Marrëveshja e sigurisë në Arktik pritet të nënshkruhet javën e ardhshme në Nju Jork nga Groenlanda, Danimarka dhe SHBA.
Marrëveshja do të nënshkruhet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe duhet të kalojë procedurat parlamentare përpara se të hyjë në fuqi, thotë zyra e kryeministrit danez.
Sipas një deklarate nga Kopenhaga, të tre qeveritë pritet ta nënshkruajnë marrëveshjen në kuadër të mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Pas nënshkrimit, dokumenti do të duhet të kalojë procedurat e nevojshme parlamentare përpara se të hyjë zyrtarisht në fuqi.
Kryetari i qeverisë së Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, u shpreh: “Është inkurajuese që jemi afër përfundimit të një marrëveshjeje që mbron dhe forcon sigurinë për Groenlandën, Mbretërinë e Danimarkës, Shtetet e Bashkuara dhe aleancën perëndimore.”
Ai shtoi se marrëveshja “njeh interesat e Groenlandës dhe vendin tonë në bashkëpunimin ndërkombëtar”, duke theksuar se “kjo është në dobi të të gjithëve”.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se është e kënaqur me “perspektivën e një marrëveshjeje të mirë” për të tria palët, duke shtuar se ajo do të forcojë sigurinë e përbashkët në rajon dhe do t’i sjellë dobi si NATO-s ashtu edhe Evropës.
Sipas saj, marrëveshja “njeh gjithashtu sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë, si dhe të drejtën e popullit groenlandez për vetëvendosje”.





