Ka një datë që shqiptarët e përmendin vazhdimisht si kufirin mes dy epokave: vitin 1990. Ishte fillimi i një Shqipërie të re, ku vendi do të ndahej përfundimisht nga e kaluara komuniste dhe do të ndërtonte një shtet mbi lirinë, pronën private dhe drejtësinë.
Tridhjetë e pesë vjet më vonë, nuk ka më kuptim të pyesim nëse ky premtim u mbajt. Shqiptarët e kanë marrë përgjigjen çdo ditë, në mënyrën si kanë jetuar, si kanë punuar dhe si kanë parë pasurinë publike të ndryshojë pronar. Pyetja që bëhet sot është: kush përfitoi nga tranzicioni pa mbarim dhe drejtësia e papёrfunduar e tё shkuarës?
Përgjigje e thjeshtë. Klasa politike që trashëgoi pushtetin pas rënies së komunizmit, pavarësisht se u nda në kampe të ndryshme politike, përdori të njëjtin mekanizëm. Fajin e së kaluarës e mbajti vazhdimisht të gjallë në debatin publik, ndërsa në heshtje gllabёroi pasuritë publike.
Rezultati? Ish-funksionarët e regjimit dhe ish-të përndjekurit politikë mbetën të ndarë mes tyre, duke debatuar të shkuarën, ndërsa dikush tjetër ndërtonte të ardhmen mbi pronën që deri dje ishte e përbashkët.
“Faji” si mënyrë për të mbajtur pushtetin
Në fillim të viteve ’90 Shqipëria kishte përpara një sfidë që e kanë kaluar edhe shumë vende të tjera të Europës Lindore. Si duhej trajtuar trashëgimia e diktaturës? Si duhej ndarë përgjegjësia individuale nga ajo kolektive? Si mund të vendosej drejtësia pa e kthyer vendin në një hakmarrje të pafund politike?
Në teori, çështja ishte e drejtë dhe e domosdoshme, por nё tё vёrtetё ndodhi diçka krejt tjetër.
Në vitin 1995 Kuvendi miratoi Ligjin nr. 8001 “Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare“, si dhe Ligjin nr. 8043 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik“. Qëllimi zyrtar ishte largimi nga institucionet i atyre që kishin qenë pjesë e aparatit represiv të regjimit komunist.
Në letër, ligji synonte drejtësi kalimtare, por zbatimi ndoqi standarde te ndrzshme.
Vetë Gjykata Kushtetuese e kohës evidentoi probleme serioze, ndërsa u bë e qartë se ligji nuk po përdorej vetëm për të ndarë përgjegjësitë e së kaluarës, por edhe për të riformatuar ekuilibrat e pushtetit në të tashmen. Efektet e tij prekën edhe njerëz shumë pranë vetë Presidentit të atëhershëm Sali Berisha, të cilët kishin qenë pjesë e strukturave të sistemit komunist.
Në atë moment u kuptua se faji nuk po matej gjithmonë sipas përgjegjësisë së secilit. Ai po përdorej sipas nevojës politike të momentit.
Studiues të ndryshëm të drejtësisë kalimtare në Shqipëri kanë arritur pothuajse në të njëjtin përfundim. Debati mbi të kaluarën komuniste nuk u zhvillua si një proces për të ndërtuar drejtësi, por u përvetësua nga politika dhe u përdor si instrument për të goditur kundërshtarin. Ish-ministri Arben Imami e ka përmbledhur këtë realitet me një fjali të drejtpërdrejtë: “Lustracioni doli keq sepse u fut në përdorim për të arritur qëllime të tjera.“
Kjo fjali ndoshta përshkruan më mirë se çdo analizë gjithë historinë e tranzicionit shqiptar.
Në Shqipëri, lustracioni, dosjet e Sigurimit, proceset ndaj ish-funksionarëve komunistë dhe madje edhe kompensimi i ish-të burgosurve politikë shumë shpesh nuk u trajtuan si procese të mirëfillta drejtësie. Ato u përdorën si mjete për të konsoliduar pushtetin e radhës.
Kur pushteti ndryshoi në vitin 1997, ndryshoi edhe drejtimi i kësaj arme politike. Socialistët nisën spastrimin e administratës nga mbështetësit e Partisë Demokratike, dhe njëkohësisht lëvizën për të zhbërë efektet e ligjit të gjenocidit.
Pra, nuk ndryshoi filozofia. Ndryshoi vetëm partia që mbante armën.
Kështu nisi një cikël që vazhdon ende sot. Çdo rotacion politik solli një version të ri të së njëjtës histori, ku e kaluara komuniste rikthehet në skenë vetëm kur i duhet pushtetit të godasё kundërshtarin e radhës.
Shqiptarët u hutuan ndёrsa zgjidhnin te ishin “bashkëfajtorë” apo “bashkëvuajtës”, ndёrkohё qё prapa shpinёs sё tyre luhej loja e ndyrё e ndarjes sё pronave publike.
Vjedhja e pasurisë dhe nyja e tranzicionit
Kur politika i vendosi pёrballё, ata qё duhej të kërkonin falje me ata që prisnin ende drejtësi, në sfond po zhvillohej një proces shumё dinak, shumë më i heshtur dhe me pasoja që ndihen akoma fort edhe sot. Po shpërndahej prona publike.
Në vitin 1991 u miratua ligji nr. 7501 “Për tokën“, një nga aktet më të debatueshme të historisë moderne të vendit. Në vend që toka t’u kthehej pronarëve të ligjshëm të para vitit 1945, ajo iu nda familjeve që e punonin në atë moment. Ishte një zgjidhje populiste politike, jo juridike.
Shumë studiues e kanë analizuar këtë vendim jo si një akt drejtësie, por si një kompromis elektoral. Qeveria kishte nevojë për mbështetjen e fshatit dhe vota e fshatit vlente më shumë sesa zgjidhja përfundimtare e konfliktit të pronës.
Pak vite më vonë erdhi edhe ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave, i cili premtoi se padrejtësitë do të korrigjoheshin. Në letër gjithçka dukej e drejtë. Por në praktikë nisi një proces që vazhdon edhe sot, pas më shumë se tre dekadash.
Breza të tërë ish-pronarësh u plakën duke pritur një vendim. Disa vdiqën pa e parë kurrë pronën e tyre. Të tjerë morën një kompensim simbolik, ndërsa shumë çështje vazhdojnë të sorollaten si “Gagarini ne orbite” sa në gjykatat shqiptare, sa në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndërkohë që shteti sillej si pronar i një pasurie që s’ishte më e tij.
Kjo është arsyeja pse konflikti i pronës nuk u mbyll kurrë: Ai nuk mbeti i hapur sepse mungonin zgjidhjet juridike, por sepse prona u shndërrua në instrument pushteti.
Sa herë duhej një investim strategjik, një koncesion, një resort turistik apo një partneritet publik-privat, çështja e pronës ringrihej nga e para. Dhe sa më e paqartë të ishte situata juridike, aq më e lehtë bëhej që prona të kalonte në duart e atyre që kishin lidhjet e duhura me pushtetin.
Pikërisht në këtë periudhë nisi edhe privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore.
Privatizim apo apo mashtrim?
Në teori, bonot e privatizimit u menduan si një mënyrë që çdo shqiptar të bëhej bashkëpronar i ekonomisë së re. Çdo qytetar mori kuponët e famshëm, me idenë se edhe ai do të kishte pjesën e vet në fabrikat, ndërmarrjet dhe pasuritë që deri atëherë kishin qenë pronë e shtetit.
Por realiteti mori një drejtim krejt tjetër.
Shumica e qytetarëve nuk kishin informacion, nuk kishin kapital dhe nuk kishin asnjë mundësi reale për të kuptuar vlerën e atyre bonove. Shumë i shitën për pak para, ndërsa një grup i vogël njerëzish filloi t’i grumbullonte sistematikisht.
Në fund, prona që duhej të shpërndahej te miliona shqiptarë përfundoi e përqendruar në shumë pak duar. Dhe kjo, nuk qe rastësi.
Ata që kishin informacion, lidhje me administratën, akses te vendimmarrja dhe mundësi financiare u bënë shumë shpejt pronarët e ekonomisë së re shqiptare.
Shumë prej tyre kishin qenë pjesë e sistemit të vjetër. Të tjerë ishin njerëzit afër pushtetit të ri. Disa të tjerë ishin biznesmenët që kuptuan shumë herët se tranzicioni nuk po ndërtohej mbi konkurrencën e lirë, por mbi afërsinë me politikën.
Piramidat ‘97
Më pas erdhën skemat piramidale. Edhe ato nuk lindën rastësisht. Ato u ndërtuan mbi të njëjtën filozofi që kishte shoqëruar privatizimin: mungesë kontrolli, mungesë transparence dhe mungesa e një shteti që ose nuk donte, ose nuk ishte i interesuar të ndërhynte.
Shumë nga drejtuesit e firmave piramidale kishin përfituar më parë nga procesi i privatizimit. Kishin blerë asete publike me çmime qesharake, kishin krijuar kapitalin e parë dhe më pas ngritën skemat financiare që do të shkatërronin kursimet e qindra mijëra familjeve shqiptare.
Kur gjithçka u shemb në vitin 1997, dëmi ishte katastrofik.
Detyrimet e firmave piramidale u vlerësuan në rreth 1.2 miliardë dollarë, pothuajse gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në atë kohë.
Qindra mijëra shqiptarë humbën gjithçka. Shitën shtëpitë, tokat, kursimet e një jete dhe ua besuan firmave që shteti i kishte lënë të vepronin thuajse pa asnjë kontroll.
Pёr habi, pёrsёri përgjegjësia nuk iu faturua arkitektëve të sistemit. Faji iu la qytetarëve. Ata u “akuzuan” si mendjelehtë, naivë. Se kishin besuar shumë. Se ishin joshur si të marrë nga fitimet.
Po shteti? Shumë pak u fol për shtetin që nuk ndërhyri. Për institucionet që panë gjithçka dhe nuk reaguan. Për politikën që për vite me radhë kishte ushqyer të njëjtin model mashtrues, ku pasuria publike dhe private kalonte gjithmonë në të njëjtin drejtim.
“Abra kadabra”
E ndërsa shqiptarët vazhdonin të ndaheshin në kampe, të grindeshin për të shkuarën dhe të prisnin drejtësinë historike që nuk erdhi kurrë, një elitë e re ekonomike po konsolidohej mbi themelet e gjithë këtij tranzicioni.
Nuk kishte rëndësi nëse në pushtet ishte Partia Demokratike apo Partia Socialiste. Emrat ndryshonin. Pushteti ndryshonte. Por mekanizmi mbetej pothuajse i njëjtë.
Dosjet e varrosura të sigurimit
Dosjet nuk u hapën kurrë për të treguar të vërtetën, por vetëm sa herë i duheshin pushtetit.
Nëse ka një tregues që shpjegon më mirë se çdo statistikë tjetër, mënyrën si u administrua tranzicioni shqiptar, është historia e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
Ndërsa Gjermania hapi arkivat e Stasit menjëherë pas ribashkimit, duke u dhënë qytetarëve të drejtën të njihnin të vërtetën mbi atë që kishte ndodhur, Shqipëria zgjodhi një rrugë krejt tjetër.
Dosjet e sigurimit nuk u bënë pjesë e një procesi kombëtar reflektimi, por mbetën për vite me radhë të mbyllura, të paprekura dhe mbi të gjitha të dobishme politikisht.
Nuk munguan ligjet, jo. Mungoi vetëm vullneti.
Vetëm në vitin 2015 u miratua ligji që krijoi Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa institucioni filloi të funksiononte realisht disa vite më vonë. Shqipërisë iu desh një çerek shekulli për të bërë atë që vende të tjera e kishin bërë menjëherë pas rënies së komunizmit. Por edhe atëherë, dosjet nuk pushuan së qёnuri instrument politik.
Sa herë që afrohej një përballje e rëndësishme politike, një kandidaturë apo një betejë elektorale, rikthehej debati për “dosjet”. Papritur dilnin akuza të reja, spiunë, nofka dhe kërkesa për lustracion, iniciativa ligjore dhe premtime për pastrim të jetës publike.
Por asnjëherë procesi nuk shkoi kurrë deri në fund. Nuk shkoi në vitin 1995. Nuk shkoi në vitin 2009. Nuk shkoi as në vitin 2023. Ndryshonte viti, ose ndyshoi vetëm emri i personit që duhej goditur. Shqipëria zgjodhi ta mbante plagën gjithmonë pak të hapur, aq sa të rridhte gjak sa herë që pushtetit i duhej një armë e re politike.
Në këtë mënyrë, dosjet nuk prodhuan drejtësi, as transparencё, por vetёm frikë, shantazh dhe ndarje tё reja.
Dhe ndërsa shqiptarët vazhdonin të debatonin se kush kishte qenë bashkëpunëtor dhe kush viktimë, shumë pak e kuptuan se në të njëjtën kohë po ndërtohej një elitë e re ekonomike, e cila nuk ndahej më në të majtë dhe të djathtë, por vetëm në ata që kishin akses te pushteti dhe ata që nuk kishin.
Pyetjet fatale
Në Shqipëri, bashkëfajtorët dhe bashkëvuajtësit mbetën për vite me radhë duke parë njëri-tjetrin si kundërshtarë, ndërsa dikush tjetër po bëhej bashkëpronar i pasurisë kombëtare.
Prandaj sot nuk mjafton më të pyesim se kush firmosi një dosje në vitin 1985 apo kush u burgos padrejtësisht gjatë komunizmit. Këto janë pyetje që duhej të kishin marrë përgjigje shumë kohë më parë.
Pyetjet që mungojnë sot janë fatale:
Kush e mori tokën?
Kush i mori fabrikat?
Kush gllabëroi minierat?
Kush portet?
Kush hidrocentralet?
Kush bregdetin?
Kush i mori koncesionet?
Kush po merr sot partneritetet publike-private dhe pronat strategjike të shtetit?
Pikёrisht ky ёshtё stacioni i vërtetë i tranzicionit shqiptar.
Nëse nuk hapen dosjet e privatizimeve, të pronave, të koncesioneve, të PPP-ve, kullave, dhe të pasurive publike me të njëjtin seriozitet me të cilin hapen dosjet e Sigurimit, Shqipëria do të vazhdojë të debatojë pafund për të kaluarën, ndërsa e ardhmja do të vazhdojë të varroset në heshtje.
Ky truku më i madh i klasës politike të këtyre 35 viteve: Ta bindte shoqërinë të shihte gjithmonë prapa, ndërsa pasuria e përbashkët kalonte vazhdimisht përpara syve të saj.
Kur shqiptarët të kuptojnë se tranzicioni nuk ishte vetëm një përballje me komunizmin, por edhe një garë për të kontrolluar pronën publike, atëherë do të kuptojnë se kush ishin fituesit e vërtetë të këtyre tri dekadave. Dhe ata nuk kanë qenë as bashkëfajtorët, as bashkëvuajtësit. por bashkëpronarët e rinj të Shqipërisë, ortakёt e saj.
Në fund të fundit, tranzicioni shqiptar nuk prodhoi vetëm dy kategori njerëzish, siç na është thënë për tri dekada. Ai prodhoi edhe një kategori të tretë, për të cilën flitet shumë pak, por që përfitoi më shumë se kushdo tjetër. Janë bashkëpronarët e Shqipërisë. Ata që, ndërsa ne debatonim për dosjet, ndanë pronat; ndërsa ne urreheshim për të kaluarën, ata ndanë të ardhmen; ndërsa ne kërkonim drejtësi, ata ndërtuan pasuri.
Dhe ndoshta ky është shpjegimi më i thjeshtë i gjithë tranzicionit shqiptar: Ata nuk na vodhën vetëm pronën, por na mbajtën sylidhur duke debatuar për fajin, që të mos shihnim kurrë se kush po merrte Shqipërinë.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






