Sot, në Fletoren Zyrtare nr. 238, u botua një dokument që qeveria do të kishte dashur me siguri ta ruante thellë në sirtar. Me Urdhrin nr. 214, të datës 22 tetor 2026, ministri i Brendshëm Ervin Demo miratoi “Profilin Vjetor Kombëtar të Migracionit për vitin 2025” dhe e shpall “pjesë përbërëse” të urdhrit të tij. Janë rreth 60 faqe me grafikë të bukur dhe ikona të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, pa ia njohur bashkautorësinë. Ndoshta në ministri askush nuk e mendoi se ndonjë “alien” do ta lexonte deri në fund.
Dy numra në të njëjtën faqe
Mjafton të shihet faqja e dytë: Krah për krah, raporti vendos dy shifra për popullsinë e vendit. Regjistri i Gjendjes Civile numëron 4,560,266 banorë. INSTAT, më 1 janar 2025, numëron 2,363,314. Mes tyre mbeten 2.2 milionë shqiptarë që jetën e tyre e kanë ndërtuar jashtë Shqipërisë. Qeveria nuk e pranon me zë të lartë, por raporti i saj e vizaton me ikona.
Diaspora 49%
Në kapitullin 2.7, raporti shkruan se sipas Censit 2023 të INSTAT, 49% e shtetasve shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Në të njëjtën fjali, menjëherë pas, shton se sipas Bankës Botërore jashtë jetojnë “mbi 1.2 milionë”, gjë që sipas tij përbën “rreth 44% të popullsisë rezidente”.

Lexuesit i lihen dy shifra që ta zgjedhë vetë më të voglën, por llogaria përsëri nuk del: 1.2 milionë pjesëtuar me 2.36 milionë banorë rezidentë jep 51%, pra më shumë se vetë raportimi nga INSTAT.
Nga ana tjetër, edhe vetë shifra që u zgjodh për të “zbutur” tronditjen, po të llogaritet saktë, në të vërtetë e thellon atë. Shënimi në fund të faqes, që duhet të të fuste tek Censi i INSTAT, të çon te një artikull i një instituti amerikan.
Pak faqe më poshtë, në kapitullin 3.4, raporti e pranon pa mëdyshje shifrën 49%: Diaspora e krijuar pas viteve ‘90 është 2,256,346 vetë.
Si u “zhduk” gjysma e diasporës?
Kur vjen puna te përfundimet, faqja që politikanët citojnë, tregon se 2.26 milionë shqiptarë humbasin pa lënë gjurmë. Në vend të tyre del shifra e konsullatave: 1,134,941 emigrantë, me “një ulje prej 52,154 personash ose 4.4%”. Është mbi këtë bazë që raporti shpall se emigracioni “po shfaq shenja ngadalësimi”.
Sipas tabelave të vetë raportit, në SHBA shqiptarët u pakësuan me 106,872 brenda një viti, pra, pothuajse gjysma e komunitetit.
Në Mbretërinë e Bashkuar u pakësuan me 29,200, ndërsa në Greqi u shtuan me 86,001.
Por askush nuk mund të besojë (përveç Diellës) se 100 mijë shqiptarë u kthyen nga Amerika në 12 muaj. Këto janë thjesht pastrime regjistrash, dhe raporti e “gjysmë-pranon” tek “përditësimet e regjistrave administrativë”.
Nuk po ikin më vetëm burrat. Po ikin familjet
Një të vërtetë raporti nuk e fsheh dot.
Vetëm në periudhën 2020-2024, shtetet e BE-së u dhanë shqiptarëve rreth 338 mijë leje të para qëndrimi, nga të cilat 79 mijë vetëm në vitin 2024. Arsyeja kryesore është bashkimi familjar, me 47.6%, ndërsa punësimi zë 29.1%.
Në fund të 2024-ës, në BE jetonin me leje të vlefshme 839,894 shqiptarë.
Diaspora përbëhet në 77% të saj nga njerëz në moshë pune, ndërsa 18% janë fëmijë. Vetë raporti e quan këtë “vendosje afatgjatë”. Kur ikën babai, ai mund të kthehet. Kur ikin edhe fëmijët me gjithë çantat e shkollës, është e qartë se nuk kthehet më askush.
Kthimi që qeveria e feston
Në vitin 2025, 7,578 shqiptarë u riatdhesuan, 95% e tyre burra. Sa prej tyre u regjistruan në portalin e riintegrimit? Gjithsej 390. Punë gjetën 111. Raporti e quan këtë “forcim të mekanizmave të riintegrimit”.
Shifrat e kthimit nuk përputhen brenda dokumentit. Te kapitulli 2.7, numri prej 108,503 të kthyerish në dhjetë vite i atribuohet Ministrisë së Brendshme, dhe për vitin 2023 raportohen 12,162 kthime.
Te “Gjetjet kryesore”, i njëjti numër i atribuohet Censit, ndërsa për vitin 2023 del një tjetër shifër, 25,595. Pra, një raport dhe dy versione.
Kësaj i shtohen edhe 3,710 shqiptarë që kërkuan azil në BE vetëm në 2025, dhe 16,210 në tre vite. Ndërkohë, rreth 14 mijë shqiptarë u kthyen mbrapsht në kufijtë e BE-së në vitin 2024.
Shqipëria renditet e dyta pas Ukrainës, që është një vend në luftë. Por raporti këtë e paraqet si sukses, sepse vetëm para dy vitesh ishin më shumë.
Egjiptianët e “boshllëkut”
Në fund të 2025-ёs, në Shqipëri jetonin 27,514 të huaj me leje qëndrimi, 25.4% më shumë se një vit më parë. Lejet unike të trajtuara nga AKPA u rritën nga 9,825 në 2023 në 18,156 në 2025, pra pothuajse u dyfishuan në dy vite.
78.9% e tyre ishin leje të marra për herë të parë. Këtu kryesojnë Filipinet, India, Egjipti dhe Turqia. Shifrat që s’mund të të lënë indiferent janë:
Lejet për egjiptianët u rritën me 180% brenda një viti, ato për indianët me 140%.
Ku punojnë këta njerëz? Në “shërbime të tjera”, me punë elementare dhe kualifikim të ulët, si dhe në hoteleri, ndërtim dhe tregti.
Punonjës me kualifikim të lartë janë vetëm 658 nga 18,156, pra 3.6%.
Raporti e shkruan hapur se ata plotësojnë “mungesën e fuqisë punëtore vendase”. E thënë thjesht: shqiptarët ikën dhe vendin e tyre po e zë fuqia punëtore e lirë e importuar.
Në shifra absolute të huajt janë ende pak, rreth 1.16% e popullsisë, por kurba ngjitet çdo vit. Për ta treguar këtë peshë sa më të vogël, raporti e pjesëton numrin e të huajve me 2,363,314, pra me popullsinë reale të “matur” nga INSTAT. Me pak fjalë, leverdia dhe qeveria e dinë fare mirë ku gjendemi…
Një raport i miratuar me shpejtësi, i shkruar me nxitim
Teksti mban gjurmët e nxitimit. Për punëmarrësit e huaj raporti shkruan se u rritën me “190.5%”, kur shifrat e tabelës, nga 8,548 në 16,280, japin 90.5%.
Kërkesat për ripranim janë 348 në tekst dhe 347 në grafik. Emrat e ministrive ndryshojnë nga një faqe në tjetrën. “Sfidat e vitit 2025” mbështeten te një raport i IOM-it i vitit 2023. Kapitulli 6.3 titullohet “kthimi i shtetasve të huaj”, por analizon kthimin e shqiptarëve. Të gjitha këto kanë kaluar nëpër një urdhër ministri dhe kanë përfunduar në Fletoren Zyrtare.
Dy mundësi, asnjëra e mirë për qeverinë
Ose ministri Demo nuk e ka lexuar fare atë që ka nënshkruar, ose kemi një ministër që miraton verbërisht dokumentet që i vënë përpara në tryezë.
Ministri Demo me këtë akt sfidon fort atë që të gjithë e shohin prej muajsh: Shqipëria po zbrazet, dhe vendet bosh po mbushen me punë të importuar lirë.
Protestuesit nuk kishin nevojë për statistika, sepse e shohin në lagjet e boshatisura dhe në klasat që mbyllen. Tani i kanë edhe statistikat, me firmë ministri dhe me logon e Fletores Zyrtare të Qeverisë.


Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





