Kur Koloseu u përurua në vitin 80 ose 81 pas Krishtit, perandori Titus organizoi një festë që zgjati të paktën 100 ditë, me gladiatorë, kafshë ekzotike, ekzekutime publike dhe rikrijime të betejave historike. Për shumë nga këto ngjarje dihet falë poetit romak Marcial dhe historianëve të lashtë.

Amfiteatri i madh, që atëherë mund të priste rreth 60–80 mijë spektatorë, ishte ndërtuar në zemër të Romës, në një pjesë të territorit ku më parë shtrihej kompleksi luksoz i perandorit Neron. Ndërtimin e nisi Vespasiani dhe e përfundoi djali i tij, Titus.
Një ditë në Koloseum ishte e organizuar pothuajse si një program i plotë argëtimi. Në mëngjes zhvilloheshin shfaqjet me kafshë, rreth mesditës ekzekutimet publike, ndërsa pasditja zakonisht rezervohej për duelet e gladiatorëve ose rikrijimin e betejave.

Vetëm gjatë festimeve të përurimit, historiani Cassius Dio përmend 9 mijë kafshë të egra dhe të zbutura. Në arenë u shfaqën elefantë, luanë, tigra, leopardë, arinj, dema, rinocerontë, bizonë dhe kafshë të tjera, të sjella nga pjesë të ndryshme të Perandorisë.

Edhe ekzekutimet ishin kthyer në spektakël. Të dënuarit mund të kryqëzoheshin, të vriteshin nga kafshët e egra ose të detyroheshin të luanin skena të mitologjisë, ku fundi i personazhit realizohej realisht në arenë.

Burimet antike flasin gjithashtu për beteja detare të inskenuara, të njohura si naumachia. Disa dëshmi sugjerojnë se edhe vetë arena e Koloseut mund të jetë mbushur me ujë për shfaqje të tilla, megjithëse vendi i saktë ku u zhvilluan të gjitha betejat detare të festimeve mbetet i debatueshëm.

Në pasdite vinte ajo që publiku priste më shumë: gladiatorët. Një nga duelet më të famshme të përurimit ishte ai mes Priscus dhe Verus. Pas një beteje të gjatë, Titus i shpalli të dy fitues dhe u dha shpatën prej druri që simbolizonte fitimin e lirisë.

Spektatorët ndërkohë hanin pulë, fruta, arra, ullinj e prodhime deti dhe pinin verë. Perandori shpërndante edhe dhurata: sipas Cassius Dio-s, Titus hidhte mes turmës toptha druri me emrin e çmimit që fituesi mund të merrte më pas, nga ushqime e veshje deri te kuaj, bagëti, ar dhe argjend.

Kështu, përurimi i Koloseut nuk ishte thjesht hapja e një monumenti. Për 100 ditë, arena që sot është një nga simbolet më të njohura të Romës u shndërrua në skenën gjigante të argëtimit të Perandorisë Romake.


Burimi: The Collector






