Një ditë pas një përplasjeje me armë zjarri mes dy biznesmenëve në Vlorë — episod që përfshiu të shtëna, një automjet të djegur dhe të plagosur — kryeministri Edi Rama doli me një video-mesazh solemn: prona e konfliktit do të shpronësohet “për interes publik” dhe do të kthehet në një “oaz ullishtash”, simbol “bashkimi e paqeje”.
Por historia mes Vasil Bedinajt dhe Luan Muçës nuk është një “konflikt banal”, siç e quajti kryeministri. Është përplasje armësh mes dy aktorësh me lidhje të gjata me pushtetin, për një pronë bregdetare me vlerë qindra milionë eurosh, të shitur — sipas hetimeve gazetareske — më shumë se një herë, në një zonë ku vetë shteti ka lëshuar leje ndërtimi mbi hartë pronësore të mbivendosur.
Kur historia të kujton Salomonin, problemi është se këtu s’ka “nënë të vërtetë”: ka dy palë me peshë politike e ekonomike, dhe një shtet që, në vend të drejtësisë, zgjedh shpronësimin — pra t’ia marrë tokën të dyve njëherësh dhe ta bëjë “publike”. Në letër duket barazi. Në praktikë, ngre pyetjen e vetme që i intereson qytetarit: kush do të kompensohet, sa, dhe a do të shndërrohet kompensimi shtetëror në zgjidhjen private të një konflikti që filloi me plumba?
Kjo është pyetje legjitime për shtypin dhe institucionet qё duhet ta ndjekin — jo akuzë e vërtetuar, por rrezik real kudo ku shpronësimi bëhet mjet për të “fshirë” një skandal në vend që ta hetojë deri në fund.
Ajo që bie në sy më shumë se vetë vendimi, është shpejtësia dhe gjuha e tij. Brenda më pak se 24 orësh nga një ngjarje me armё, skena tё fortёsh si tё dala nga filmat turq e arrestime, kryeministri gjeti kohë për një mesazh video të stilizuar, plot metafora për “pemën e bekuar” dhe “ambasadorët e turizmit” — por asnjë fjalë për hetimin penal, për armët e përdorura, apo për pyetjen se si u lejua fare të ndërtohej mbi një pronë me tituj konfliktualë.
E vërteta e pacensuruar është kjo: dy biznesmenë u rrahën me armë për një copë tokë. Përgjigja e shtetit nuk qe drejtësi e shpejtë ndaj dhunës, por një gjest simbolik për tokën. Nëse “paqja nën hijen e ullirit” do të thotë vetëm se toka ndërron pronar zyrtar ndërsa përgjegjësitë mbeten të paqarta, atëherë s’kemi zgjidhje — kemi vetëm një fasadë të re mbi një histori të vjetër shqiptare: kush ka lidhjet e duhura, del gjithmonë “fitues”, edhe kur del prej saj me plagë.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





