Kandidatët për pozicionet e lira të kryetarëve të gjykatave, u “verifikuan” sot sipas njoftimit të KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor).
Vendet vakante me titullarë të komanduar prej shumë vitesh kanë lënë gjykatat kryesore të vendit pa kokë.
E njëjta situatë raportohet edhe për kancelarët e gjykatave që edhe ata janë të paemëruar. “Kampione” është Gjykata e Lartë që e ka kancelarin që nga 2020 të komanduar.
Sipas disa vendimeve të marsit të këtij viti, KLGJ, shpalli me vendim, vendet vakante, që i hapnin rrugë konkurrimit për postin e kryetarit për 11 gjykata të shkallëve të ndryshme në gjithë vendin.
U deshën 7 muaj që KLGJ të mblidhte dokumentet e gjyqtarëve, që më pas t’i kalonte në “sitë” dhe verifikonte kandidatët që plotësonin kushtet formale për të qenë titullarë gjykatash.
Disa u eliminuan, të tjerët kanë arritur në pikën “kulmore” të garës, ku mes rivalitetit të “plotësimit të kushteve dokumentare” do përzgjidhet në një mbledhje tjetër vetëm njëri prej tyre. Për rastet kur ka dy apo tre kandidatë për të njëjtin pozicion, KLGJ do duhet të “përzgjedhë” të duhurin.
Disa gjyqtarë e kanë siguruar “fitoren” pa alternativë tjetër dhe presin vetëm mbledhjen e radhës për emërimin përfundimtar.
Lista e kandidatëve të kualifikuar sipas verifikimeve të KLGJ
Për kryetar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kualifikohen dhe konkurrojnë gjyqtarët:
- Gerd Hoxha
- Flamur Kapllani
Për kryetar të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë:
- Ramiz Lala
- Gentiana Xhelili
- Gentian Marku
Për kryetar të Gjykatës Administrative të Apelit:
- Ardian Dvorani
Për kryetar të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO):
- Erjon Bani
Për kryetar të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar:
- Engert Pëllumbi
- Dhimitër Lara
Për kryetar të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm:
- Iliba Bezati
- Genti Dokollari
Për kryetar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës:
- Rexhep Bekteshi
Për kryetar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier:
- Alfred Konomi
Për kryetar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë:
- Eglantina Mikani
Për kryetar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër:
- Ermira Dedja
Për kryetar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë:
- Arbana Selmanaj
Tre anëtarë të rinj të KLGJ janë zgjedhur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve më 25 shtator 2026. Ata janë Sandër Simoni, Fatri Islamaj dhe Brunilda Kadi, të cilët zëvendësuan Klodian Kurushin, Ridvan Hadon dhe Irena Plakun të cilët përfunduan mandatin 5-vjeçar.
Tre anëtarët e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën në 12 dhjetor 2026.
KLGJ nuk ka njoftuar cilët ishin anëtarët që ishin prezent në mbledhjen e sotme plenare, në orën kur mbi 1 mijë pedagogë përfshirë ata të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës, ishin në protestë përballë godinës së Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e “qeraxhiut” të saj.
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






