Dita e 14 e protestës shënoi një rekord protestuesish. Në orën 21:00, bulevardi kryesor i Tiranës numëronte rreth 100 mijë njerëz që mbushnin thuajse gjithë gjerësinë dhe gjatësinë e tij.
Me nisjen e grumbullimit fillestar në sheshin Skënderbej, si çdo ditë në orën 18:00, protesta filloi ritualin në sheshin përballë godinës së Kryeministrisë, ku me dhjetëra folës nga diaspora dhe Shqipëria bënë thirrje të forta për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas tre orësh fjalime dhe thirrjesh të zjarrta, protestuesit janë derdhur në rrugët e kryeqytetit me një marshim të pandodhur kurrë më parë në historinë e Shqipërisë.
Një varg i gjatë njerëzish, të prirë nga të rinj me flamuj kombëtarë dhe me thirrjet kryesore “Revolucion-Revolucion”, “Rama Jep Dorëheqjen”, “Ju erdhi Fundi!” dhe “Rama n’Burg / Berisha n’Burg”, u derdhën në rrugët e Tiranës duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen protestës.
Protesta vazhdon me një entuziazëm që shtohet më shumë se në orët e para të fillimit të saj. Vargu i gjatë i protestuesve është shtrirë në një pjesë të madhe të rrugëve të Tiranës dhe ka mbërritur deri pranë spitalit kryesor të Tiranës, QSUT.




