Tre kontabilistë janë akuzuar në Australi se kanë ndihmuar një rrjet të krimit të organizuar të siguronte dhjetëra milionë dollarë kredi përmes dokumenteve dhe aplikimeve të falsifikuara. Me akuzat e reja, numri i personave të proceduar në kuadër të hetimit ka arritur në 33.
Sipas Policisë së Uellsit të Ri Jugor, skema nisi me përdorimin e identiteteve të vjedhura për financimin e makinave luksoze që në të vërtetë nuk ekzistonin, të ashtuquajturat “makina fantazmë”. Më pas, aktiviteti dyshohet se u zgjerua në mashtrime shumë më të mëdha me kredi personale, kredi biznesi dhe kredi për banesa, duke goditur disa institucione financiare.
Hetuesit dyshojnë se kontabilistët përdorën pozicionet e tyre profesionale për të përgatitur, lehtësuar apo miratuar aplikime të rreme.
Një 46-vjeçar, drejtues i një firme kontabiliteti, është akuzuar në lidhje me dokumente të falsifikuara për kredi me vlerë 16.2 milionë dollarë. Dy kontabilistë të tjerë, 34 dhe 28 vjeç, përballen me akuza që lidhen respektivisht me kredi prej 15.6 milionë dhe 14.5 milionë dollarësh.
Hetimi ka nisur në vitin 2024 dhe po zhvillohet në bashkëpunim mes policisë, Komisionit të Krimit të Uellsit të Ri Jugor, autoriteteve tatimore dhe rregullatorëve financiarë.
Rasti po nxjerr në pah një skemë që, sipas hetuesve, nuk mbështetej vetëm te vjedhja e identitetit, por edhe te shfrytëzimi i profesionistëve të sistemit financiar për t’u dhënë pamje legjitime aplikimeve të rreme për kredi.
Burimi: OCCRP






