Kur Andy Burnham hyri në Downing Street si kryeministri i ri i Britanisë, shumica e mediave u morën me simbolikën e ndryshimit të pushtetit dhe me fillimin e një epoke të re politike. Megjithatë, vendimi i parë që mori qeveria e tij meriton shumë më tepër vëmendje sesa vetë ceremonia e betimit. Vetëm një ditë më pas u shpall heqja e TVSH-së mbi faturat e energjisë elektrike për familjet britanike, një masë që do të hyjë në fuqi nga 1 tetori dhe që, edhe pse përkthehet në një kursim relativisht modest prej rreth 45 paundësh në vit për çdo familje, përcjell një mesazh shumë më të madh se vlera monetare që përfaqëson. Ajo tregon se, në një periudhë kur kostoja e jetesës vazhdon të rëndojë mbi qytetarët, shteti është i gatshëm të heqë dorë nga një pjesë e të ardhurave të veta për të lehtësuar barrën e familjeve.
Ky nuk është një debat që duhet parë si një zhvillim i largët britanik. Përkundrazi, ai është një rast i mirë për të ngritur një pyetje që në Shqipëri pothuajse nuk është bërë kurrë seriozisht. A ka ardhur koha që edhe vendi ynë të rishikojë mënyrën se si takson energjinë elektrike, e cila nuk është një mall luksi, por një shërbim jetik pa të cilin sot nuk mund të funksionojë asnjë familje?
Sot energjia elektrike në Shqipëri tatohet me normën standarde të TVSH-së prej 20 për qind, njësoj si shumë mallra të zakonshëm të konsumit. Ndërkohë, për sektorë të ndryshëm, si bujqësia, agroturizmi apo media audiovizive, ligji ka parashikuar prej kohësh norma të reduktuara. Kjo do të thotë se shteti ka pranuar vetë se, për disa aktivitete, politika fiskale mund të përdoret si instrument mbështetjeje. Çuditërisht, një logjikë e tillë nuk është aplikuar kurrë për energjinë elektrike, edhe pse ajo është ndër shpenzimet më të domosdoshme për çdo familje shqiptare.
Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet ku varfëria energjetike mbetet problem mё se serioz. Për mijëra familje, veçanërisht në zonat më të ftohta të vendit, pagesa e energjisë zë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave mujore. Kjo nuk është thjesht statistikë ekonomike, por një realitet që prek drejtpërdrejt cilësinë e jetës së njerëzve.
Sigurisht, askush nuk pretendon se modeli britanik duhet kopjuar mekanikisht. Vetë Burnham nuk e financoi këtë lehtësim duke rritur borxhin publik, por duke hequr dorë nga një projekt tjetër që e konsideroi më pak prioritar. Edhe Shqipëria do të duhej ta shoqëronte çdo ulje të TVSH-së me një plan të qartë financiar.
Askush- asnjё politikan a qeveritar shqiptar- nuk ka shpjeguar ndonjëherë nëse është studiuar mundësia që të aplikohet një normë e reduktuar vetëm për konsumin bazë të familjeve, deri në një kufi të caktuar kilovatësh, ndërsa norma standarde të vazhdojë të zbatohet për konsumet më të larta apo për biznesin. Një skemë e tillë do të kishte ndikim social shumë më të drejtë sesa sistemi aktual, ku familja që përpiqet të mbajë ndezur dritat në fund të muajit paguan të njëjtën përqindje TVSH-je si kushdo tjetër.
Në të vërtetë, Shqipëria ndodhet në një pozitë edhe më interesante se Britania. Ne prodhojmë pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga burimet tona hidrike dhe në vite të favorshme arrijmë të eksportojmë energji. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se sistemi ynë është imun ndaj krizave, sepse prodhimi varet nga reshjet dhe thatësirat mund të sjellin pasoja të rëndësishme. Po aq e vërtetë është edhe se sektori energjetik mbart ende probleme financiare të trashëguara ndër vite. Megjithatë, pikërisht për këtë arsye ulja e TVSH-së është një instrument shumë më i thjeshtë sesa ndërhyrja te vetë tarifa e energjisë. Ajo nuk prek të ardhurat e operatorëve energjetikë dhe nuk cenon ekuilibrin financiar të tyre. Ajo prek vetëm pjesën që sot shkon në arkën e shtetit.
Nëse ka një mësim që mund të merret nga vendimi i qeverisë britanike, ai nuk është domosdoshmërisht heqja e TVSH-së, por mënyra se si politika zgjedh prioritetet. Në vend që çdo diskutim fiskal të kufizohet te rritja e të ardhurave buxhetore, mund të diskutohet edhe për uljen e barrës mbi shërbimet më të domosdoshme për qytetarët. Në Shqipëri, kjo bisedë pothuajse nuk ekziston. Flitet për subvencione, për ndihmë ekonomike dhe për paketa sociale, por shumë rrallë diskutohet seriozisht nëse vetë sistemi i taksave mund të bëhet më i drejtë.
Natyrisht, edhe kjo qasje ka kundërshtarët e saj. Ekonomistë të ndryshëm argumentojnë se nga një ulje universale e TVSH-së përfitojnё proporcionalisht më shumë familjet që konsumojnë më shumë energji, të cilat zakonisht janë edhe më të pasura. Të tjerë mendojnë se ndihma duhet të jetë e targetuar vetëm për shtresat në nevojë dhe jo për të gjithë konsumatorët. Janë argumente legjitime dhe meritojnë të dëgjohen. Po aq e vërtetë është edhe se një ulje e TVSH-së nuk mund të bëhet pa llogaritur ndikimin që do të kishte mbi të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Por pikërisht këtu duhet të nisë debati publik dhe jo të mbyllet përpara se të hapet. Por faktet janё ato qё flasin vetё: kur një qeveri gjen brenda pak ditësh miliona euro nga fondi rezervë për të financuar një koncert privat, është e vështirë t’u shpjegosh qytetarëve se mungojnë burimet për të diskutuar lehtësimin e barrës fiskale mbi një shërbim jetik si energjia elektrike. Prioritetet e një shteti lexohen gjithmonë nga mënyra se si ai zgjedh të shpenzojë paratë publike. Dhe ndoshta ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të flitet më pak për premtime abstrakte dhe më shumë për masa konkrete që qytetari i ndien çdo muaj, aty ku i dhemb më shumë: te fatura që paguan për të mbajtur ndezur dritën e shtëpisë.
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






