Shkrimtare, gazetare dhe një nga zërat e hershëm të pluralizmit politik në Shqipëri, Musine Kokalari kaloi nga jeta letrare në burg dhe internim, duke lënë pas shënime që dëshmojnë përvojën e saj nën diktaturë.
Më 13 gusht 1983, në Rrëshen, u nda nga jeta Musine Kokalari, një prej figurave më të njohura të letërsisë dhe historisë politike shqiptare të shekullit XX. Jeta e saj u shënua nga krijimtaria letrare, angazhimi politik, arrestimi, burgimi dhe më pas internimi për dekada.
Kokalari lindi më 10 shkurt 1917 në Adana të Turqisë, në një familje me origjinë nga Gjirokastra. Pas kthimit të familjes në Shqipëri, ajo u arsimua fillimisht në Gjirokastër dhe më pas në Tiranë. Në vitin 1937 përfundoi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe vijoi studimet për letërsi në Universitetin e Romës, të cilat i përfundoi në vitin 1941.
Por Musine Kokalari nuk do të mbahej mend vetëm për veprën e saj letrare. Në vitin 1939, ajo botoi librin “Seç më thotë nënua plakë”, duke u bërë një prej emrave të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Në shkrimet e saj solli gjuhën popullore, zakonet dhe jetën e përditshme, veçanërisht botën e Gjirokastrës.
Nga letërsia në politikë
Në vitin 1943, Musine Kokalari u përfshi në themelimin e Partisë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjet e saj, doli edhe numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Angazhimi i saj politik e vendosi përballë zhvillimeve të ashpra të Shqipërisë së pasluftës.
Në nëntor 1944, vëllezërit e saj, Muntaz dhe Vesim Kokalari, u pushkatuan. Pak ditë më vonë, edhe Musineja u arrestua dhe qëndroi në burg për 17 ditë. Në janar 1946 ajo u arrestua sërish dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie.
Gjyqi i saj do të mbetej një nga episodet më të njohura të jetës së saj. Përballë akuzave dhe presionit, Kokalari nuk pranoi të tërhiqej nga qëndrimet e saj. Në kujtimet e saj ajo shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim.”
Në vend që të kërkonte falje, ajo mbajti qëndrimin e saj deri në fund të procesit. Dënimi ishte 20 vjet burgim, të cilat i vuajti në Burrel. Pas lirimit në vitin 1961, megjithatë, jeta e saj nuk u kthye në normalitet.
Pas daljes nga burgu, Kokalari u internua në Rrëshen, ku jetoi deri në fund të jetës. Aty punoi në bujqësi dhe ndërtim, ndërsa vazhdoi të jetonte nën mbikëqyrjen e autoriteteve. Arkivi i viktimave të komunizmit e dokumenton periudhën e saj të internimit nga viti 1961 deri në vitin 1983.
Mes punës së rëndë dhe izolimit, librat mbetën një prej lidhjeve të saj me jetën intelektuale. Në Rrëshen, ajo vizitonte bibliotekën e qytetit, ku gjente te librat një shoqëri që i mungonte në jetën e përditshme.
Në shënimet e saj të fundit, Kokalari rikthehet vazhdimisht te vitet e burgut dhe internimit. Ajo shkruan se kishte njohur “16 vjet burg dhe 22 vjet internim”, duke përmbledhur në pak fjalë dekada të tëra të jetës së saj të kaluar nën represion.
“Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë…”
Në vitet e fundit, Kokalari u sëmur nga kanceri. Shënimet e saj të kësaj periudhe janë ndër dëshmitë më personale të jetës së saj. Ajo shkruante për lodhjen, vetminë dhe mungesën e familjes pas dekadash burgimi e internimi.
Në një prej shënimeve të saj shkruan: “Ç’fat tragjik. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime.”
Në një tjetër pjesë, ajo kujton jetën që kishte lënë pas: burgun, internimin, punën në bujqësi e ndërtim dhe vitet e gjata pa familje. Përballë gjithë kësaj, ajo vazhdonte të mendonte edhe për atë që do të linte pas.
Nëse do të vdiste, shkruante ajo, disa prej sendeve të saj me vlerë etnografike duhej t’i kalonin Muzeut të Gjirokastrës, ndërsa kursimet dhe gjithçka tjetër të përdoreshin për një fond që do t’u shërbente punëtorëve.
Këto shënime e bëjnë historinë e Kokalarit më shumë se një biografi të një shkrimtareje të persekutuar. Ato janë edhe një dëshmi personale e mënyrës se si ajo e përjetoi burgun, internimin dhe ndryshimet e dhunshme që kaloi shoqëria shqiptare.
Pas vdekjes, figura e Musine Kokalarit filloi të rivlerësohej publikisht. Në vitin 1993, Presidenti i Republikës e nderoi pas vdekjes me medaljen “Martir i Demokracisë”.
Sot, emri i saj lidhet njëkohësisht me letërsinë shqiptare të viteve ’30, me përpjekjet për pluralizëm politik dhe me historinë e represionit komunist.
Historia e Musine Kokalarit mbetet një ndër ato histori shqiptare ku letërsia dhe politika ndërthuren me jetën personale. Nga librat e saj të parë në Gjirokastër e deri te vitet e fundit në Rrëshen, ajo la pas jo vetëm vepra letrare, por edhe shënime që dëshmojnë për një jetë të kaluar mes burgut, internimit, vetmisë dhe përpjekjes për të ruajtur dinjitetin dhe bindjet e saj.







