Nga kontrasT.al
Duket si një garë ndërmjet rivalëve të SPAK këto ditë “revolucioni”. Para katër ditësh Altin Dumani goditi grupin e rrezikshëm kriminal të “Arubës”, me në krye famëkeqin Artur Shehu, duke sekuestruar 130 milionë euro pasuri të të gjitha llojeve.
Sot, Klodian Braho, pasuesi i tij prej disa muajsh, i ktheu “reston” duke goditur ca më fort. 150 milionë euro pasuri iu sekuestrua grupit të “Dubait”, me Eldi Dizdarin në krye.
Në të dyja rastet, “gjelat” e SPAK kanë nga një “ndihmës” prokuror për të realizuar goditjet e tyre. Altin Dumani me Elida Kaçkinin dhe Klodian Braho me Doloreza Musabelliun.
Publiku është shokuar nga “suksesi”. Mediat janë hutuar nga sekuestrimet. Sheshi i protestës është i dyzuar në thirrjet: “Rroftë SPAK!…. PSE NUK ARRESTON KOKAT E KOKAVE SPAK?”
Pasuri të paluajtshme që të “luajnë” mendsh kur i lexon në njoftimet zyrtare të SPAK, pavarësisht se të gjithë ne kemi jetuar të rrethuar nga kullat gjigande, duke i parë çdo ditë.
Skepticizmi ka ndarë popullin dhe median në dysh, tresh, por dhe më shumë.
Me të drejtë gazetarja luftarake Ambrozia shkruante në një status për dosjen “Aruba”: “Ec e ec duke kaluar faqet, më kapi tensioni i syrit, sepse nuk po arrija dot në thelbin e vendimit. Nga 180 faqe arsyetim, 41 ishin vetëm pasuritë e sekuestruara të 20 personave: vila, automjete, komplekse banimi dhe qindra llogari bankare të trafikantëve e biznesmenëve që, në bashkëpunim me oligarkët dhe shtetin, pastrojnë para në ndërtim.”.
Një avokat luftarak hodhi dyshime të forta për këto goditje që po bëhen pikërisht këto ditë: “Ku ishte SPAK deri sot, kur Ina Rama dhe Sokol Çomo dalin në përgjime për këtë aferë të madhe tokash në bregdet që në 2008, kur Altin Dumani ka qenë drejtues i Task Forcës dhe kishte në dijeni të plotë të gjithë masakrën…”.
Një faqe që promovon me humor dhe entuziazëm të pareshtur punën e personazheve të drejtësisë, veçanërisht të SPAK, i dha jehonë lajmit të sotëm, me komentin: “Sot SPAK bëri një nga goditjet më të mëdha në historinë e tij: 10 persona të arrestuar dhe rreth 150 milionë euro pasuri të sekuestruara në kuadër të hetimeve për një rrjet të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.”.
Por cila është e vërteta për hetimet që zgjatën pesë-gjashtë vjet dhe këto katër ditë konkluduan?
A mos vallë “Revolucioni Flamingo” përkoi rastësisht me goditjet finale të grupeve narkokriminale, që mbushën Evropën me drogë dhe Shqipërinë me kulla dhe resorte?
Apo ka ndonjë arsye tjetër që lidhet me “urdhrin” nga jashtë: Veproni tani, çfarë po prisni, të bjerë “tërmet” e të shembet çdo godinë krimi?
Magazinierët e miliardave
Me dy aksionet e fundit, SPAK sekuestroi 330 milionë euro pasuri dhe prona të personazheve më të rrezikshëm të krimit të organizuar dhe atij ndërkombëtar.
Gjatë vitit 2025, SPAK sekuestroi dhe konfiskoi pasuri me vlerë rreth 45.4 milionë euro, të lidhura kryesisht me pastrimin e parave dhe krimin e organizuar. 42.4 milionë euro i përkisnin krimit të organizuar, 1.1 milion euro zyrtarëve të lartë të korruptuar.
Çfarë janë sekuestruar?
Prona të paluajtshme (toka, apartamente, vila, dyqane ose njësi shërbimi), llogari bankare bashkë me kriptovaluta, që për herë të parë në Shqipëri futen te sekuestrimet e aseteve dixhitale.
Por si administrohen këto pasuri nga shteti? Si do t’i shtjerë në dorë populli shqiptar ato?
AAPSK, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, është institucioni që administron pasuritë e sekuestruara nga SPAK, por dhe ato që konfiskohen më pas nga GJKKO me vendime të formës së prerë.
“Magazinierja” e këtij institucioni është Risena Xhaja, vartëse e ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, ky nga ana e tij vartës i Kryeministrit. Pra, kryeministri, që nga protestuesit konsiderohet “koka e korrupsionit qeveritar”, është kryemagazinieri i pasurive që SPAK u sekuestron grupeve kriminale, por edhe vartësve të akuzuar për korrupsion të vetë kryeministrit.
Me Urdhrin nr. 163, datë 25.9.2025, të Kryeministrit Rama, AAPSK rriti numrin e punonjësve nga 14 punonjës që ishte deri në fund të 2025 në 36. Këta punonjës kanë një status tepër të thjeshtë, atë të nëpunësit civil. Administratorët e AAPSK dhe ndihmësit e tyre emërohen nga titullarja e agjencisë nëpërmjet kontratave të punës, sikur emërohen punonjësit e një ndërmarrjeje periferike që ofron shërbime publike ose jo.
Mjafton të kesh një diplomë të shkollës së lartë në drejtësi ose ekonomi për t’u emëruar administrator i resortit “Green Coast”, pa pasur nevojën që të zotërosh eksperiencë apo aftësi të veçanta administrimi.
Sipas strukturës organizative të AAPSK, ky institucion, që i ka zyrat në një pallat banimi në Kompleksin “Delijorgji”, funksionon me një Kryeadministrator si drejtues i Agjencisë; 10 administratorë që administrojnë pronat; 5 ndihmës të tyre që përgjigjen për marrjen në dorëzim dhe kontrollin fizik, plus monitorimin e pasurive dhe provave materiale; si dhe 4 punonjës që përgjigjen për shitjen dhe dhënien me qira të pronave të sekuestruara.
Flluska e madhe
Nё raportin e AAPSK për vitin 2025 del në pah një problem që zbeh gjithë entuziazmin e lajmeve me shumë miliona nga SPAK.
Pasuritë e grupeve kriminale apo e të korruptuarve nuk merren dot në dorëzim, edhe pse të sekuestruara nga SPAK.
Një fragment nga raporti tregon për arsyet që raportohen nga administratorët e AAPSK.
“Procesi i marrjes në dorëzim të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara vijon të përballet me një sërë pengesash të natyrës ligjore, administrative dhe faktike. Pjesa më e madhe e pasurive të paluajtshme nuk janë dorëzuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë SPAK, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit apo Drejtorive Vendore të Policisë, për shkak të pranisë së familjarëve që banojnë në këto pasuri dhe që nuk disponojnë një banesë alternative; pasaktësive në të dhënat kadastrale, vështirësive të identifikimit të tyre apo vështirësive praktike në ekzekutimin e vendimeve të gjykatës.”

Film apo dështim?
Administratorët e pasurive, sipas raportit, kanë paraqitur kërkesa zyrtare për bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, me qëllim realizimin e ekzekutimit dhe marrjen në dorëzim të pasurive.
Kjo do të thotë që tjetër shkruhet në letër, tjetër pompohet në media dhe tjetër gjë ndodh në terren. Dhe terreni është e vërteta që shkruhet ndër reshta, por nuk raportohet seriozisht. Në terren janë paratë e popullit. Në vilat, kullat, resortet e sekuestruara.
Administratorët e pasurive të krimit “rrëshqasin” ndonjë lajm të tipit “vila e familjes së Arben Ahmetajt lëshohet me qira nga AAPSK”. Por këta administratorë nuk raportojnë në media, cilat vila janë me familjarët e kriminelëve apo të korruptuarve që s’kanë shtëpi alternative ku të “fusin” kokën, dhe banojnë akoma në to?
Cilat janë pronat që kadastra i ka me numër tjetër pasurie nga ai që ka vendosur në sekuestrim SPAK? Kujt i përkasin ato?
Një prej administratorëve më të “shkathët” të AAPSK, Ismet Gorani, me aftësi të veçanta administruese si ish-drejtues i Kadastrës së Kavajës, demonstron shëtitjet institucionale nëpër rrugët e Tiranës, duke ngarë automjetin e sekuestruar të të “korruptuarit” Ilir Beqja. Por a do të kishte kurajën e nevojshme z. Gorani të “pilotonte” Lamborghinin e Ilir Shtufit apo Ferrarin e eksponentëve të trafikut ndërkombëtar të drogës? Natyrisht që jo. Përdorimi, ruajtja dhe shitja e mjeteve të sekuestruara të këtij kalibri kriminal gëzon status të veçantë: atë të paprekshmërisë.
Imagjinohet grupi Koçeku, Dizdari apo “pecogrosët” e mëdhenj të ndërtimit si Samir Mane, Shefqet Kastrati, Artan Dulaku apo dikush tjetër me potencën e tyre, që nesër mund të bien në “statistikën” e SPAK, se sa thjesht do e kenë të arrijnë “marrëveshjen e të pastrehut”. Jo vetëm nga urdhri që mund të japë administratorja e AAPSK, apo shefi i saj në Ministrinë e Brendshme, por nga telefonata e vetë Kryeministrit të Shqipërisë.
Kullat e pastra
Pasi njoftoi rezultatet e goditjes së sotme, arrestimet, sekuestrimet, SPAK u kujdes që të nxjerrë një prononcim me shumë domethënie të drejtuesit të kësaj strukture, Klodian Braho.
Kreu i SPAK i thotë publikut se, pavarësisht goditjes së rrjeteve të krimit të organizuar të përfshira në aktivitetin e trafikimit të drogës nga Amerika Latine për në Evropë, që kanë vendosur pasuritë me origjinë kriminale, të cilat nuk sjellin asnjë të mirë publike, “SPAK garanton se veprimet e tij synojnë vetëm pasuritë me origjinë kriminale dhe pasuritë që lidhen me veprimtarinë kriminale. Në asnjë rast nuk do të cenohen të drejtat e pronësisë dhe të drejtat e tjera reale të personave fizikë dhe personave juridikë që investojnë në veprimtari ekonomike apo në sipërmarrje private mjete monetare dhe pasuri të fituara në mënyrë ligjshme”.

Z. Braho kujdeset të theksojë këtë element që shihet me dyshim nga të gjithë ata që kanë dalë në bulevard për protestë, ata që i mbështesin nga shtëpitë apo diaspora, por dhe të gjithë perceptimin publik që pyet.
Kreu i SPAK me të drejtë kujdeset të mos ndezë më tepër se ç’është atmosferën e rënduar të kriminalitetit, ku çdo biznesmen shihet si falsifikator nga osmanishtja dhe çdo sipërmarrës është i lidhur me financierë nga “Kili, Peruja apo Kolumbia”.
Nga ana tjetër, kreu i SPAK dhe të gjithë heronjtë e kësaj strukture (në të vërtetë janë heronjtë e munguar deri sot), nuk e mësojnë dot popullin me idenë e pastër të biznesit, pasi ai ka në mendje vetëm pyetjet: A ka pasuri të ligjshme të ndërtuar në këtë truall paligjshmërie të Shqipërisë? A ka ndonjë kullë shumëkatëshe, resort turistik, ndërtim me vlera shumëmilionëshe që të ketë financim të ndershëm, pa lidhje kriminale?
Kush e kriminalizoi mendimin popullor? Si mund të shihen paskësaj biznesmenët si njerëz, sipërmarrës të ndershëm?
Këtë mision edukues SPAK nuk e luan dot sot. Është tepër vonë. Dhe për këtë vonesë ata vetë, megjithëse thyen mitin e të paprekshmëve, u vonuan që t’i ndalojnë “armiqtё e popullit’ të shkatërrojnë me beton bregdetin e Shqipërisë apo të rrethojnë me kulla “me gjemba” kryeqytetin e saj.
Pasuritё e sekuestruara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.438 datë 15.6.2026, sipas Njoftimit Zyrtar tё SPAK:
491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim, ku përfshihen pasuritë si më poshtë:
- Pasuritë e shoqërisë “A.. R… H..” sh.p.k, me seli në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë, etj, në zotërim të personit nën hetim I.A, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete të kompanisë tregtare, të drejta reale ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
- Pasuritë e shoqërisë “G…I…”, sh.p.k, me seli qendrore në Tiranë dhe Fier në masën 50 % , të cilat i përkasin personit nën hetim I. A., duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
- Pasuritë e shoqërisë “S… d…” shpk, me seli qendrore në Hamallaj, Durrës, në masën 100 %, të cilat i përkasin personit nën hetim I. A., duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
- Kuotat e shoqërisë “A.R.H. Security shpk, me seli qendrore në Tiranë dhe Elbasan në masën 100 %, të cilat i përkasin personit në hetim I. A., duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
- Pasuritë e shoqërisë “A… C…” sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
- Pasuritë e shoqërisë “F&XH C…” sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
- Pasuritë e shoqërisë “A…– I…”, sh.p.k, me seli qendrore në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
- Kuotat e shoqërisë “S.T.N.P.M sha”, me seli qendrore në Tiranë, në masën 50 % , të cilat i përkasin ortakut Shoqërisë “A… – I…” duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë në masën 50 %;
- Kuotat e subjektit tregtar “Sh. B” Person Fizik, me seli qendrore në Tiranë në masën 100 %, të cilat i përkasin ortakut “SH. B.” duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë;
- Pasuritë e subjektit tregtar “O …E. O…” PF, person fizik me seli qendrore në Elbasan duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.
- 266 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Durrës, Elbasan, Hamallaj, Lezhë, Shkodër, Himarë, Sarandë, ndër të cilat mund të listojmë:
- 121 pasuri të paluajtëshme, si vila , Apartamente, Duplexe, parkime, etj. tek “Kompleksi multi-funksional turistik, rezidencial dhe komercial (Porto Lalzi/Lalzi Marina Seaside)”, me vendndoddhje në Hamallaj, Gjiri i Lalzit Durrës.
- Strukturë funksion hoteleri 1,2,3,4 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë;
- Sipërfaqe ndërtimore prej 2855 m2, në objektin 6 kate shërbimi e banimi ndodhur në Qerret Kavajë;
- Objekti “Hotel Elisa Tirana”, afilated by Melia “Strukturë Hoteleri 2, 4, 5, 8 dhe 10 kat ne 3 kat nëntokë në adresë në rrugën e Dibrës” Tiranë
- Vila në kompleksin Altrea Rezidence,. Tiranë;
- Vile ne Diamond Hill;
- Vila dhe njësi shërbimi në “Braca rezidencës Diamond Hill”, në Durrës;
- Pasuri të paluajtëshme ne kompleksi rezidencial vilash në zonën e Mjull Bathores Tiranë, në “Astoria Residence;
- 32 apartament, 6 njësi tregtare /zyra dhe 52 parkime tek Godina e banimit dhe shërbime me 1,8, 9 dhe 34 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë me vendndodhje në rr. Xhanfize Keko, Tiranë;
- 2 objekte banimi 2 dhe 3 kate me 2 dhe 3 kate nëntokë (banim dhe parkim) me mur rrethues, rr. “Herman Gmainer”;
- Disa pasuri të paluajtëshme në Godinë banimi dhe shërbime 2,5,7 dhe 9 kate me 2 kat parkim nëntokë” Rr. Ali Visha Njësia 2, Tiranë.
- Automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura dhe mjete lundruese;
- 209 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të jetë rreth 150 (njëqind e pesëdhjetë ) milionë euro. Gjatë hetimeve do të verifikohet vlera e saktë e pasurive të sekuestruara.
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






