Edi Rama, ngrihet që pa u gdhirë mirë (nëse fle) me një ide të re për dialog.
Nga karriget e drunjta, betonet si purot e “Gysit”, kaloi sot në “hektagonin e mirëkuptimit”.
Kërkohet “dialog” në një tryezë betoni në formë hektagoni.Shumë punëtorë dhe vinça të shtetit që kërkon “dialog” janë impenjuar që në pikë të mëngjesit, për të plotësuar një nevojë fantazioze të kryeministrit për të shuar protestën.
Dialogu mbi beton në një ditë të bukur me diell dhe revoltë brenda është i pamundur.
I pamundur për shkak të Ergys Agasit që u tall me studentët.
I pamundur prej Ermal Beqirit & Mirlinda Karçanajt që u tallën me milionat e prindërve të studentëve.
I panevojshëm prej Belinda Ballukut që vazhdon t’i tallë të gjithë ata që dalin në protestë.
Në hektagonin e pamundësisë për dialog kryeministri Rama mund të ulë me turne të gjithë të pandehurit prej tij.
Ata që janë në burg.
Ata që janë në hetim.
Ata që janë në gjykim.
Ata që dhanë dorëheqjet.
Dialogu me ta, në hektagonin e përgjegjësisë, buzë bulevardit, në sy të protestës, ndoshta do ishte një gjetje shfajësuese që megjithatë do shihej me dyshim dhe mosbesim.
Çdo beton tjetër shtruar në formë dialogu, vetëm sa do shtonte urrejtjen e revoltës dhe dëshpërimin e tij për qetësimin e saj.
Sot, është ditë ballafaqimi me dialogun e betonuar në padrejtësi.
Ballafaqimi me betonarmenë e një qeverisjeje në formë piramide, që urrente dialogun që nga Apeksi i saj.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





