Dhjetorin e kaluar, hetuesit e sektorit të çështjeve të brendshme në Departamentin e Policisë së Milwaukee nisën një hetim ndaj një efektivi të dyshuar për përdorim të paligjshëm të sistemit Flock, platforma e automatizuar që lexon targat e automjeteve.
Gjatë hetimeve u zbulua se polici Josue Ayala e kishte përdorur fshehurazi sistemin 124 herë për të zbuluar vendndodhjen e partneres së tij romantike dhe 55 herë për të gjurmuar ish-partnerin e saj. Këto të dhëna përfshihen në një kallëzim penal të muajit shkurt.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Ayala pranoi të jepte dorëheqjen nga policia dhe të deklarohej fajtor për tentativë shpërdorimi detyre, në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorinë.
Por ngjarja mori një kthesë ironike. Në fillim të këtij muaji, një nga detektivët që kishte hetuar Ayalën u arrestua gjithashtu për keqpërdorim të të njëjtit sistem. Detektivi Tehrangi Chapman pranoi se kishte përdorur Flock për të gjurmuar dy persona dhe se kishte vendosur fshehurazi edhe një pajisje GPS në automjetin e njërit prej tyre, sipas dokumenteve të prokurorisë.
Këto nuk janë raste të izoluara. Sipas një bilanci të hartuar nga Instituti pёr Drejtёsi, një organizatë amerikane jofitimprurëse për mbrojtjen e lirive civile, të paktën 24 policë janë arrestuar ose kanë dhënë dorëheqjen pasi dyshohet se kanë përdorur sistemin Flock për të përndjekur partnerë ose ish-partnerë romantikë.
Vetëm gjatë muajit të fundit, pesë efektivë policie në Albany, Georgia, u arrestuan dhe u pushuan nga puna për përdorim të paligjshëm të sistemit, ndërsa në Greer, Karolina e Jugut, dy policë të tjerë u larguan nga detyra për të njëjtën arsye.
Rastet kanë rikthyer në qendër të debatit përdorimin gjithnjë e më të madh të sistemeve automatike të leximit të targave (ALPR – Automated License Plate Readers), të cilat vitet e fundit janë instaluar nga qindra departamente policie në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Teknologjia ka mbështetës të shumtë, të cilët e konsiderojnë një mjet shumë efektiv për hetimin e krimeve dhe gjetjen e automjeteve të kërkuara. Nga ana tjetër, kritikët e cilësojnë atë si një sistem mbikëqyrjeje masive që cenon privatësinë dhe të drejtat civile të qytetarëve.
Megjithatë, edhe mbështetësit e sistemit pranojnë se rastet e abuzimit nga vetë punonjësit e policisë dëmtojnë seriozisht besimin e publikut.
“Ky rast përfaqëson një shpërdorim të pushtetit dhe të autoritetit. Pasoja më e madhe është humbja e besimit të komunitetit,” deklaroi zëvendësprokurori i Qarkut Milwaukee, Matthew Torbenson, gjatë seancës së dënimit të Ayalës.
Ai shtoi se, megjithëse rasti do të tërheqë vëmendjen e publikut, shumica dërrmuese e punonjësve të zbatimit të ligjit e përdorin sistemin në mënyrë të ligjshme për hetimin e veprave penale.
Përballë kritikave dhe rasteve të përsëritura të abuzimit, kompania Flock Safety ka ndërmarrë masa shtesë për të kontrolluar përdorimin e teknologjisë së saj.
Drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i kompanisë, Garrett Langley, tha për CNN se muajin e kaluar u lançua një mjet i ri auditimi që sinjalizon automatikisht përdorime “jonormale” të sistemit, duke ndihmuar auditorët të identifikojnë sjellje të dyshimta.
“Ky është një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm. Ne nuk duam të kufizojmë efektivitetin e 99.99% të policëve që çdo ditë dalin në punë me synimin për t’i shërbyer komunitetit të tyre,” u shpreh Langley.
Si funksionojnë kamerat Flock
Kamerat e automatizuara për leximin e targave (ALPR – Automated License Plate Readers) janë pajisje që instalohen në automjete policie ose në shtylla përgjatë rrugëve publike. Ato fotografojnë targat e automjeteve, si edhe karakteristika të tjera identifikuese të tyre, dhe i ruajnë këto të dhëna në një bazë të centralizuar.

Sistemi njofton automatikisht policinë sa herë që një automjet i përfshirë në një “listë të rrezikshme” (hotlist) – për shembull një makinë e lidhur me një krim, një person të zhdukur apo një automjet të kërkuar – kalon pranë një kamere.
Policia mund të kërkojë gjithashtu një targë të caktuar për të parë lëvizjet e fundit të automjetit. Për më tepër, departamentet e policisë mund të ndajnë informacionin me agjenci të tjera fqinje, duke lehtësuar koordinimin e operacioneve.
Flock Safety, me seli në Atlanta, është kompania më e madhe në SHBA që ofron këtë teknologji. Ajo bashkëpunon me mbi 5.000 agjenci të zbatimit të ligjit dhe deklaron se rrjeti i saj përfshin më shumë se 120.000 kamera të shpërndara në 49 shtete amerikane.
E themeluar në vitin 2017, kompania njoftoi në mars të vitit të kaluar se ishte vlerësuar me 7.5 miliardë dollarë, pas një raundi financimi prej 275 milionë dollarësh nga disa prej investitorëve më të njohur të Silicon Valley, mes tyre Andreessen Horowitz dhe Founders Fund, fondi i mbështetur nga Peter Thiel.
Autoritetet ligjzbatuese amerikane thonë se kjo teknologji ka rezultuar shumë efektive në zbardhjen e krimeve, veçanërisht në rastet e vjedhjes së automjeteve. Një nga rastet më të njohura ishte vitin e kaluar, kur policia përdori kamerat Flock për të lokalizuar të dyshuarin për sulmin me armë në Universitetin Brown.
Departamenti i Policisë së Milwaukee i dërgoi CNN-së një përmbledhje të 24 rasteve ku sistemi ALPR u përdor gjatë muajit prill dhe 26 rasteve të tjera gjatë muajit maj.
Në një prej tyre, kamerat ndihmuan në arrestimin e një personi të dyshuar për dhunë në familje, grabitje automjeti dhe armëmbajtje pa leje. Në një rast tjetër, sistemi bëri të mundur lokalizimin dhe arrestimin e një personi ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest për mbytje me dashje.
“Këto rezultate janë vetëm një pjesë e vogël e ndikimit që ka kjo teknologji, por ato tregojnë qartë efektivitetin e saj në hetimin e disa prej krimeve më të rënda që ndodhin në komunitetin tonë“, thuhet në deklaratën e Policisë së Milwaukee.
Studimet për efektivitetin mbeten të kufizuara
Megjithatë, deri më sot janë kryer relativisht pak studime që analizojnë efektivitetin e përgjithshëm të kësaj teknologjie. Një studim i fundit shqyrtoi përdorimin e kamerave ALPR nga Departamenti i Policisë së Atlantic City, në shtetin e New Jersey-t, gjatë periudhës 2022–2024 dhe arriti në rezultate të përziera, të cilat ishin të vështira të ndaheshin nga rënia e përgjithshme e kriminalitetit në nivel kombëtar gjatë të njëjtës periudhë.
Sipas autorëve të studimit, zgjerimi i përdorimit të kamerave ALPR nuk solli ulje të krimeve të dhunshme, por u shoqërua me një rënie të numrit të të shtënave me armë, vjedhjeve të automjeteve dhe krimeve kundër pronës.
Nga ana e saj, kompania Flock Safety deklaron se vetëm gjatë vitit të kaluar teknologjia e saj ka ndihmuar në rreth 1 milion hetime policore dhe ka kontribuar në gjetjen e më shumë se 10 mijë personave të zhdukur.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Garrett Langley, beson se sistemi Flock ka qenë një faktor i rëndësishëm në uljen e kriminalitetit në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit.
“Sa herë që takoj klientët tanë nëpër vend, dëgjoj histori të shumta suksesi. Shumë prej këtyre rasteve do të kishin mbetur të pazbardhura pa Flock. Vazhdimisht dëgjoj të njëjtën gjë: ‘Kriminaliteti po bie falë Flock. Po zbardhim krime falë Flock’,” tha ai për CNN.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se teknologjia nuk është një zgjidhje e mjaftueshme në vetvete.
Thaddeus Johnson, ish-zyrtar i zbatimit të ligjit dhe aktualisht studiues pranë organizatës Council on Criminal Justice, tha për CNN se kamerat ALPR janë shumë të dobishme për të krijuar pista hetimore, por nuk mund të zëvendësojnë punën tradicionale të hetuesve.
“Rezultatet varen nga cilësia e hetuesve, nga politikat që zbatohen, nga mekanizmat e kontrollit, nga cilësia e kamerave dhe mënyra se si mirëmbahen ato. Kjo teknologji mund të përmirësojë disa hetime, por instalimi i kamerave nuk do të thotë automatikisht se një komunitet bëhet më i sigurt,” u shpreh Johnson.
Kritikët i cilësojnë kamerat për leximin e targave si “shqetësuese”
Megjithatë, përhapja e kësaj teknologjie ka hasur edhe në kundërshtime gjithnjë e më të forta nga mbrojtësit e privatësisë, të cilët paralajmërojnë se po krijohet një rrjet kamerash që monitoron lëvizjet e pothuajse çdo automjeti.
Në disa raste, kundërshtarët kanë kaluar edhe në veprime konkrete, duke dëmtuar fizikisht kamerat e Flock për t’i nxjerrë jashtë funksionit.
Chad Marlow, këshilltar i lartë për politikat në Unionin Amerikan pёr Liritё Civile (American Civil Liberties Union – ACLU), e cilësoi teknologjinë si “shqetësuese” dhe tha se kundërshtimi ndaj saj po vjen nga pothuajse i gjithë spektri politik.
“Të gjithë dalin në të njëjtin përfundim: situata ka dalë jashtë kontrollit dhe duhet të vendosen kufij,” tha ai.
Sipas ACLU-së, shqetësimet kryesore lidhen me mungesën e mekanizmave të mjaftueshëm mbrojtës.
Së pari, sistemi mund të përdoret për të gjurmuar çdo automjet që ka kaluar pranë një kamere, pa qenë e nevojshme që çështja të lidhet me krime të rënda apo me persona të zhdukur dhe pa kërkuar autorizim gjykate.
Së dyti, ndarja e të dhënave mes departamenteve lokale të policisë ose me Departamentin amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS) mund të çojë në krijimin e një sistemi kombëtar mbikëqyrjeje që ndjek lëvizjet e automjeteve në të gjithë vendin.
Një tjetër shqetësim lidhet me ruajtjen e të dhënave. Informacioni i mbledhur nga kamerat Flock ruhet, si rregull, për 30 ditë përpara se të fshihet.
Sipas Marlow, kjo periudhë është mjaftueshëm e gjatë për të krijuar një profil të detajuar të jetës së një personi.
“Sa më gjatë të ruhen të dhënat, aq më problematike bëhet situata, sepse ato zbulojnë modelet e jetës së një individi. Mund të kuptosh se cilët mjekë viziton, në cilat institucione fetare shkon, në çfarë takimesh politike merr pjesë, madje edhe se ku fle natën, vetëm duke analizuar lëvizjet e tij,” tha ai.
Kritikët thonë se rastet e zbuluara në Milwaukee tregojnë pikërisht se çfarë mund të ndodhë kur mungojnë këto garanci ligjore.
Edhe pse policëve u kërkohej të jepnin një arsye të shkurtër për çdo kërkim në sistem, në praktikë këto justifikime ishin shumë të përgjithshme. Në rastin e oficerit Josue Ayala, arsyeja e shënuar ishte thjesht “hetim”, ndërsa detektivi Tehrangi Chapman përdori justifikime si “trajnim” dhe “test”, sipas dokumenteve të prokurorisë.
Michael Soyfer, avokat në organizatën Institute for Justice, e cila ka ngritur padi kundër Flock duke argumentuar se sistemi cenon Amendamentin e Katërt të Kushtetutës amerikane mbi mbrojtjen nga kontrollet e paarsyeshme, thotë se problemi themelor është se policia mund të hyjë në bazën e të dhënave pa një urdhër gjykate dhe pa një arsye të qartë.
“Si pasojë e mungesës së këtyre kufizimeve, disa punonjës policie i përdorin të dhënat për arsye personale ose për motive të papërshtatshme. Në praktikë, çdo oficer vendos vetë kur do të hyjë në sistem dhe çfarë do të kërkojë. Rastet që kemi zbuluar deri tani janë vetëm maja e ajsbergut,” u shpreh Soyfer.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Flock Safety, Garrett Langley, tha se komunitetet lokale kanë të drejtë të vendosin vetë kufijtë e përdorimit të teknologjisë.
“Ne duam t’i ndërtojmë këto mekanizma mbrojtës brenda sistemit tonë, në mënyrë që çdo qytet, qark apo shtet ta përdorë teknologjinë duke garantuar njëkohësisht sigurinë dhe privatësinë,” tha ai për CNN. “Siguria dhe privatësia mund të bashkëjetojnë. Le t’i kemi të dyja. Le t’u japim komuniteteve mjetet dhe garancitë për të zgjedhur njëkohësisht sigurinë dhe mbrojtjen e privatësisë.“
Ayala kërkon falje para gjykatës
Pas arrestimit të Josue Ayalës në Milwaukee në fillim të këtij viti, shefi i Policisë, Jeffrey Norman, deklaroi se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer” kur mësoi për incidentin dhe njoftoi vendosjen e procedurave të reja të auditimit.
Sipas një deklarate të policisë, departamenti tashmë u kërkon efektivëve të japin numrin e çështjes dhe një shpjegim për çdo kërkim të kryer në sistemin Flock, ndërsa ka nisur edhe një proces auditimi mujor.
Ndërkohë, Chapman, detektivi i çështjeve të brendshme, u paraqit për herë të parë para gjykatës të premten, i akuzuar për shpërdorim detyre si dhe për përdorim të paligjshëm të një pajisjeje GPS, (kundërvajtje penale). Avokati i tij nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Gjatë seancës së dënimit të zhvilluar të mërkurën, Ayala kërkoi falje për atë që e quajti “gjykim të gabuar”, i cili, sipas tij, errësoi 11 vitet e shërbimit në polici.
Avokatët e mbrojtjes dhe prokuroria kishin rënë dakord për një marrëveshje pranimi faji, e cila parashikonte vetëm një gjobë, pa lirim me kusht dhe pa dënim me burg.
Megjithatë, gjyqtarja e Qarkut Milwaukee, Kristela Cervera, e dënoi Ayalën me një vit liri me kusht, duke argumentuar se veprimet e tij kishin shkaktuar dëme jo vetëm ndaj viktimave, por edhe ndaj komunitetit.
“Kjo është pjesë e dëmit që kanë shkaktuar veprimet e zotit Ayala,” tha gjyqtarja. “Humbja e besimit te sistemi, te sistemi Flock, për të cilin publiku kishte tashmë hezitime, mund të ndikojë në mënyrën se si do të zhvillohet puna policore në Qarkun Milwaukee edhe në të ardhmen.”
Burimi: CNN, Eric Levenson, pёrshtatur nё shqip nga kontrasT.al





