Ajo që muaj më parë u pa si një konflikt lokal mes banorëve të Rrjollit dhe investitorëve të një resorti turistik, këtë të shtunë mori një tjetër dimension.
Në ditën e 14-të të protestave që po zhvillohen në Tiranë dhe që tashmë kanë gjetur mbështetje edhe në diasporë, tensionet shpërthyen sërish edhe në Rrjoll, ku banorët hoqën me forcë telat me gjemba dhe hynë në zonën e kantierit, duke deklaruar se nuk do të lejojnë ndërtimin mbi tokat që pretendojnë si pronë të tyre.
Pamjet e publikuara gjatë ditës tregojnë banorë që përballen me policinë dhe me forcat e sigurisë pranë kantierit, ndërsa dëgjohen thirrje kundër asaj që ata e quajnë grabitje të pronës dhe padrejtësi institucionale.
Por ajo që bie më shumë në sy është ndryshimi i klimës mes vetë protestuesve.
Për më shumë se një vit, banorët kanë denoncuar tjetërsimin e pronave dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve. Sot, pas dy javësh protestash të vazhdueshme në Tiranë, pas tubimeve të përditshme dhe thirrjeve që po vijnë edhe nga komunitetet shqiptare jashtë vendit, shumë prej tyre thonë se nuk kanë më ndërmend të presin në heshtje.
“Shqipëria nuk është në shitje”, “Mos na e prekni Rrjollin” dhe “Duam tokën tonë” ishin disa nga thirrjet që dominuan protestën e sotme.
Për kompaninë që po zhvillon projektin, kjo ishte ndoshta një nga ditët më të vështira që nga nisja e konfliktit. Jo vetëm sepse banorët hynë fizikisht në territorin e rrethuar me tela me gjemba, por sepse protesta po tregon se rezistenca nuk po zbehet. Përkundrazi, ajo po fiton mbështetje dhe po kthehet në simbol të një pakënaqësie më të gjerë që shkon përtej Rrjollit.
Nga Tirana në Velipojë, e deri te tubimet e organizuara nga shqiptarët në diasporë, mesazhi që po përsëritet është i njëjtë: njerëzit po kërkojnë të dëgjohen dhe të kenë fjalën e tyre për tokën, pronën dhe vendimet që prekin jetën e tyre.
Në Rrjoll, kjo u pa qartë sot. Dhe për herë të parë pas shumë muajsh përplasjesh, shumë banorë thonë se kanë një ndjesi të re: se frika ka filluar të largohet, ndërsa vendosmëria për të mos u tërhequr po bëhet më e fortë se kurrë.






