Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të premten Iranin se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me forcë shkatërruese nëse Teherani ndërmerr ndonjë përpjekje për ta vrarë atë.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se “1.000 raketa janë të mbushura, gati për lëshim dhe të drejtuara ndaj Republikës Islamike të Iranit”, duke shtuar se mijëra të tjera do të pasojnë menjëherë nëse qeveria iraniane përpiqet të vrasin presidentin e Shteteve të Bashkuara.
“Sulmi ose tentativa për të vrarë presidentin aktual të SHBA-së, në këtë rast mua, do të ketë pasoja shkatërruese”, shkroi ai.
Trump deklaroi gjithashtu se urdhrat janë dhënë tashmë, ndërsa pretendoi se ushtria amerikane është “gati, e gatshme dhe e aftë” të zhvillojë operacione ushtarake për një periudhë njëvjeçare, me mundësi zgjatjeje, për të “shkatërruar plotësisht çdo zonë të Iranit”.
Më herët, Trump kishte deklaruar se armëpushimi me Iranin ishte “i përfunduar”, megjithëse Uashingtoni pranoi të vazhdojë bisedimet e kërkuara nga Teherani.
Sipas një raporti të Wall Street Journal, Izraeli i ka ndarë SHBA-së informacione të inteligjencës që pretendojnë se Irani ka hartuar një plan të ri për atentat ndaj Trumpit.
Në muajin qershor, Irani dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, me ndërmjetësimin e Pakistanit, që synonte t’i jepte fund luftës së nisur në fund të shkurtit dhe të hapte rrugën drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
Memorandumi parashikonte ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve, heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit dhe rihapjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, gjatë kësaj jave të dyja palët kanë shkëmbyer sulme të reja lidhur me kontrollin e trafikut detar në këtë korridor strategjik. SHBA goditi objektiva në Iran, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke sulmuar baza dhe asete ushtarake amerikane në rajon.
Burimi: AA






