Gjykata e Lartë ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve që do të garojnë për t’u zgjedhur anëtarë të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), duke i hapur zyrtarisht rrugë procesit zgjedhor për një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.
Në garë janë shtatë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e gjyqësorit:
- Arbena Ahmeti – Gjykata e Lartë;
- Sandër Simoni – Gjykata e Lartë;
- Igerta Hysi – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
- Fatri Islamaj – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
- Matilda Llangozi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
- Brunilda Kadi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
- Manjola Xhaxho – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Procesi synon zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të KLGJ-së: një gjyqtari nga gjykatat e shkallës së parë, një nga gjykatat e apelit dhe një nga Gjykata e Lartë, në zbatim të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka caktuar datën 25 shtator 2026, ora 10:00, për zhvillimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku do të votohet për përbërjen e re të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
KLGJ është institucioni që administron karrierën e gjyqtarëve dhe garanton funksionimin e pavarur të sistemit gjyqësor, ndaj zgjedhja e anëtarëve të tij konsiderohet një proces me rëndësi të veçantë për drejtësinë në vend.






