Influencuesi kontrovers Andrew Tate është goditur me 32 akuza të reja penale në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa vëllai i tij Tristan Tate përballet me gjashtë akuza të tjera. Të dy u arrestuan gjatë fundjavës në Miami të SHBA-së dhe tashmë ndodhen në paraburgim, ndërsa autoritetet amerikane po shqyrtojnë kërkesën për ekstradimin e tyre në Britani.
Vëllezërit Tate u paraqitën të hënën para Gjykatës Federale në Miami, të veshur me uniformat e burgut dhe me pranga në duar, bel dhe këmbë. Ata folën vetëm kur gjykatësi i pyeti nëse i kuptonin të drejtat e tyre, duke u përgjigjur njëzëri: “Po, i nderuar gjykatës.”
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga autoritetet britanike, Andrew Tate akuzohet për 7 akuza për përdhunim, 19 akuza që lidhen me materiale pornografike ekstreme dhe posedim të imazheve me abuzim seksual të fëmijëve, si dhe akuza të tjera për dhunë seksuale dhe fizike ndaj grave.
Akuzat: Gratë mbyteshin deri sa humbnin ndjenjat
Sipas prokurorisë, Andrew Tate akuzohet se ka mbytur me duar disa gra gjatë akteve seksuale, në disa raste deri në humbjen e ndjenjave, dhe më pas i ka përdhunuar.
Një nga denoncimet pretendon se në vitin 2015, në Bedford, ai kapi pёr fyti një grua derisa ajo humbi ndjenjat dhe më pas e përdhunoi në banesën e saj.
Një tjetër grua ka deklaruar se Tate shkoi në shtëpinë e saj në Manchester dhe e kapi pёr fyti aq fort, sa ajo kishte frikë se ai do ta vriste.

Akuza edhe ndaj Tristan Tate
Edhe Tristan Tate akuzohet për dhunë të rëndë ndaj një ish-partnereje me të cilën kishte marrëdhënie në vitet 2012-2013.
Sipas kallëzimit, ai e përdhunonte, e godiste dhe e rrihte me rrip, duke i shkaktuar mavijosje dhe plagë në trup.
Arrestimi në SHBA dhe ekstradimi drejt Britanisë
Vëllezërit u arrestuan të shtunën në Florida, ndërsa ndodheshin në një aktivitet të sporteve luftarake.
Prokurorët amerikanë po ndjekin procedurat për ekstradimin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, ku një gjykatë do të vendosë në javët në vijim nëse plotësohen kushtet ligjore për dorëzimin e tyre.
Avokati i tyre, Joseph McBride, deklaroi pas seancës se Andrew dhe Tristan Tate do ta kundërshtojnë ekstradimin.
“Sot mbrojtëm të drejtat e Andrew dhe Tristan Tate dhe kundërshtuam procesin e ekstradimit. Ata janë të pafajshëm dhe do ta luftojnë këtë kёrkesё,” tha ai.
Gjykata vendosi që dy vëllezërit të mbeten në paraburgim në Florida deri në seancën e radhës, e cila është caktuar për 27 korrik.
Ndërkohë, ata vazhdojnë të përballen edhe me procedura të tjera penale në Rumani, ku u arrestuan për herë të parë në vitin 2022, në kuadër të hetimeve për trafikim njerëzor, përdhunim dhe krijim të një grupi kriminal.






