Duket se jugu bregdetar i Shqipërisë është infektuar me virusin e “përleshjes” këtë verë.
Arena e Sarandës mban vendin e parë për dyluftimet shtet-privat, por këtë të enjte Vunoi ka prodhuar episodin e vet. Dhe jo dosido: në njërën anë kryeministri Edi Rama me familjen, eskortën dhe policinë përreth; në tjetrën Arjan Konomi, me telefonin në dorë dhe një qese me fiq.
Kryeministri Edi Rama ka mëse dy javë që vërtitet në zonën e Himarës, duke shëtitur nga Dhërmiu, Kuçi e këto dy ditë në Vuno. Aty i shfaqet bashkëfshatari, opozitari i tij i paepur, Arjan Konomi.
Konomi ka publikuar në Instagram një video ku rrëfen se si një histori që nisi me disa makina të gjobitura në Vuno përfundoi me të në Komisariatin e Himarës.
Sipas tij, policia kishte gjobitur makinat e banorëve dhe turistëve të parkuara në zonë. Konomi nisi të filmonte dhe t’u kërkonte policëve shpjegime se përse zbatohej ndalimi për të gjithë, ndërsa makinat e kryeministrit dhe eskortës së tij qëndronin aty pa të njëjtin trajtim.
Dhe pak më tej, në një kafene në qendër të Vunoit, ishte vetë Edi Rama me familjen.
Konomi iu afrua. Rama, sipas rrëfimit të tij, fillimisht e ftoi të ulej. Por “mikpritja” zgjati pak, sepse në skenë hyri Linda Rama dhe aty fiqtë u bënë pjesë e diplomacisë së Vunoit.
Konomi tregon se zonja Rama iu drejtua ashpër duke i kërkuar të largohej, ndërsa ai, që rastësisht mbante një qese me fiq, i ofroi prej tyre. Përgjigjen që pretendon se mori nga Linda Rama e tregon vetë në video: “E di ku t’i fus ato fiq?”
Konomi e merr me humor dhe thotë se mirë që kishte me vete fiq të pjekur e të butë, sepse imagjinoni sikur të kishte pasur dardha.
Por humori, sipas tij, mbaroi aty.
Ai pretendon se Edi Rama u është drejtuar policëve me fjalët “Maskara… merreni”, ndërsa më pas është shoqëruar në Komisariatin e Himarës.
Konomi shkon edhe më tej: thotë se Rama me rojet e tij i morën telefonin dhe i fshiu videot që kishte regjistruar.
Në statusin që shoqëron videon, ai këmbëngul se nuk ka kërcënuar dhe nuk ka ofenduar familjen e kryeministrit, por vetëm ka kërkuar të dijë përse policia gjobiste makinat e fshatit dhe turistëve, ndërsa nuk vepronte njësoj me ato të kryeministrit dhe eskortës.
Për pretendimin më serioz të gjithë historisë — shoqërimin në komisariat me forcat Shqiponja dhe fshirjen e videove nga telefoni — duhet edhe versioni i Policisë së Shtetit.
Por Vunoi e dha skenën e vet të verës: Konomi me fiq, Rama me eskortë, Linda me përgjigjen e saj dhe policia që, sipas rrëfimit të Konomit, e mbylli mbrëmjen në komisariat.
Në jug këtë verë duket se nuk mjafton të gjesh parkim. Duhet të dish edhe pranë makinës së kujt ke parkuar.







