Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania po hedhin hapa të rinj drejt një modeli të ri të bashkëpunimit brenda NATO-s, ku vendet europiane pritet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale të kontinentit dhe të reduktojnë varësinë nga mbështetja ushtarake amerikane.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius u takuan të martën në Uashington, ku në qendër të bisedimeve ishte koncepti i quajtur “NATO 3.0”, rritja e shpenzimeve europiane për mbrojtjen dhe forcimi i industrive ushtarake të dy vendeve.
“Jemi këtu për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit tonë në industrinë e mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë”, deklaroi Hegseth në Pentagon.
“NATO 3.0” është përdorur nga kreu i Pentagonit për të përshkruar një fazë të re të Aleancës: rritje të kapaciteteve ushtarake, prodhim më të madh të armatimeve dhe transferim gradual të një pjese më të madhe të barrës së mbrojtjes së Europës tek vetë aleatët europianë.
Në qershor, Hegseth njoftoi edhe një rishikim gjashtëmujor të dislokimit të trupave amerikane në Europë, ndërsa u kërkoi vendeve të NATO-s të rrisin investimet dhe të reduktojnë varësinë nga SHBA.Sipas tij, Gjermania po afrohet drejt përmbushjes së angazhimit për shpenzimet e mbrojtjes të vendosur në Samitin e Hagës vitin e kaluar.
Por Berlini po sinjalizon se ndryshimi nuk do të kufizohet vetëm te paratë.
“Ne europianët duam të marrim një pjesë të barrës nga Shtetet e Bashkuara dhe të marrim përgjegjësinë kryesore për frenimin konvencional në Europë”, deklaroi Pistorius, duke theksuar se Gjermania po rrit kapacitetet e saj ushtarake dhe synon të luajë një rol udhëheqës në këtë proces.
Takimi prodhoi edhe një marrëveshje konkrete. Dy ministrat nënshkruan një dokument për të afruar strategjinë amerikane të prokurimeve të mbrojtjes me ligjin gjerman për përshpejtimin e prokurimeve.
Sipas Pentagonit, kjo mund të hapë më shumë mundësi për zhvillimin dhe prodhimin e përbashkët të pajisjeve ushtarake, prodhimin me licencë, mirëmbajtjen dhe mbështetjen teknike.
Bisedimet në Uashington tregojnë kështu drejtimin që po merr debati për të ardhmen e NATO-s: SHBA kërkon një Europë që shpenzon dhe prodhon më shumë për mbrojtjen e saj, ndërsa Gjermania deklaron se është e gatshme të marrë një pjesë më të madhe të përgjegjësisë.




