Ferrari ka prezantuar zyrtarisht makinën e saj të parë plotësisht elektrike, duke hyrë për herë të parë në tregun e automjeteve EV me një model luksoz që kushton rreth 640 mijë dollarë.
Modeli i ri quhet “Luce” – që në italisht do të thotë “Dritë” – dhe u prezantua në Romë para më shumë se 200 gazetarëve nga e gjithë bota. Makina është zhvilluar me ndihmën e ish-shefit të dizajnit të Apple, Jony Ive, dhe studios së tij kreative LoveFrom.
“Është rezultat i pesë viteve punë”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Ferrari-t, Benedetto Vigna.
“Luce” është Ferrari i parë me katër dyer dhe pesë vende, një ndryshim i madh nga filozofia tradicionale sportive e markës italiane. Kompania synon të tërheqë familjet shumë të pasura që kërkojnë luks, teknologji dhe komoditet, pa hequr dorë nga performanca ekstreme.

Makina ka katër motorë elektrikë – nga një për secilën rrotë – dhe zhvillon mbi 1,000 kuaj fuqi. Sipas Ferrari-t, “Luce” arrin një shpejtësi maksimale mbi 310 kilometra në orë dhe ka autonomi mbi 500 kilometra me një karikim të vetëm.
Pavarësisht se është elektrike, Ferrari premton se makina do të ruajë “emocionin klasik” të markës falë një sistemi që amplifikon tingujt dhe vibrimet natyrale të motorit elektrik.
Në aspektin estetik, “Luce” paraqet një shkëputje nga dizajni agresiv tradicional i Ferrari-t. Modeli i ri ka trup më të madh, shumë sipërfaqe xhami dhe linja më elegante e futuriste.
Brendësia ruan luksin klasik të Ferrari-t me lëkurë premium, alumin dhe elementë fizikë kontrolli, ndryshe nga qasja totalisht dixhitale që përdorin Tesla apo prodhuesit kinezë të makinave elektrike.
Ferrari shpreson që modeli i ri t’i japë mundësi të zgjerohet edhe në tregje si Kina, ku makinat elektrike janë shumë të përhapura dhe automjetet me motorë të mëdhenj me benzinë taksohen rëndë.
Dorëzimet e para të “Luce” pritet të nisin në fund të vitit 2026.






