Një përmbysje e pazakontë po ndodh në ekonominë evropiane. Vendet që dikur konsideroheshin më të rrezikshmet për investitorët, si Greqia, Portugalia dhe Italia, po fitojnë besimin e tregjeve financiare, ndërsa Franca dhe Belgjika po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të borxhit publik. Ndarja tradicionale mes veriut të pasur dhe jugut të zhytur në borxhe nuk e përshkruan më realitetin e eurozonës. Dhe pikërisht në këtë moment, qeveritë evropiane po përgatiten të marrin hua në përmasa rekord.
Nëse një investitor do të kishte rënë në gjumë gjatë verës së vitit 2012, në kulmin e krizës së euros, dhe do të zgjohej sot, do ta kishte të vështirë ta njihte hartën e borxheve evropiane.
Atëherë, Evropa ishte e ndarë qartë në dy pjesë. Në veri qëndronin ekonomitë e forta, me Gjermaninë në qendër, që merrnin hua me interesa të ulëta. Në jug ishin vendet e konsideruara problematike: Greqia, Portugalia, Spanja, Italia dhe Irlanda, të cilat paguanin interesa shumë më të larta për të financuar borxhin e tyre.
Katërmbëdhjetë vjet më vonë, kjo ndarje është përmbysur.
Belgjika, vendi ku ndodhen institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, paguan tashmë një interes prej 4,29% për huatë dhjetëvjeçare. Greqia, e cila gjatë krizës së euros u shpëtua tri herë nga falimentimi përmes programeve ndërkombëtare të ndihmës, paguan 4,35%, pothuajse të njëjtin nivel.
Portugalia, që kërkoi shpëtim financiar në vitin 2011, sot merr hua më lirë se Spanja. Irlanda, e shpëtuar në vitin 2010, paguan pothuajse të njëjtin interes si Holanda.
Por ndryshimi më domethënës është ai i Francës, e cila dikur bënte pjesë në grupin e ekonomive më të sigurta të Evropës dhe sot paguan interesa më të larta se Italia.
Në tregjet financiare, normat e interesit të obligacioneve shtetërore pasqyrojnë koston me të cilën një qeveri merr hua. Ato rriten kur investitorët shqetësohen për aftësinë e një vendi për të përballuar borxhin dhe bien kur financat publike bëhen më të qëndrueshme.
Greqia ka kaluar një dekadë duke u përpjekur të bindë tregjet se situata e saj ka ndryshuar.
Në vitin 2025, Athina regjistroi një suficit buxhetor prej 1,7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Megjithëse borxhi grek mbetet më i larti në Evropë në raport me ekonominë, ai u ul me më shumë se nëntë pikë përqindjeje të PBB-së brenda një viti.
Gjatë dekadës së fundit këto vende kanë ndjekur politika fiskale më të kujdesshme, kanë përmirësuar bilancet e tyre buxhetore, kanë zgjatur afatet e shlyerjes së borxheve, kanë rritur efikasitetin e mbledhjes së taksave përmes digjitalizimit dhe kanë forcuar sistemet bankare.
Këto ndryshime kanë ulur rrezikun e rifinancimit dhe e kanë vendosur borxhin publik në një trajektore më të qëndrueshme se 10 apo 15 vjet më parë.
Belgjika, ndërkohë, ka lëvizur në drejtimin e kundërt.
Deficiti i saj buxhetor arriti në 5,2% të PBB-së vitin e kaluar, duke tejkaluar edhe deficitin e Francës prej 5,1%. Në tremujorin e parë të vitit 2026, borxhi publik belg kaloi 109% të PBB-së.
Investitorët nuk e kanë kaluar pa vëmendje këtë përkeqësim.
Edhe vendet që tradicionalisht përbënin bërthamën e fortë të eurozonës kanë ndryshuar, por në një drejtim tjetër. Në disa prej tyre ka më shumë pasiguri politike, më pak qartësi për politikat ekonomike, presione të vazhdueshme për rritjen e shpenzimeve dhe kosto shumë më të larta rifinancimi.
Rasti më shqetësues është Franca
Shteti francez shpenzon një shumë të barabartë me 57,2% të gjithë prodhimit ekonomik të vendit, përqindja më e lartë mes ekonomive të G20.
Borxhi publik ka arritur në 3,6 trilionë euro, ose 119% të PBB-së, nga 98,2% që ishte përpara pandemisë.
Dhe problemi pritet të bëhet edhe më i madh në vitin 2027. Më 29 shtator, Thesari francez njoftoi se vitin e ardhshëm do të duhet të emetojë 340 miliardë euro obligacione afatmesme dhe afatgjata, një rekord historik që përfaqëson rreth 11% të ekonomisë së vendit.
Kjo shumë është më e lartë se 310 miliardë eurot e planifikuara për vitin 2026.
Një pjesë e madhe e huamarrjes nuk do të përdoret për shpenzime të reja, por për të shlyer dhe rifinancuar borxhet e vjetra, veçanërisht obligacionet e emetuara gjatë pandemisë dhe krizës energjetike.
Problemi është se këto borxhe po zëvendësohen me hua të reja që kushtojnë më shumë.
Franca ka paguar mesatarisht një interes prej 3,55% për obligacionet afatmesme dhe afatgjata të emetuara gjatë këtij viti, krahasuar me 3,14% vitin e kaluar.
Fatura vjetore e interesave parashikohet të rritet nga 62,6 miliardë euro në vitin 2026 në 72,9 miliardë euro në vitin 2027.
Kjo shumë është e barabartë me afërsisht një të pestën e të ardhurave që shteti francez mblodhi vitin e kaluar.
Pikërisht ky tregues po merr gjithnjë e më shumë rëndësi për investitorët.
Huamarrja për investime që nxisin rritjen ekonomike vlerësohet ndryshe nga huamarrja që përdoret kryesisht për të paguar interesa gjithnjë e më të larta të borxheve ekzistuese.
Gjermania, për shembull, po emeton këtë vit një shumë rekord prej 512 miliardë eurosh në letra me vlerë shtetërore, por një pjesë e rëndësishme e këtyre fondeve synon financimin e mbrojtjes dhe infrastrukturës. Kjo është një kategori shpenzimesh që tregjet priren ta pranojnë më lehtë.
Italia dhe Spanja, ndërkohë, do të duhet të rifinancojnë secila disa qindra miliardë euro borxhe.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka tërhequr vëmendjen edhe për një tjetër rrezik: në vendet e G7 dhe në Spanjë, pothuajse 30% e borxhit publik ka afat maturimi brenda një viti.
Kjo do të thotë se ndryshimet e normave të interesit mund të ndikojnë mbi buxhetet shtetërore brenda pak muajsh, dhe jo pas shumë vitesh.
Mes shkurtit dhe shtatorit, norma mesatare e interesit për obligacionet dhjetëvjeçare në vendet e G7 u rrit me më shumë se një pikë përqindjeje, duke arritur nivelin më të lartë në pothuajse dy dekada.
Edhe Banka Qendrore Evropiane ka ndikuar në rritjen e kostove të huamarrjes, duke e ngritur dy herë gjatë këtij viti normën e interesit të depozitave, deri në 2,50%, në përpjekje për të frenuar inflacionin.
Rreziku, sipas ekspertëve, është që vetë tregjet financiare ta përkeqësojnë problemin.
Një krizë politike ose një buxhet i dobët mund t’i shtyjë interesat më lart. Kjo e bën rifinancimin më të shtrenjtë, ngushton hapësirën buxhetore dhe u jep investitorëve një arsye tjetër për të kërkuar interesa edhe më të larta.
Kështu krijohet një rreth vicioz, që sot mund të zhvillohet më shpejt se në të kaluarën.
Për një dekadë, Banka Qendrore Evropiane bleu obligacione qeveritare me para të krijuara përmes politikës së saj monetare. Tani ajo po lejon që këto obligacione të maturohen pa i zëvendësuar plotësisht.
Në të njëjtën kohë, kërkesa nga fondet e pensioneve ka ndryshuar dhe një pjesë më e madhe e blerësve të rinj reagon shumë më shpejt ndaj ndryshimeve të çmimeve.
Çmimet e larta të energjisë e rëndojnë më tej situatën, sepse dobësojnë rritjen ekonomike, ndërkohë që mbajnë të larta inflacionin dhe normat e interesit.
FMN e përmbledh problemin me një konstatim shqetësues: në një numër gjithnjë e më të madh vendesh, interesi i borxhit të ri është më i lartë se ritmi i rritjes së ekonomisë.
Kur ndodh kjo, borxhi mund të vazhdojë të rritet edhe pa shpenzime të reja, përveç rasteve kur qeveria arrin të sigurojë një suficit buxhetor përpara pagesës së interesave.
Shumica e vendeve evropiane nuk e kanë një suficit të tillë. “Sa më gjatë të presin vendet, aq më i dhimbshëm bëhet përshtatja”, paralajmëron FMN.
Megjithatë, ekspertët nuk mendojnë se Evropa ndodhet domosdoshmërisht përpara një përsëritjeje të krizës së vitit 2012. Banka zvicerane Lombard Odier vlerëson se tregjet po pasqyrojnë pasigurinë, por jo kushtet për shpërthimin e një krize të re të borxhit sovran.
Sipas parashikimit të Lombard Odier, diferenca mes interesave franceze dhe atyre gjermane do të mbetet e lartë derisa Franca të miratojë një buxhet të besueshëm, gjë që mund të mos ndodhë përpara zgjedhjeve presidenciale të majit 2027.
Banka parashikon gjithashtu një dobësim gradual të euros deri në nivelin 1,09 dollarë.
Problemi nuk kufizohet vetëm te tregjet financiare.
Një eksperiment me ndërmarrjet gjermane, i realizuar përmes panelit të Bundesbankës që përfshin rreth 7.000 kompani dhe i publikuar nga Qendra për Kërkime të Politikave Ekonomike (CEPR), tregoi se gjysma e bizneseve besojnë se Banka Qendrore Evropiane mund të hezitojë të rrisë interesat për të mos dëmtuar qeveritë me financa të dobëta.
Kur studiuesit u paraqitën kompanive një parashikim pesimist për borxhin mesatar publik të Francës, Italisë dhe Spanjës, ndërmarrjet që nuk kishin besim te BQE-ja i rritën pritshmëritë e tyre për inflacionin gjerman pas tre vitesh me 1,4 pikë përqindjeje.
Kjo tregon se problemet e borxhit publik në një vend të eurozonës mund të ndikojnë në pritshmëritë për inflacionin në një vend tjetër, përmes dobësimit të besimit te politika monetare.
Në vitin 2012, pyetja kryesore ishte nëse vendet e jugut të Evropës do të arrinin t’i paguanin borxhet e tyre.
Në prag të vitit 2027, pyetja është krejt tjetër: cilat vende përbëjnë sot periferinë e rrezikuar të eurozonës?
Burimi: Euronews






