Një shqiptar postoi në rrjetet sociale pamje video nga një ambient i jashtëm në një buzë-rruge të pasurish në Bazel të Zvicrës, ku Edi Rama shfaqej i shkujdesur, teksa bisedonte dhe trokiste gotën me artistë ekzibicionistë të sferës së tij.
I veshur me mantelin e tij të zi, Rama çuditërisht dukej jo vetëm moskokëçarës për sa po ndodhte në Tiranë, në të njëjtën orë pasditeje, por edhe i lumtur. Ai shoqërohej nga bashkëshortja Linda dhe miqtë e botës tjetër të “Art Basel”.
Çfarë është Art Basel?
Art Basel konsiderohet sot ngjarja më prestigjioze dhe më me ndikim në botën e artit bashkëkohor, ekuivalenti i Davosit në ekonomi, Festivalit të Kanës në industrinë e filmit apo Kampionatit Botëror në Futboll. Një vend ku takohen ndikimi kulturor, prestigji ndërkombëtar dhe kapitali global.
Pikërisht për këtë arsye, çdo pjesëmarrje në Art Basel, qoftë si artist, koleksionist, kurator apo i ftuar special, shihet si një ngjarje me rëndësi të veçantë dhe tejkalon kufijtë e një ekspozite të zakonshme artistike.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje konsiderohet një nga format më të larta të njohjes në botën e artit, pasi aty ekspozojnë galeritë më prestigjioze ndërkombëtare, prezantohen artistët më të njohur të skenës globale dhe mblidhen koleksionistët, kuratorët, drejtuesit e muzeumeve dhe investitorët kulturorë më të rëndësishëm në botë.
Art Basel njihet jo vetëm për ekspozimin e veprave artistike, por edhe për ndikimin që ushtron mbi tregun ndërkombëtar të artit. Çdo vit aty realizohen transaksione me vlera prej dhjetëra dhe qindra milionë eurosh, ndërsa prania në këtë platformë konsiderohet një tregues i rëndësishëm i statusit dhe relevancës së një artisti, galerie apo institucioni kulturor.
Edicioni i sivjetshëm i Art Basel në Bazel zhvillohet nga data 18 deri më 21 qershor 2026, ndërsa datat 16 dhe 17 qershor janë rezervuar për koleksionistët, galeritë, mediat dhe të ftuarit VIP.
Këto ditë, Bazeli është kryeqendra botërore e artit bashkëkohor, ku përqendrohet vëmendja e tregut global të artit, institucioneve kulturore dhe mediave ndërkombëtare. Dhe aty nuk mund të mungonte kryeministri i Shqipërisë, piktori Edi Rama.
Protesta e Kryeministrit
Pasi u “zbulua” nga përndjekësit e tij, shqiptarët e diasporës, kryeministri nxitoi të postonte një status të irrituar në FB-në e tij.
PSE SHPIFËSI SHFAQET MË I KEQ SE VRASËSI NË LIBRAT E SHENJTË…
Qenka shpërndarë një video ku dikush më paska kapur mat duke pirë ujë në Basel të Zvicrës “me shpenzimet e shtetit”!
Në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time.
Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit.
Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysëm me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona.
Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur, për të vënë një pikë të qartë mbi “i”:
Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”!
Sot, dy dekada më vonë, nuk jam më natyrisht ai 40 vjeçari i pamësuar ende me qenërinë e arenës plot baltë të jetës politike, i cili humbte gjumin nga plagët përvëluese të shpifjeve dhe akuzave kriminale.
Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë.
Dhe mos e harroni asnjëherë:
Kush shpif apo akuzon pa prova kundër jush, ose e ka bërë vetë atë për të cilën ju akuzon ose do ta bënte po të ishte në vendin tuaj, prandaj edhe xhelozia apo urrejtja ose të dyja bashkë e bëjnë t’i besojë çdo maskarallëku që nxjerr nga goja.
E kur shoh se si bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë falë rrjeteve sociale, lëndina ku ferrat e pafundme të rrenës shumohen me shpejtësinë e klikimit, ndërsa lulet e së vërtetës mbyten rëndom nga ferrat e këtij degradimi marramendës, më shkon gjithnjë mendja tek Librat e Shenjtë, ku shpifësi shfaqet edhe më i keq se vrasësi.
Kryeministri “protestoi” se shqiptari “spiun” e akuzoi se kishte ardhur me lekët e shtetit, kur në fakt ishte në atë event të rrallë arti me paratë e veta, duke evokuar gulçimin e vjetër publik se “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”!
Shqiptari “kokëderr” vazhdoi ta përndjekë edhe në mëngjes kryeministrin, teksa xhiroi në pjesën e jashtme të hotelit “Mövenpick Basel” makinat e ambasadës që qëndronin të parkuara në hyrje të tij.
Shqiptari nuk e kapi dot momentin kur kryeministri hipi në makinën që e priste poshtë. Po kështu, ai nuk e dinte se një degë e këtij hoteli gjendej edhe në Shqipëri, “Mövenpick Hotel Lalëz Durrës”.
Siguri apo diçka di?
Të merresh me hobin artistik në ditën që të është ngritur një popull në sheshin e kryeqytetit tënd, dhe një tjetër në rrugët e kryeqyteteve më të rëndësishme të botës, pa harruar se mediat më të mëdha (Reuters, BBC, CNN etj.) kanë vëmendjen 24-orëshe mbi ngjarjen shqiptare, duhet të dish diçka më shumë se sa vetë organizatorët e protestës. Duhet të dish se çfarë do të ndodhë në datë 15, 16 dhe 17 qershor, që ti si kryeministër qëndron i relaksuar diku në pulsin e qetë të Evropës.
Është një sjellje si e Trumpit kur luan golf para se bombarduesit amerikanë B-52 nisen për në Iran dhe ti je relaks se e di rezultatin e vendosur në Pentagon, me orë, minuta dhe milimetra.
Por kryeministri Rama nuk e ka luftën me të huajt, larg Lagunës së Zvernecit apo Bulevardit të Tiranës. Ai po ndeshet me shqiptarët e revoltuar të shtetit të tij.
Atëherë, si është e mundur kjo qetësi “artistike”? Nga buron dhe kush e siguron?
Kaq e sigurt është që… protesta fillon, mbaron dhe asnjë nuk ekzagjeron?
Kaq të përllogaritura janë lëvizjet e protestës që tre ditë pas numrit “revoltues” 100 mijë njerëz në bulevard kryeministrin nuk e shqetëson asgjë, përveç se, sa do shiten pikturat e tij në edicionin e sivjetshëm të Art Basel?
Këto pyetje janë shumë të hidhura për protestën popullore që Edi Rama nuk ka nevojë t’i qëndrojë me merak në llogore!
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






