55 aktivistë, në ditën e 34 të Protestës, vendosën të hedhin një hap tjetër për t’i dhënë projekt konkret protestës.
Në formën e një grupi pune, ata u mblodhën në Hotel Tirana dhe hodhën bazat për organizimin e Kuvendit Kombëtar të Protestës.
Në këtë organizim të parë, jashtë sheshit, aktivistë dhe personazhe të njohur mediatike si Armir Shkurti, Ferdinand Dervishi, Artur Meçollari, Kreshnik Osmani, Klajdi Bello, deklaruan në rrjetet e tyre sociale iniciativën e re, që duket se ka gjetur përkrahje të gjerë në masën e protestuesve online.
Ata mbështetën idenë e një kuvendi përfaqësues për protestën, e cila po tregon rezistencën popullore që tashmë ka kaluar një muaj në rrugë dhe ka nevojë për një organizim të qartë që do çojë në një nivel tjetër realizimin e kërkesave.
Iniciatorët për organizimin e Kuvendit Kombëtar të Protestës miratuan në unanimitet platformën dhe kriteret e anëtarësimit, por u kujdesën që emrat e tyre të mos bëhen publikë “për t’i mbrojtur nga raprezaljet dhe shkopinjtë pafund nën rrota, që fut regjimi”.
Ky hap i parë në drejtim të një organizimi konkret duket se vjen në sinkron me fazën më të nxehtë të protestës. Shumë aktivistë janë ndaluar ose arrestuar në përplasjet e fundit me policinë, kur protesta u zhvendos edhe në dyert e Parlamentit.
Sot në orën 19:00, pritet të mbahet një protestë masive mbarëkombëtare si ajo e datës 20 qershor, ku diaspora është thirrur për herë të dytë të jetë në Tiranë në mbështetje të revoltës 35-ditore.
Autokolonat me shqiptarë të diasporës raportohet nga policia se do t’i nënshtrohen një kontrolli të imtësishëm në kufijtë tokësorë, dhe kjo shihet si një përpjekje e qeverisë që diaspora të mos ndihmojë me numër dhe pjesëmarrje protestën që bëhet në Tiranë.
Kërkesa kryesore dhe e panegociueshme e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Dita e 35 e protestës do “flasë” shumë më tepër se çdo herë tjetër për korrikun më pas, nëse do nxehet deri në shkrirjen e qeverisë apo të protestës.






