Papa Leo XIV ka nderuar të krishterët që kanë humbur jetën për besimin, drejtësinë, të vërtetën, paqen dhe lirinë, duke i cilësuar ata “yje që ndriçojnë në errësirën e egoizmit dhe shtypjes” dhe dëshmi të fuqisë së besimit në një epokë të karakterizuar nga konfliktet dhe dhuna.
Duke folur në Vatikan përpara pjesëmarrësve të konferencës “Shekulli XXI: Një epokë e re martirësh?”, Papa tha se dëshmitarët e rinj të besimit ndihmojnë Kishën “të pasqyrojë më plotësisht dritën e Krishtit” dhe t’i tregojë njerëzimit rrugën drejt asaj që ai e quajti “qytetërimi i dashurisë”.
Konferenca, e organizuar nga Dikasteri për Çështjet e Shenjtorëve dhe Komisioni për Martirët e Rinj – Dëshmitarët e Besimit, u përqendrua te martirizimi bashkëkohor dhe format e ndryshme të persekutimit me të cilat përballen të krishterët në vende të ndryshme të botës.
Komisioni ishte krijuar nga Papa Françesku në vitin 2023 me detyrën për të mbledhur dëshmi për njerëzit që kanë humbur jetën për Krishtin, pavarësisht nëse për ta është hapur ose jo një proces zyrtar kanonik për shpalljen të lumë apo shenjtor.
“Janë vëllezër dhe motra që, në kontekste të ndryshme gjeografike, historike dhe politike, kanë dhënë jetën për Ungjillin”, tha Papa Leo XIV.
Ai tërhoqi veçanërisht vëmendjen te kontrasti mes zhvillimit të jashtëzakonshëm të fuqisë ushtarake dhe sakrificës së njerëzve që zgjedhin të mbeten besnikë ndaj bindjeve të tyre.
Sipas tij, koha e sotme, e dominuar nga “kultura e pushtetit, forca e pakufizuar dhe zhvillimi i pandërprerë i sistemeve të armëve”, është njëkohësisht edhe koha e heroizmit të atyre që Kisha i quan “dëshmitarë të rinj të besimit”.
Papa vuri në dukje se disa prej tyre janë vrarë nga abuzimi me pushtetin ose nga organizata kriminale, pikërisht sepse si të krishterë kanë kundërshtuar padrejtësitë në emër të Ungjillit. Për këtë arsye, koncepti i “dëshmitarit të besimit” është më i gjerë se kuptimi tradicional i martirit dhe përfshin edhe raste kur motivi i autorëve të vrasjes nuk mund të përcaktohet qartësisht si “urrejtje ndaj besimit”.
Në këto raste, puna e Komisionit është kryesisht historike dhe edukative, jo juridike, dhe vëmendja përqendrohet te qëndrimi i viktimës: nëse ajo i qëndroi besnike Krishtit dhe angazhimit të saj deri në vdekje.
Papa Leo XIV theksoi se këta njerëz nuk përfaqësojnë një ideologji dhe as kërkojnë përplasje.
“Mënyra e krishterë e jetës nuk kërkon kurrë konfrontimin, por e çarmatos atë përmes fuqisë së butësisë”, tha ai, duke shtuar se besueshmëria e këtyre dëshmitarëve buron nga përputhja mes fjalëve dhe veprave, në disa raste deri në sakrificën përfundimtare.
Në përfundim, Papa tha se duke dhënë jetën për drejtësinë, të vërtetën, paqen dhe lirinë, dëshmitarët e besimit kanë dhënë një kontribut që shkon përtej vetë Kishës dhe i shërben njerëzimit.
Burimi: Vatican News





