Protesta e sotme studentore në Rrugën e Durrësit precipitoi në dhunë. 24-vjeçari Klevi Metaj u bë simboli i revoltës që shpërtheu në dyert e Ministrisë së Arsimit. Ai u kap nga kamerat dhe aparatet celularë duke luftuar me plot 6 policë.
Klevi me një trimëri për t’u pasur zili nga luftëtarët më të mëdhenj të sporteve marciale, goditi dhe kundërgoditi të gjithë policët e pajisur me maska, të cilët e rrethuan dhe qëlluan me shkopinj gome. Më pas ai u lidh dhe arrestua.
I gjithë publiku që pa skenën u impresionua duke e quajtur “luan”, “Gjergj Elez Alia”, “Skënderbe” etj. Një faqe e njohur online i thuri një këngë për këtë episod me të vërtetë mbresëlënës.
Revolta studentore mori një emër “Klevi Metaj”. Të gjithë e kërkojnë për prijës dhe jo vetëm simbol të saj.
Po a është Klevi heroi i ëndërruar?
24-vjeçari lindur në Sarandë është bir i një familjeje të njohur në Gjirokastër. Babai Arben Metaj është një oficer i njohur policie në këtë qytet, ndërsa mamaja Brikena gazetare e njohur e TV Apollonia, disa kohë edhe korrespondente lokale për Focus Media News.
Çifti Metaj kanë dy fëmijë binjakë, Klevin dhe Klelian. Klevi ka mbaruar universitetin për jurist, ndërsa Klelia për informatikë.
Familja Metaj, një familje e kompletuar e nivelit intelektual, në pamjen e fotografive duket e lumtur dhe pa asnjë problem për të “luftuar” kundër policisë. Por…
Në vitin 2025, karriera e Shefit të Kufirit të Gjelbër Kakavijë në DVKM Gjirokastër ndërpritet nga një aksident fatal. Arbeni arrestohet nga AMP pasi goditi për vdekje me makinën e tij 71 vjeçaren K.H., dhe kjo la një gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e Klevit, heroit të sotëm.

Ai dhe familja e tij nuk ishin asnjëherë dakord me padrejtësinë që iu bë babait Arben. Ai nuk kishte faj, paçka se një viktimë u përplas në automjetin e tij.
Kjo gjurmë u kthye në urrejtje për uniformat blu që “tradhtuan” karrierën e gjatë dhe të ndershme të të atit.
Sot, Klevi gjendej në mes të studentëve edhe pse vetë kishte përfunduar ciklin studentor me një diplomë.
Ai u kthye papritur në një “bishë” që nuk ndjente shkopat e gomës të “armiqve” të babait të tij. E megjithatë ai ishte në vendin e heronjve, studentëve që kërkonin të drejtat e tyre.
Klevi Metaj doli nga komisariati ku u arrestua. U dërgua në spitalin ushtarak me disa dëmtime në kokë.
Kur e pyeti deputeti Erald Kapri: A ke dëmtime Klevi? Ç’thonë doktorët? Ai u përgjigj ftohtë: Gjëra të vogla, pa problem.
Zemërimi i Klevit duket qartë që është i brendshëm. Vlon. Por a e bën ai heroin tonë?


Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





