi një motoçikletë Harley-Davidson, duke marrë mijëra reagime entuziaste nga ndjekësit.
Më shumë se dy dekada pasi u bë e famshme në mbarë botën me rolin e Gabrielle Solis në serialin “Desperate Housewives”, Eva Longoria vazhdon të tërheqë vëmendjen me të njëjtin sharm dhe vetëbesim.
Në moshën 51-vjeçare, aktorja duket se ka gjetur formulën e saj për të sfiduar kalimin e viteve: disiplinë, aktivitet fizik dhe, sigurisht, kohë për të shijuar jetën.






