Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk ka asnjë tension me kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, vetëm pak javë pasi kishte kërcënuar me ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve tregtare me Spanjën për shkak të mosmarrëveshjeve brenda NATO-s.
Duke folur para gazetarëve pas finales së Kupës së Botës, ku Spanja mposhti Argjentinën 1-0, Trump u shpreh se kishte uruar autoritetet spanjolle për suksesin.
“Nuk kam asnjë tension me të. Nuk kam tension me askënd,” tha presidenti amerikan.
Ai e cilësoi finalen një “ngjarje të madhe” dhe një ndeshje “shumë emocionuese”, duke shtuar se Spanja e meritoi fitoren.
“Spanja luajti më mirë, edhe pse ishte një ndeshje shumë e ekuilibruar,” u shpreh Trump, duke mohuar se ishte i zhgënjyer nga humbja e Argjentinës.
Deklaratat shënojnë një ndryshim të fortë në tonin e presidentit amerikan. Vetëm pak javë më parë, gjatë samitit të NATO-s në Ankara, Trump e kishte cilësuar Spanjën një “partner të tmerrshëm” dhe një “rast të humbur”, duke e akuzuar Madridin se refuzoi t’u jepte forcave amerikane akses në bazat ushtarake gjatë konfliktit me Iranin dhe se nuk pranoi të angazhohej për objektivin e NATO-s për shpenzime ushtarake në nivelin 5% të PBB-së.
“Nuk dua të kem më asnjë lidhje me Spanjën. Ndërprisni çdo tregti me Spanjën, përfshirë edhe vizitat. Mos flisni më me ta. Janë njerëz të pashpresë dhe partnerë të këqij,” kishte deklaruar Trump në atë kohë.
Megjithatë, pas triumfit të Spanjës në Kupën e Botës, presidenti amerikan duket se ka zgjedhur të ulë tensionet diplomatike, duke theksuar se nuk ka mosmarrëveshje personale me kryeministrin Sánchez.




