Në faqen e fundit të një raporti të thatë evropian për raportimin e qëndrueshmërisë — plot grafikë me përqindje portokalli dhe fjalë si “governance”, “materialitet” dhe “integrim ndër-funksional” — fshihet, pa dashje, një portret pothuajse perfekt i Shqipërisë së vitit 2026. Autorët e raportit të “Sustainability Data & Reporting Europe 2026” s’e kishin idenë, kur mblidhnin panelistët e tyre në Londër, se po shkruanin, në fakt, kritikën më të mirë të mundshme ndaj qeverisë shqiptare. Por ja ku jemi.
Koha për të pritur dhe parë ka mbaruar
Në një nga citimet e para të raportit, një panel mbi klimën e deklaron pa mëdyshje: koha e pritjes ka përfunduar. Fjali e thjeshtë, e destinuar për bordet e drejtorëve të korporatave evropiane që ende hezitojnë të digjitalizojnë të dhënat e tyre mjedisore.
Por, po qe se e lexon përsëri, duke menduar gjashtë javët e fundit në bulevardin e Tiranës, për flamingot që nuk e kanë zëvendësuar shqiponjën e kuqe në flamujt e protestuesve edhe pse ato ishin sebepi, dhe për ligjin e “të zonave të mbrojtura” që u ndryshua në 2024 pikërisht sa për t’i hapur rrugë një resorti luksoz në ligatinën e Nartës, apo më gjerë, duket se çështja e ‘kohës’ është vendimtare. S’ka më kohë!
Koha për të pritur dhe parë ka mbaruar, thonë ekspertët e ESG-së në Londër. Duket se Bashkimi Evropian e ka thënë të njëjtën gjë në Bruksel, kur komisionerja (Kos) për zgjerimin i kërkoi haptazi qeverisë shqiptare të shfuqizojë ligjet e diskutueshme mbi investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura — kusht i vendosur, sipas raportimeve, edhe përpara se protestat të fillonin.
“Ne kishim mbi 300 pika të dhënash. Ekipi u panikos.”
Kjo fjali, e thënë nga një kompani farmaceutike evropiane mbi vështirësinë e mbledhjes së të dhënave për raportimin e detyrueshëm, tingëllon çuditërisht familjare për këdo që ka provuar të gjejë se kush në të vërtetë qëndron pas “Zvërnec South Adriatic Development” — kompani e regjistruar në Holandë dhe, e mbështjellë në një rrjet shoqërish “guaskë” që të çon, hap pas hapi, te investitorë nga Katari.
Nëse ekipet e ESG-së në Bruksel panikosen përballë 300 pikave të dhënash për një vlerësim materialiteti, imagjinoni panikun e një gazetari investigativ shqiptar përballë lejeve të pabotuara, pronësisë së paqartë dhe rojeve private që tërheqin protestues zvarrë brenda gardheve, ndërsa policia me uniformën e shtetit, shikon.
Transparenca: opsionale për disa, e detyrueshme për të tjerë
Raporti thekson se 72% e folësve e identifikuan fragmentimin e të dhënave si pengesën kryesore për raportim efektiv, dhe se standardizimi mungon si sfida themelore.
Në Shqipëri, “fragmentimi i të dhënave” ka një emër tjetër: leje ndërtimi që nuk botohen kurrë zyrtarisht, dokumente miratimi që presin ende aprovim final ndërsa buldozerët tashmë punojnë, dhe një qeveri që zbulon identitetin e investitorëve — Kushner, familjet katarase, arkitektë nga gjysma e Evropës — vetëm kur presioni popullor e bën të pamundur heshtjen.
Nëse Merck e Danone e kanë kuptuar që “të dhënat nuk janë më vetëm për zbulim, por një motor i performancës operacionale”, ndoshta edhe Rilindja mund ta rimendojë veten: performanca operacionale e një qeraje demokratike matet, në fund të fundit, me atë sa lehtë qytetarët mund të gjejnë të vërtetën pa u dashur të dalin 45 mbrëmje rresht në rrugë.
Governanca “e centralizuar” dhe iluzioni i saj
Një nga gjetjet kryesore të raportit thotë se organizatat po kalojnë nga nisma të fragmentuara të qëndrueshmërisë drejt modeleve më të strukturuara e të centralizuara të governancës — por se governanca vetë, pa përfshirje reale të palëve të interesuara, nuk mjafton.
Vetëm 33% e kompanive angazhojnë OJQ-të në vlerësimet e tyre të materialitetit, thuhet aty, dhe vetëm 30% angazhojnë komunitetet lokale. Numra që, në kontekstin evropian, tingëllojnë si dështim i moderuar.
Në kontekstin e Nartës e Sazanit — ku banorët lokalë mësuan për “zhvillimin turistik” të tokës së tyre nga gardhet me tela me gjemba dhe jo nga ndonjë konsultim publik — këta numra do të dukeshin si arritje befasuese.
Nga pajtueshmëria te diferencimi konkurrues — apo te dorëheqja?
Gjetja e nëntë e raportit flet për organizatat “më të avancuara” që kanë kaluar nga thjesht plotësimi i kërkesave rregullatore te përdorimi i raportimit si mjet për të ndërtuar besim, forcuar besueshmërinë tek investitorët dhe përmirësuar pozicionimin e markës.
Rilindja Evropiane e Ramës, e cila për vite e ka shitur veten si “aventurë drejt BE-së”, tani përballet me pikërisht këtë test: nëse “premtimi për BE” ishte vetëm pajtueshmëri kozmetike apo diferencim i vërtetë.
Beteja tashmë duket e vendosur nga rruga: buste të rrëzuara, tortë prej çimentoje për ditëlindjen e kryeministrit, dhe një komisionere evropiane (Marta Kos) që e detyroi publikisht kryeministrin t’i rikthehet ligjit — jo sepse protestat e detyruan (gënjeshtër e bardhë), por se koha e përputhjes është, si për ironi të fatit, pikërisht ajo që “Flamingo Revolution” po kërkon me insistim bulevardor.
Përfundimi?
Nëse ekziston një “acquis communautaire” për sinqeritetin qeveritar — një grup standardesh të detyrueshme mbi transparencën, qëndrueshmërinë institucionale dhe respektimin e votës e vullnetit qytetar — Shqipëria e vitit 2026 do të raportonte, me siguri, në më pak se një të tretën e kërkesave, ashtu si kompanitë evropiane që ende s’janë gati për CSRD-në e re.
Ndryshimi është se korporatat kanë kohë të mjaftueshme, deri në 2028 për t’u përshtatur.
Por qytetarët në bulevardin e Tiranës, siç e kanë bërë të qartë tashmë prej gjashtë javësh, nuk janë të gatshëm të presin aq gjatë.







