Tetori sjell një nga muajt më të pasur të këtij viti për kinemanë, me një përzierje filmash të mëdhenj hollivudianë, thrillerësh psikologjikë, horrorësh, dramash europiane dhe aziatike, përshtatjesh letrare, por edhe dokumentarësh që vendosin në qendër disa prej figurave më të njohura të kohës sonë.
Në ekran rikthehen emra si Tom Cruise, Anne Hathaway, Jessica Chastain, Olivia Colman, Peter Dinklage, Tom Hiddleston, Sebastian Stan dhe Penélope Cruz, ndërsa mes historive që pritet të tërheqin vëmendjen janë një miliarder që përballet me pasojat e një katastrofe klimatike, një thriller i bazuar në romanin bestseller Verity, rikthimi i Street Fighter, historia e Tenzing Norgay dhe një dokumentar për Elon Musk.
BBC Culture ka përzgjedhur 12 prej filmave që ia vlen të ndiqen gjatë tetorit.
1. Digger
Tom Cruise shfaqet në një rol ndryshe, si një miliarder i industrisë së naftës, bota e të cilit fillon të shembet pas një katastrofe të lidhur me krizën klimatike. Digger ndërthur satirën, humorin e zi dhe dramën, duke e vendosur historinë përballë çështjeve të pushtetit, pasurisë dhe përgjegjësisë për pasojat e vendimeve që merren në nivelet më të larta.
Filmi shënon gjithashtu një tjetër projekt të madh të regjisorit fitues të Oscar-it Alejandro G. Iñárritu, ndërsa prania e Cruise, John Goodman, Sandra Hüller dhe Riz Ahmed e bën atë një prej prodhimeve më të spikatura të muajit.

2. Sense and Sensibility
Më shumë se dy shekuj pas botimit të romanit të Jane Austen, historia e motrave Dashwood rikthehet përsëri në ekran. Përshtatja e re e Sense and Sensibility sjell në qendër dashurinë, martesën, statusin shoqëror dhe kufizimet me të cilat përballen gratë, duke i dhënë një interpretim të ri një prej veprave më të njohura të letërsisë angleze.
Daisy Edgar-Jones dhe Esmé Creed-Miles marrin përsipër historinë e dy motrave me karaktere dhe mënyra të ndryshme për ta përballuar dashurinë dhe zhgënjimin, ndërsa Fiona Shaw është gjithashtu pjesë e kastit.

3. Verity
Një nga romanet më të njohura të Colleen Hoover kalon në ekranin e madh. Historia ndjek një shkrimtare që punësohet për të përfunduar librat e një autoreje të famshme, e cila nuk është më në gjendje të shkruajë pas një aksidenti.
Por puna që fillimisht duket si një mundësi e jashtëzakonshme profesionale merr një drejtim shumë më të errët. Mes materialeve të autores, shkrimtarja zbulon sekrete dhe dokumente që e bëjnë të vërë në dyshim gjithçka që di për gruan, familjen dhe ngjarjet që e kanë çuar deri aty.
Me Anne Hathaway, Dakota Johnson dhe Josh Hartnett, Verity vjen si një thriller psikologjik ku kufiri mes së vërtetës, manipulimit dhe obsesionit bëhet gjithnjë e më i paqartë.

4. Other Mommy
Tetori nuk mund të kalojë pa horror dhe Other Mommy është një prej titujve që synon të sjellë pikërisht atmosferën e errët të muajit.
Jessica Chastain luan një nënë që, së bashku me vajzën e saj, përballet me një prani të frikshme dhe të pashpjegueshme, e cila duket se merr formën e vetë nënës. Historia kombinon frikën psikologjike me elementet mbinatyrore, duke luajtur me një ide veçanërisht shqetësuese: çfarë ndodh kur personi që duhet të të japë më shumë siguri bëhet burimi i frikës?

5. The Social Reckoning
Aaron Sorkin rikthehet te një botë që e ka eksploruar më parë: teknologjia, pushteti dhe ndikimi i jashtëzakonshëm i rrjeteve sociale.
The Social Reckoning lidhet me historinë e Facebook-ut dhe me zbulimet e ish-punonjëses Frances Haugen, e cila bëri publike një sërë dokumentesh të brendshme të kompanisë. Filmi trajton mënyrën se si platformat sociale ndikojnë te përdoruesit dhe debatin se deri ku shkon përgjegjësia e kompanive teknologjike për produktet dhe algoritmet që ndërtojnë.

6. Wicker
Një nga historitë më të pazakonta të muajit vjen me Wicker, një film që ndërthur romancën, fantazinë dhe humorin e errët.
Në qendër është një grua peshkatare, e cila, e lodhur nga përpjekjet për të gjetur partnerin e duhur, i drejtohet një mjeshtri të thurjes së shportave me një kërkesë të pazakontë: t’i ndërtojë burrin ideal nga degët e pemëve. Por krijesa merr jetë dhe ajo që nis si një përrallë e çuditshme romantike shndërrohet në diçka shumë më komplekse.
Kasti me Olivia Colman, Peter Dinklage dhe Alexander Skarsgård është një tjetër arsye që filmi ka tërhequr vëmendjen.

7. Fjord
Regjisori rumun Cristian Mungiu sjell një dramë që zhvendoset në një komunitet të izoluar norvegjez, ku një familje e ardhur nga jashtë përpiqet të ndërtojë një jetë të re.
Marrëdhënia me komunitetin fillon të komplikohet dhe një incident që përfshin fëmijët hap një konflikt shumë më të thellë rreth prindërimit, besimit, paragjykimeve dhe mënyrës se si njerëzit gjykojnë njëri-tjetrin.
Me Sebastian Stan dhe Renate Reinsve në role kryesore, Fjord është një nga dramat europiane që spikat në përzgjedhjen e tetorit.

8. Possible Love
Regjisori koreano-jugor Lee Chang-dong rikthehet me një histori që vendos përballë dy çifte që vijnë nga realitete të ndryshme shoqërore dhe ekonomike.
Përmes marrëdhënieve mes tyre, Possible Love eksploron dashurinë, klasën shoqërore, privilegjin dhe ndikimin që paratë dhe mundësitë ekonomike mund të kenë edhe në marrëdhëniet më intime. Në vend të një historie tradicionale romantike, filmi e përdor jetën e dy çifteve për të parë se sa shumë përcaktohen marrëdhëniet njerëzore nga pozicioni që secili zë në shoqëri.

9. Tenzing
Një nga historitë më të famshme të alpinizmit rikthehet në ekran përmes figurës së Tenzing Norgay, i cili në vitin 1953, së bashku me Edmund Hillary, u bë një nga dy njerëzit e parë që arritën majën e Everestit.
Filmi e zhvendos vëmendjen pikërisht te Tenzing, jeta dhe roli i të cilit në ekspeditën historike shpesh kanë marrë më pak hapësirë në rrëfimet popullore sesa ato të Hillary-t.
Genden Phuntsok interpreton Tenzing Norgay, ndërsa Tom Hiddleston është pjesë e kastit të filmit të drejtuar nga Jennifer Peedom.

10. Street Fighter
Një prej videolojërave më të njohura të të gjitha kohërave rikthehet në kinema. Street Fighter sjell përsëri personazhet dhe universin që ka shoqëruar disa breza lojtarësh që prej viteve 1980.
Me Noah Centineo, Andrew Koji dhe Jason Momoa në kast, filmi bëhet pjesë e valës së prodhimeve të bazuara në videolojëra, të cilat vitet e fundit kanë fituar gjithnjë e më shumë hapësirë në Hollywood.

11. La Bola Negra
Kinemaja spanjolle përfaqësohet këtë muaj nga La Bola Negra, një film që ndërthur histori të vendosura në periudha të ndryshme dhe merret me kujtesën, identitetin dhe përvojat që për një kohë të gjatë kanë mbetur jashtë rrëfimeve tradicionale.
Prania e Penélope Cruz dhe përfshirja e Pedro Almodóvar në produksion e bëjnë filmin një prej titujve europianë më interesantë të përzgjedhjes.

12. Musk
Lista mbyllet me një nga dokumentarët që pritet të ngjallë më shumë interes. Regjisori fitues i Oscar-it Alex Gibney vendos në qendër Elon Musk dhe rrugëtimin e tij nga vitet e para në Silicon Valley deri te shndërrimi në një nga njerëzit më të fuqishëm dhe më të diskutuar të botës së teknologjisë.
Dokumentari ndjek karrierën, bizneset dhe ndikimin e Musk në teknologji, industrinë automobilistike dhe hapësirë, duke ndërtuar një portret të figurës që qëndron pas kompanive dhe projekteve që kanë ndryshuar disa prej industrive më të mëdha të dekadave të fundit.
Nga satira me Tom Cruise te thrilleri me Anne Hathaway, nga rikthimi i Street Fighter te historia e pushtimit të Everestit dhe dokumentari për Elon Musk, tetori ofron një kalendar ku prodhimet e mëdha të Hollywood-it ndërthuren me kinemanë europiane, aziatike dhe dokumentarin.

Burimi: BBC Culture






