Google ka zgjedhur Finlandën për investimin e tij më të madh të vetëm deri më sot në Bashkimin Evropian, duke njoftuar një plan prej 13 miliardë eurosh për zgjerimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale, të shoqëruar me një marrëveshje të pazakontë energjetike: kompania do të blejë gjysmën e energjisë së prodhuar nga një prej centraleve bërthamore të vendit për 22 vitet e ardhshme.
Investimi, i parashikuar të realizohet gjatë viteve 2027 dhe 2028, do të përfshijë qendra të reja të të dhënave, përmirësimin e rrjetit elektrik, si dhe projekte për energjinë e pastër dhe bateritë që do të mbështesin shërbimet e Google, nga inteligjenca artificiale dhe motori i kërkimit deri te hartat.
Google pretendon se projekti mund t’i shtojë ekonomisë finlandeze rreth 3.6 miliardë euro dhe të krijojë 37 mijë vende pune, prej të cilave rreth 7 mijë të përhershme. Kryeministri finlandez Petteri Orpo e ka cilësuar investimin “historik”, duke thënë se ai mund ta vendosë Finlandën në pararojë të digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale.
Zgjedhja e Finlandës nuk është rastësi. Temperaturat e ulëta ulin ndjeshëm nevojën për energji për ftohjen e serverëve, ndërsa vendi ka një furnizim të rëndësishëm me energji bërthamore, të erës dhe hidroenergji. Google është i pranishëm atje që prej vitit 2009, kur transformoi një ish-fabrikë letre në Hamina në një qendër të dhënash. Tashmë kompania do ta zgjerojë ndjeshëm kompleksin në Hamina dhe do të hapë operacione të reja në Kajaani, Muhos dhe Vaala.
Por pjesa më e veçantë e marrëveshjes lidhet me energjinë. Google ka rënë dakord të blejë 50% të prodhimit të centralit bërthamor Loviisa për 22 vjet, në bashkëpunim me kompaninë finlandeze Fortum. Është marrëveshja e parë e Google për energjinë bërthamore jashtë Shteteve të Bashkuara.
Sipas Fortum, kontrata do të ndihmojë që centrali Loviisa, i cili aktualisht siguron rreth 10% të energjisë elektrike të Finlandës, të vazhdojë funksionimin deri në përfundimin e licencave të tij në vitin 2050. Pa këtë marrëveshje, kompania thotë se vazhdimi i operimit të centralit pas vitit 2030 nuk do të kishte qenë i mundur.
Megjithatë, bumi i qendrave të të dhënave ka edhe një kosto. Operatori finlandez i rrjetit Fingrid parashikon se konsumi i energjisë mund të rritet me 40% në vitet e ardhshme, ndërsa autoritetet e sigurisë kanë ngritur një tjetër shqetësim: kontrollin e infrastrukturës së ndjeshme nga kompani të huaja.
Shërbimi Finlandez i Sigurisë dhe Inteligjencës, SUPO, ka paralajmëruar se bashkitë nuk duhet të joshen vetëm nga përfitimet ekonomike dhe të anashkalojnë rreziqet e sigurisë. Shqetësimi është veçanërisht i madh kur pronarët e qendrave të të dhënave mund të kenë lidhje me shtete autoritare si Rusia apo Kina, të cilat mund të përpiqen të përdorin Finlandën për të anashkaluar kufizimet dhe sanksionet teknologjike.
Për qeverinë e Helsinkit, megjithatë, investimi vjen në një moment kur vendi po përballet me papunësi rekord dhe rritje të dobët ekonomike. Finlanda po kërkon ta kthejë klimën e saj të ftohtë dhe sistemin energjetik në një avantazh të ri ekonomik, ndërsa gara globale për inteligjencën artificiale kërkon gjithnjë e më shumë qendra të dhënash – dhe gjithnjë e më shumë energji.






