Pekini ndihmoi në “zbutjen e goditjes” nga ndërprerja e furnizimit me naftë në Lindjen e Mesme
Rezervat e jashtëzakonshme të naftës të Kinës dhe diversifikimi i burimeve të saj energjetike kanë ndihmuar në zbutjen e ndikimit të luftës me Iranin mbi ekonominë globale, deklarojnë ekonomistët e Bankës Qendrore Evropiane (BQE).
Në një shkrim të publikuar të hënën në blogun e saj, analistët e BQE-së theksuan se “grumbullimi i konsiderueshëm i rezervave” të naftës bruto nga Pekini, kalimi gjithnjë e më i madh drejt automjeteve elektrike dhe ulja e konsumit të produkteve petrokimike kanë kontribuar në rritjen “relativisht të moderuar” të çmimeve të naftës dhe gazit që prej sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit.
Inventarët e naftës bruto të ekonomisë së dytë më të madhe në botë janë rritur nga një nivel ekuivalent me 92 ditë importe në vitin 2023, në 115 ditë në fillim të këtij viti, vëren raporti. Sipas tij, kjo “ka ndihmuar në zbutjen e ndikimit të humbjeve të furnizimit”, të cilat janë shumë më të mëdha se tkurrja e prodhimit energjetik që pasoi pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Lufta me Iranin ka hequr nga furnizimi global me naftë rreth 14 milionë fuçi në ditë – ekuivalente me 14% të prodhimit botëror. Në krahasim, pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, humbja ishte vetëm rreth 1 milion fuçi në ditë, ose 1% e furnizimit global, thekson raporti.
Pavarësisht këtij ndryshimi të jashtëzakonshëm, të dyja konfliktet kanë shkaktuar rritje të ngjashme të çmimeve të energjisë. Në fillim të qershorit, çmimi i naftës ishte rritur me 29% krahasuar me nivelet para luftës, ndërsa pas pushtimit rus të Ukrainës rritja maksimale kishte arritur në 30%.
Rritja e prodhimit amerikan të naftës nga argjila, çlirimi i rezervave strategjike të naftës nga vendet perëndimore, si dhe pritshmëritë e investitorëve për një “zgjidhje të shpejtë” të konfliktit, kanë ndihmuar gjithashtu në frenimin e çmimeve të energjisë, shtojnë analistët e BQE-së.
Raporti, i cili është mbështetur edhe nga analizat e shumë ekspertëve të tjerë, publikohet në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket se po zbuten, pasi të dyja palët kanë pezulluar goditjet reciproke pas shembjes së armëpushimit të tyre në fillim të këtij muaji.
Të hënën pasdite, nafta Brent, standardi ndërkombëtar i referencës për çmimin e naftës, tregtohej rreth 90 dollarë për fuçi, pasi javën e kaluar kishte kaluar nivelin e 100 dollarëve për fuçi.
Ndërkohë, yield-i i obligacioneve gjermane 10-vjeçare (Bund), që shërben si pikë referimi për zonën euro, ra në 3,13%, pasi javën e kaluar kishte arritur nivelin më të lartë në 15 vjet, prej 3,21%.
Lufta ka shkatërruar pjesë të infrastrukturës energjetike të Lindjes së Mesme dhe ka bërë që Teherani të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, një korridor ujor kritik për tregtinë globale, përmes të cilit, përpara luftës, kalonte rreth një e pesta e furnizimit botëror me energji.
Duke vënë në dukje se “një rihapje e qëndrueshme e Ngushticës mund të ushtrojë presion të konsiderueshëm në rënie mbi çmimet e energjisë”, analistët e BQE-së paralajmërojnë se “kushtet në Ngushticën e Hormuzit – dhe, si rrjedhojë, në tregjet globale të energjisë – mbeten jashtëzakonisht të paqëndrueshme”.
“Një mbyllje e zgjatur do të konsumonte gradualisht rezervat ekzistuese mbrojtëse dhe inventarët globalë, ndërkohë që do t’i detyronte tregjet të braktisnin pritshmëritë për një zgjidhje të shpejtë. Kjo do të rriste rrezikun e rikthimit të presioneve rritëse mbi çmimet”, thekson raporti.
Burimi: Euractiv





