Një postim në rrjetin social X, në mbështetje të Palestinës dhe organizatës së ndaluar Palestine Action, ka vënë në një situatë të vështirë këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Britanisë, Jonathan Powell. Bashkëshortja e tij, shkrimtarja dhe gazetarja Sarah Helm, mund të përballet me hetim sipas legjislacionit kundër terrorizmit, ndërsa qeverisë britanike po i kërkohet të sqarojë nëse deklaratat e saj mund të ndikojnë në pozicionin e një prej zyrtarëve më të lartë të sigurisë në vend.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell, po përballet me presion për t’u distancuar nga një koment i bashkëshortes së tij, shkrimtares së vlerësuar Sarah Helm, në mbështetje të organizatës Palestine Action.
Sipas gazetës britanike The Guardian, Helm publikoi një mesazh në mbrojtje të shkrimtares së njohur irlandeze Sally Rooney, e cila kishte deklaruar se ishte detyruar t’i tërhiqte librat e saj nga raftet e librarive në Britani, pasi kishte premtuar se të ardhurat nga shitjet do t’ia dhuronte Palestine Action.
Organizata, e njohur për aksione të drejtpërdrejta proteste në mbështetje të çështjes palestineze, u shpall e ndaluar nga autoritetet britanike vitin e kaluar.
Helm, ish-gazetare e Sunday Times dhe ish-redaktore për çështjet diplomatike në The Independent, ka raportuar për shumë vite nga Lindja e Mesme.
Në një reagim ndaj komentatorit televiziv Adam Boulton, i cili e kishte cilësuar mbështetjen e Rooney për Palestinën si qëndrim kundër hebrenjve, Helm shkroi në platformën X:
“Zoti na ndihmoftë ne autorëve që mbështesim Palestinën dhe Palestine Action. Me sa duket, Adami do t’i hiqte të gjithë librat tanë nga raftet sa hap e mbyll sytë.”
Por ky koment mund të ketë pasoja ligjore.
Sipas legjislacionit britanik kundër terrorizmit, shprehja e mbështetjes për një organizatë të ndaluar, në rrethana të caktuara, mund të përbëjë vepër penale që dënohet deri në 14 vjet burg.
Që prej ndalimit të Palestine Action, më shumë se 3.700 persona janë arrestuar për mbështetje ndaj organizatës, ndërsa mbi 2.250 janë akuzuar zyrtarisht për vepra penale të lidhura me terrorizmin.
Policia britanike konfirmoi se postimi i Sarah Helm ishte në proces vlerësimi, për të përcaktuar nëse kishte arsye për nisjen e një hetimi.
Ndërkohë, Downing Street u distancua nga deklarata e saj.
“Këto janë pikëpamjet e një individi që nuk përfaqëson qeverinë në asnjë cilësi”, deklaroi të premten një zëdhënës i qeverisë britanike.
Çështja ka marrë një dimension veçanërisht të ndjeshëm për shkak të pozicionit të bashkëshortit të Helm.
Jonathan Powell është një figurë me përvojë të gjatë në politikën dhe diplomacinë britanike. Ai ka shërbyer për një dekadë si shef kabineti i ish-kryeministrit Tony Blair dhe në vitin 2024 u emërua këshilltar i Sigurisë Kombëtare nën qeverinë e Keir Starmer.

Sipas udhëzimeve qeveritare të cituara nga The Guardian, martesa me një person të dyshuar ose të dënuar për terrorizëm normalisht mund të çojë në heqjen e autorizimit për akses në informacione të klasifikuara.
Në kuadrin e verifikimeve të sigurisë për postin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, lidhjet bashkëshortore me një person të përfshirë në një organizatë të shpallur të ndaluar konsiderohen një rrezik serioz për sigurinë kombëtare.
Megjithatë, deri tani nuk është njoftuar ndonjë akuzë penale ndaj Helm dhe as ndonjë vendim për ndryshimin e statusit të sigurisë së Powell. Autoritetet kanë deklaruar vetëm se po vlerësojnë postimin e saj.
Sarah Helm është autore e disa veprave të njohura, mes tyre një libër për gratë e burgosura nga nazistët në kampin e përqendrimit Ravensbrück.
Ajo ka shkruar gjithashtu dramën Loyalty, mbi luftën në Irak, të frymëzuar nga përvoja e bashkëshortit të saj në kabinetin e Tony Blair. Aktualisht po punon për një libër mbi Gazën.
Helm dhe Powell janë martuar në vitin 2007.
Reagimet ndaj postimit të saj kanë qenë të kundërta.
Organizata Defend Our Juries, e cila mbron lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës paqësore, e falënderoi Helm për kundërshtimin e ndalimit të Palestine Action, të cilin e cilësoi autoritar dhe të pajustifikueshëm.
Një zëdhënës i organizatës ngriti pyetjen se si qeveria mund ta mbrojë këtë ndalim përpara Gjykatës Supreme muajin e ardhshëm, kur bashkëshortja e këshilltarit të saj të Sigurisë Kombëtare e ka kundërshtuar hapur.
Sipas organizatës, të paktën 36 persona janë arrestuar dhe u janë kontrolluar banesat pasi kanë shprehur në rrjetet sociale mbështetje të ngjashme për Palestine Action.
“Shpresojmë që Sarah të mos përballet me të njëjtin trajtim për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe jetëve palestineze”, deklaroi organizata.
Ajo argumentoi se rasti tregon vështirësinë e zbatimit të një ndalimi ndaj të gjithë atyre që e kundërshtojnë publikisht, duke paralajmëruar se shumë qytetarë do të vazhdojnë ta sfidojnë ligjin.
Nga ana tjetër, organizata Campaign Against Antisemitism, e cila lufton antisemitizmin, kërkoi që ndaj Helm të zbatohet plotësisht ligji.
Rasti ka rikthyer kështu debatin në Britani mbi kufijtë mes lirisë së shprehjes, mbështetjes politike për Palestinën dhe legjislacionit kundër terrorizmit, ndërsa pozicioni i Jonathan Powell e ka kthyer një postim personal në një çështje me ndjeshmëri të lartë qeveritare.
Burimi: The Guardian






