Pesë vjet pas publikimit të “Pandora Papers”, hetimit që zbuloi se si politikanë, miliarderë dhe njerëz të fuqishëm fshihnin pasuritë përmes kompanive anonime dhe parajsave fiskale, premtimet për transparencë po zbehen. Një analizë e re e Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ) tregon se shumë prej reformave të shpallura pas skandalit janë bllokuar, dobësuar ose braktisur. Në Shtetet e Bashkuara, disa nga masat më të rëndësishme janë zhbërë, duke u krijuar sërish hapësirë strukturave që fshehin identitetin e pronarëve të vërtetë.
Në vitin 2021, publikimi i “Pandora Papers” tronditi opinionin ndërkombëtar. Dokumentet e rrjedhura zbuluan një industri globale avokatësh, kontabilistësh dhe këshilltarësh financiarë që ndihmonin njerëzit e pasur dhe të fuqishëm të krijonin kompani e struktura juridike për të mbajtur pasuritë larg vëmendjes publike dhe, në disa raste, larg autoriteteve tatimore apo kreditorëve.
Një pjesë e madhe e praktikave të zbuluara ishin të ligjshme. Pikërisht kjo ishte një nga gjetjet më shqetësuese: vetë legjislacioni i shumë vendeve lejonte krijimin e strukturave që e bënin pothuajse të pamundur identifikimin e pronarit real të një pasurie.
Nga Uashingtoni në Australi, qeveritë premtuan ndryshime. Por pesë vjet më vonë, bilanci i reformave është shumë më modest sesa pritej.
Sipas analizës së ICIJ, vetëm një pjesë e nismave u kthyen në ligje. Të tjera mbetën të bllokuara në parlamente, u miratuan në forma shumë më të dobëta ose u braktisën plotësisht.
Një nga shembujt më domethënës vjen nga Nju Jorku, ku kompanitë me përgjegjësi të kufizuar, të njohura si LLC, përdoren gjerësisht për zotërimin e pasurive të paluajtshme.
Për shumë qiramarrës, këto struktura e bëjnë të vështirë të zbulojnë se kush është pronari i vërtetë i ndërtesës ku jetojnë. Kur përballen me mungesë ngrohjeje, uji të ngrohtë apo me nevojën për riparime, ata shpesh nuk dinë kujt t’i drejtohen.
Lina Rénique-Poole, aktiviste për mbrojtjen e qiramarrësve në Brooklyn, tregon se një pjesë e madhe e ndërtesave me qira të kontrolluar në Nju Jork janë në pronësi të kompanive LLC. Kjo do të thotë se banorët shpesh nuk e njohin pronarin e tyre.
Në vitin 2023, një projektligj për transparencën e këtyre kompanive krijoi shpresën se situata do të ndryshonte. Ligji parashikonte ngritjen e një regjistri publik, të kërkueshëm në internet, ku do të shfaqeshin emrat e personave që zotëronin realisht kompanitë.
Mbështetësit e reformës argumentonin se pronësia anonime u mundësonte pronarëve të ndërtesave t’u shmangeshin përgjegjësive, kontraktorëve të mos zbatonin vendimet për pagat e papaguara dhe personave të përfshirë në pastrim parash të investonin në prona luksoze.
Por, kur ligji hyri në fuqi në janar 2026, regjistri publik ishte hequr dhe shumica e kompanive që synohej të identifikoheshin kishin mbetur jashtë fushës së tij të zbatimit.
Emily Gallagher, deputete në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut dhe një nga nismëtaret e ligjit, kishte nisur të merrej me këtë problem që në vitin 2015.
Në atë kohë, gjatë një proteste të qiramarrësve në Greenpoint, Brooklyn, ajo dëgjoi historitë e banorëve që nuk dinin kujt t’i kërkonin riparime. Disa merrnin njoftime dëbimi nga persona që nuk i njihnin, ndërsa gjurmimi i pronarit përfundonte te një kuti postare e marrë me qira.
Organizatorët zbuluan më vonë se qindra ndërtesa ishin regjistruar në të njëjtën adresë.
Gallagher e konsideronte të papranueshme që një biznes të mund të shkelte detyrimet e tij, ndërsa personat përgjegjës të mbeteshin të fshehur pas strukturave juridike.
Pas zgjedhjes në Asamblenë e Nju Jorkut në vitin 2020, ajo e bëri transparencën e kompanive një nga përparësitë e saj.
Në vitin 2022, së bashku me senatorin e atëhershëm Brad Hoylman-Sigal, paraqiti projektligjin për transparencën e LLC-ve. Sipas saj, publikimi i “Pandora Papers” kishte ndihmuar që kjo çështje të diskutohej hapur.
Megjithatë, gjatë negociatave për miratimin përfundimtar, zyra e guvernatores Kathy Hochul siguroi ndryshime që hoqën detyrimin për krijimin e regjistrit publik. Emrat e pronarëve do të ishin të aksesueshëm vetëm nga institucionet shtetërore dhe organet ligjzbatuese.
Guvernatorja e përshëndeti ligjin si një instrument kundër pastrimit të parave, abuzimeve ndaj qiramarrësve dhe vjedhjes së pagave. Por për nismëtarët e tij, rezultati ishte i pamjaftueshëm: dhënia e informacionit vetëm autoriteteve nuk ishte e barabartë me transparencën publike.
Situata u përkeqësua në mars 2025, kur administrata e presidentit Donald Trump përjashtoi kompanitë amerikane nga detyrimet e raportimit sipas ligjit federal për transparencën e korporatave, Corporate Transparency Act.
Meqenëse ligji i Nju Jorkut mbështetej te përkufizimet dhe kriteret e ligjit federal, ndryshimi bëri që ai të zbatohej kryesisht vetëm për kompani të krijuara jashtë Shteteve të Bashkuara.
Gallagher u përpoq ta korrigjonte këtë boshllëk në qershor 2025, duke nxitur miratimin e një projektligji plotësues që do t’i jepte Nju Jorkut përkufizimet e veta ligjore dhe do të përfshinte sërish kompanitë e krijuara në SHBA.
Por gjashtë muaj më vonë, Hochul vuri veton, duke argumentuar se kjo do t’u vendoste bizneseve të Nju Jorkut detyrime që nuk kërkoheshin nga legjislacioni federal.
Rezultati, sipas Gallagher, ishte një ligj i zbrazur nga përmbajtja.
Për qiramarrësit, pothuajse asgjë nuk ndryshoi. Shumica e kompanive anonime që zotërojnë ndërtesat me të cilat merret organizata Los Sures janë krijuar në SHBA dhe për rrjedhojë nuk mbulohen nga ligji i ri.
Edhe kur autoritetet e dinë se kush është pronari, informacioni shpesh nuk u jepet qiramarrësve.
Por zhvillimet në Nju Jork janë vetëm një pjesë e problemit.
Në nivel federal, Corporate Transparency Act ishte konsideruar një nga arritjet më të rëndësishme në luftën kundër fshehjes së pronësisë së kompanive.
Ligji ishte miratuar në fillim të vitit 2021, pasi Kongresi rrëzoi veton e vendosur nga Donald Trump ndaj një pakete më të gjerë shpenzimesh për mbrojtjen, ku ishte përfshirë edhe kjo reformë.
Ai synonte t’i detyronte kompanitë të deklaronin pranë Departamentit amerikan të Thesarit personat që i zotëronin ose i kontrollonin realisht.
Por në mars 2025, administrata e dytë Trump përjashtoi nga raportimi më shumë se 99% të kompanive që më parë ishin të detyruara të jepnin këtë informacion.
Në gusht 2026, Departamenti i Thesarit e bëri të përhershëm këtë ndryshim dhe njoftoi se do të fshinte informacionin e mbledhur më parë për pronarët amerikanë.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e cilësoi vendimin si një fitore të arsyes së shëndoshë dhe të bizneseve të vogla amerikane.
Ndërsa organizatat që luftojnë për transparencën financiare e konsiderojnë këtë një tërheqje të rëndë.
Zorka Milin, bashkëdrejtuese e koalicionit FACT, argumenton se administrata në praktikë e ka shfuqizuar ligjin përmes ndryshimeve administrative, megjithëse, sipas saj, vetëm Kongresi ka kompetencën për të shfuqizuar ligje.
Ajo thekson se një administratë e ardhshme mund t’i rikthejë detyrimet e raportimit për kompanitë amerikane.
“Pandora Papers” kishte treguar se Shtetet e Bashkuara nuk ishin vetëm një vend që kërkonte transparencë nga të tjerët, por edhe një juridiksion që ofronte mundësi për fshehjen e pasurive.
ICIJ identifikoi 206 struktura trusti amerikane që administronin më shumë se një miliard dollarë pasuri, shumë prej tyre në Dakotën e Jugut. Gati 30 prej këtyre strukturave lidheshin me persona ose kompani të akuzuara për mashtrim, ryshfet apo shkelje të të drejtave të njeriut.
Megjithatë, ligji federal i transparencës i la kryesisht jashtë këto struktura.
Edhe përpjekja për të vendosur detyrime më të forta mbi avokatët, kontabilistët dhe profesionistët e tjerë që krijojnë kompani e truste për klientët, përmes projektligjit ENABLERS Act, dështoi në Senat në vitin 2022, pasi kishte kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve.
Përpjekjet në disa shtete amerikane nuk dhanë rezultate të rëndësishme. Në Alaska, një projektligj për identifikimin e pronarëve të trusteve nuk kaloi komisionet parlamentare. Në Wyoming, ligjvënësit shqyrtuan rregullat e fshehtësisë, por nuk ndërmorën ndryshime thelbësore.
Ndërkohë, Dakota e Jugut, një nga juridiksionet e njohura për industrinë e trusteve, rifilloi në vitin 2023 përditësimin e legjislacionit të saj, duke lehtësuar krijimin e këtyre strukturave përmes nënshkrimit elektronik të dokumenteve.
Edhe jashtë SHBA-së, rezultatet e reformave mbeten të përziera.
Në Kili, ku “Pandora Papers” përmendën ish-presidentin Sebastián Piñera, pasardhësi i tij Gabriel Boric paraqiti në vitin 2023 një projektligj për krijimin e një regjistri publik të pronarëve të kompanive. Nisma mbetet e bllokuar në Senat.
Panamaja ashpërsoi gjobat në kuadër të rregullave për regjistrimin e pronarëve, por informacioni vazhdon të jetë i aksesueshëm vetëm për autoritetet.
Zvicra, nga ana tjetër, vuri në funksion këtë muaj regjistrin e saj të parë federal të pronarëve të kompanive dhe kontrolle të reja për këshilltarët e pasurisë. Megjithatë, regjistri nuk është i hapur për publikun.
Në Bashkimin Evropian, Gjykata e Drejtësisë kufizoi në vitin 2022 aksesin publik në regjistrat e pronësisë së kompanive, duke u mbështetur në argumentin e mbrojtjes së privatësisë.
Ndërkohë, BE-ja hoqi dorë vitin e kaluar nga një nismë e premtuar për goditjen e kompanive guaskë, të cilat përdoren për të fshehur pronësinë ose për të krijuar struktura financiare pa aktivitet ekonomik real.
Australia paraqet një zhvillim më pozitiv.
Pas shumë vitesh premtimesh, Parlamenti australian miratoi në vitin 2024 rregulla më të forta kundër pastrimit të parave, të cilat hynë në fuqi në korrik 2026.
Më shumë se 80 mijë avokatë, kontabilistë, agjentë të pasurive të paluajtshme dhe biznese të tjera janë tashmë të detyruar të kontrollojnë identitetin e klientëve dhe të raportojnë transaksionet e dyshimta.
Megjithatë, edhe Australia ende nuk ka një regjistër publik të pronarëve realë të kompanive. Qeveria ka njoftuar se puna e detajuar për krijimin e tij nuk do të nisë përpara vitit 2027.
Clancy Moore, drejtues i Transparency International Australia, vlerëson se rregullat e reja rrisin mundësinë për të identifikuar fondet e dyshimta përpara se ato të fshihen në prona apo struktura të ndërlikuara korporative.
Por mungesa e një regjistri publik mbetet një pengesë e rëndësishme për verifikimin e pronësisë reale.
Sipas Erica Hanichak, bashkëdrejtuese e koalicionit FACT, më shumë se 130 vende kanë tashmë rregulla për deklarimin e pronësisë së kompanive ose janë duke i përgatitur ato.
Ajo vëren se Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se janë ekonomia më e madhe në botë, po mbeten pas në këtë drejtim.
Për Tove Maria Ryding, e cila drejton punën për drejtësinë tatimore në rrjetin evropian Eurodad, përvoja e pesë viteve pas “Pandora Papers” tregon kufizimet e reformave të pjesshme.
Sipas saj, kur mbyllen vetëm disa nga rrugët e fshehjes së pasurive, paratë thjesht zhvendosen drejt juridiksioneve ku fshehtësia vazhdon të jetë e mundur.
Pas pesë vitesh, beteja për transparencën financiare mbetet e papërfunduar. Për organizatat që kërkojnë identifikimin e pronarëve realë, përvoja ka treguar se edhe reformat e miratuara mund të dobësohen ose të zhbëhen përpara se të japin rezultatet e premtuara.
Hanichak paralajmëron se ndryshime të tilla mund të kërkojnë dekada dhe se rreziku më i madh është që njerëzit të dekurajohen nga kohëzgjatja e kësaj përpjekjeje.
Por, sipas saj, gjëja më e rëndësishme është që puna për transparencën të vazhdojë çdo ditë, me të njëjtën këmbëngulje.
Burimi: International Consortium of Investigative Journalists (ICIJ)





