Një tjetër “fakt historik” është rrëzuar! Sipas një kërkimi kryer nga Muzeu Gjerman i Historisë së Mjekësisë – imazhi i frikshëm i mjekut me maskën me sqep, gjatë Murtajës së Zezë, në fakt është një mit.
Kjo nuk është hera e parë që trillimet e tilla janë ngulitur si fakte në imagjinatën publike. Njohuria jonë për të kaluarën është e mbuluar me shtresa të panumërta gjysmë të vërtetash dhe me folklor, të romantizuara përmes pikturave madhështore dhe poezisë epike.
Ndoshta më i madhi ndër të gjithë: Vikingët mbanin helmeta me brirë. Nuk ka asnjë dëshmi bashkëkohore për këtë. Ideja lindi shumë shekuj më vonë, me ciklin e operave Unaza të Richard Wagnerit, të frymëzuara nga personazhet e sagave nordike. Në vitet 1870, stilisti i kostumeve, Carl Emil Doepler – me shije për dramë të madhe – krijoi helmeta me brirë madhështorë, të denjë për një lopë malore. Kështu, në imagjinatën publike një gënjeshtër u kthye në fakt.
Një tjetër trill është se Napoleoni ishte i shkurtër. Në të vërtetë, ai ishte mbi gjatësinë mesatare dhe ndoshta më i gjatë se Nelsoni (admirali anglez Horatio Nelson). Në vitin 1815, një kapiten anglez e përshkroi atë si “një burrë jashtëzakonisht i fuqishëm, i ndërtuar mirë”. Atëherë, nga erdhi ideja për shtatin e tij të shkurtër? Nga satirat thumbuese të grafistëve londinezë si James Gillray dhe Thomas Rowlandson. Puna e tyre kishte shumë ndikim – madje ishte “çmenduri e vërtetë” kur një karikaturë e re shfaqej në dritaret e dyqaneve të Pikadilit, duke shkaktuar një histeri të ngjashme me atë tё Bitëllmanisë.
Duke u ushqyer nga ankthi i Luftërave të Napoleonit, ata krijuan një personazh të ri, fiktiv – “Boni i Vogël”, një fëmijë histerik. Aq i vogël ishte, saqë fshihej pas kapelës së tij gjigante me pupla dhe mezi qëndronte ulur në karrige me këmbët që i lëkundeshin lirshëm. Kjo fushatë propagandistike ishte aq efektive saqë, edhe sot, në imagjinatën popullore ne mendojmë për karakterin të krijuar nga James Gillray, jo për vetë njeriun (Napoleonin).
Një vit pas vdekjes së Napoleonit, në vitin 1822, Mbreti George IV bëri një vizitë në Edinburg – vizita e parë e një monarku në veri në 172 vjet. Ishte një ekstravagancë luksoze, e organizuar nga Sir Walter Scott, “një skenë që i tejkalonte të gjitha triumfet e kohëve të lashta apo moderne”.
Një moment kyç ndodhi kur Mbreti George veshi rrobat malësore – një fustanellë me kuadrate (tartan kilt), çuditërisht të shkurtër, i kombinuar me çorapet rozë për të fshehur këmbët e zbuluara. Edhe pse fustanella ishte veshur nga klanet skoceze që nga shekulli XVI, spektakli i Scottit popullarizoi një ide romantike të identitetit kombëtar skocez – ndihmuar nga letërsia e tij, me përshkrime të fustanellës, veshjeve malësore dhe peizazheve të bukura.
Shumë keqkuptime rezultojnë nga keqkuptimi i dëshmive të mbetura. Zbulimi i rrënojave greke dhe romake – ato blloqe të zhveshura prej guri – bëri që paraardhësit tanë ta perceptonin botën e shumëngjyrtë klasike si një pamje të zbehtë bardhezi. E njëjta gjë mund të thuhet për Mesjetën.
Me kalimin e shekujve, ngjyrat në arkitekturën mesjetare janë zbehur, dhe ne paramendojmë se ishin pa dekorime. Por, një kështjellë mesjetare ishte plot ngjyra, e mbuluar me modele vibrante. Interierët e tillë – të rikrijuara së fundmi në Kalanë e Norviçit – janë të ndritshme për shijen moderne, duke u përplasur me idetë tona të botëve të imagjinuara mesjetare.
Larg së qёnurit i gdhendur në gur, kuptimi ynë për të kaluarën është në ndryshim të vazhdueshëm, i ridrejtuar nga kostumet e operave apo karikaturat satirike. Por, këtu qëndron rëndësia e hetimit historik: të shthurësh dhe të qepësh sërish shumë fije të një tapicerie që ndryshon gjithnjë. Siç demonstrohet nga Muzeu Gjerman i Historisë së Mjekësisë, historia nuk është kufomë, por diçka e gjallë dhe aktive.
(Burimi: Alice Loxton / The Telegraph)






