Kosova ka një presidente të re dhe, këtë herë, emri që doli nga pazaret e vështira politike nuk ishte një prej figurave që kishin dominuar prej muajsh debatin publik. Justina Shiroka-Pula, 72 vjeçe, ekonomiste, profesoreshë universitare, akademike, ish-ministre dhe ish-deputete, u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota në Kuvend.
Zgjedhja e saj erdhi në një prej netëve më të tensionuara të politikës kosovare. Emri i Shiroka-Pulës u hodh në tryezë në momentet e fundit nga kryeministri Albin Kurti dhe u pranua nga PDK-ja e Bedri Hamzës, duke krijuar votat e nevojshme për të shmangur një tjetër krizë institucionale dhe zgjedhjet e parakohshme. Përballë saj u kandidua deputetja e PDK-së Eliza Hoxha.
Votimi përfundoi në kufirin e afatit kushtetues: procesi u zgjat deri pak minuta pas mesnatës. Shiroka-Pula mori 81 vota dhe më pas dha betimin para Kuvendit.
Por kush është gruaja që, brenda pak orësh, kaloi nga Akademia e Shkencave në postin më të lartë të shtetit?
Justina Shiroka-Pula ka lindur në Prishtinë në vitin 1953. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në kryeqytetin kosovar, ndërsa në vitin 1976 u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare në teorinë dhe politikën e zhvillimit ekonomik i kreu në Zagreb, ndërsa doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Prishtinës me një punim mbi investimet demografike dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Karriera e saj nisi për pak kohë në Bankën Popullore të Kosovës, por pjesën dërrmuese të jetës profesionale Shiroka-Pula e ndërtoi në universitet. Në fund të viteve ’70 hyri në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si asistente dhe kaloi më pas në të gjitha shkallët akademike, deri në zgjedhjen profesoreshë ordinare në vitin 2004. Ka qenë drejtuese e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit dhe e Bordit Drejtues të Universitetit të Prishtinës. Ka kryer gjithashtu studime dhe trajnime jashtë Kosovës, mes të tjerash në Universitetin e Linzit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në SHBA.
Profili i saj akademik është përqendruar te zhvillimi ekonomik. Gjatë dekadave në universitet ajo ka botuar libra, punime shkencore dhe kumtesa, ndërsa energjia dhe roli i saj në zhvillimin ekonomik të Kosovës kanë qenë gjithashtu pjesë e punës së saj kërkimore.
Shiroka-Pula, megjithatë, nuk vjen në Presidencë si një figurë pa të kaluar politike.
Nga viti 2008 deri më 2011 ajo shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave, nga radhët e PDK-së. Më pas, në periudhën 2011–2014, ishte deputete e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend. Kjo pjesë e biografisë së saj është domethënëse edhe për mënyrën se si u bë e mundur zgjedhja e së martës: një ish-figurë politike e PDK-së u propozua këtë herë nga Kurti dhe mori votat që i duheshin për t’u zgjedhur presidente.
Pas largimit nga politika aktive, profili i saj u zhvendos gjithnjë e më shumë drejt botës akademike dhe institucionale. Në vitin 2016 u bë anëtare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Fillimisht shërbeu si sekretare e Seksionit të Shkencave Sociale, më pas si nënkryetare dhe, në dhjetor 2025, u zgjodh kryetare e ASHAK-ut, duke u bërë gruaja e parë që drejton Akademinë.
Kjo e bën profilin e saj disi të pazakontë për politikën e sotme kosovare. Shiroka-Pula nuk u ngjit drejt Presidencës përmes një fushate personale për këtë post dhe as nuk ishte një prej protagonisteve kryesore të përplasjes politike të muajve të fundit. Ajo u rikthye në qendër të politikës pikërisht në momentin kur palëve u duhej një emër mbi të cilin mund të krijohej shumica kushtetuese.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit, përfaqëson Republikën brenda dhe jashtë vendit dhe garanton funksionimin kushtetues të institucioneve.
Në fjalën e parë pas zgjedhjes, Shiroka-Pula e vendosi theksin pikërisht te ky rol. Ajo tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do të punojë për unitetin, drejtësinë, zhvillimin, forcimin e institucioneve dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.
Në Presidencë ajo sjell kështu një biografi që bashkon disa etapa të Kosovës së pasluftës: universitetin, ekonominë, qeverisjen, parlamentin dhe Akademinë e Shkencave. Është një figurë që e njeh politikën, por që prej më shumë se një dekade nuk ka qenë në vijën e parë të saj.
Ndoshta pikërisht kjo e bëri emrin e saj të pranueshëm në një natë kur Kosovës nuk i duhej vetëm një kandidate për presidente, por një emër që mund të merrte 81 vota.






