Në korrikun e vitit 1962, Marilyn Monroe pozonte e buzëqeshur në një plazh të Kalifornisë, duke luajtur me dallgët dhe duke i dërguar një puthje kamerës. Askush nuk e dinte se ato do të ishin fotografitë e fundit të aktores legjendare. Vetëm pak javë më vonë, më 5 gusht, ajo do të gjendej e vdekur në shtëpinë e saj në Los Anxhelos, në moshën 36-vjeçare. Sot, në 100-vjetorin e lindjes së saj, këto imazhe rikthejnë në vëmendje një Marilyn ndryshe nga ikona joshëse që njohu bota: një grua të çlirët, lozonjare dhe të vendosur të kontrollonte mënyrën se si publiku e shihte.
Në fotografitë e realizuara nga George Barris në plazhin Santa Monica, Marilyn Monroe shfaqet me flokët e shpupuritur nga era e detit, e mbështjellë herë me një peshqir të gjelbër, herë me një veshje të ngrohtë.

Ajo qesh, lëviz në rërë dhe pozon me një natyrshmëri që bie në kontrast me imazhin e kuruar të yllit të Hollivudit.
Në fotografinë e fundit të këtij sesioni, aktorja qëndron e shtrirë në rërë, me duart e bashkuara, sikur po i dërgon një puthje fotografit.
Imazhet u realizuan vetëm disa javë përpara vdekjes së saj dhe sot konsiderohen ndër portretet më prekëse të një prej grave më të famshme të shekullit XX.
Një ekspozitë e veçantë në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër, e titulluar Marilyn Monroe: A Portrait, solli së bashku fotografi dhe vepra arti që tregojnë mënyrën se si aktorja ndërtoi dhe ndryshoi imazhin e saj publik.
Mes tyre ishin edhe gjashtë fotografi nga sesioni i fundit në Santa Monica.

Pas buzëqeshjes, një periudhë e vështirë personale
Në vitin 1962, Marilyn Monroe ishte një nga yjet më të mëdhenj të kinemasë botërore.
Filma si Gentlemen Prefer Blondes dhe Some Like It Hot e kishin shndërruar në simbol të epokës së artë të Hollivudit.

Por jeta e saj personale dhe profesionale po kalonte një periudhë të trazuar.
Martesa e tretë, me dramaturgun Arthur Miller, kishte përfunduar. Pamja e saj fizike vazhdonte të komentohej vazhdimisht nga mediat, ndërsa problemet shëndetësore dhe pagjumësia kronike po ndikonin në jetën e përditshme.
Aktorja përballej gjithashtu me varësinë nga medikamentet me recetë.
Në qershor të vitit 1962, studioja 20th Century Fox e largoi nga filmi Something’s Got to Give, pas mungesave të përsëritura për arsye shëndetësore, dhe ngriti një padi kundër saj për dëmshpërblim.
Në shtyp, Monroe përshkruhej shpesh si një aktore e vështirë për të bashkëpunuar.
Megjithatë, sipas studiuesve, pas këtyre problemeve qëndronin edhe vështirësi serioze shëndetësore, të cilat nuk kuptoheshin gjithmonë nga industria e filmit.
Në këtë periudhë, Marilyn nisi të punonte më intensivisht për të përmirësuar imazhin e saj publik. Ajo realizoi intervista dhe sesione fotografike për revista të njohura, përfshirë Vogue, Life dhe Cosmopolitan.
Georgia Atienza, bashkëkuratore e ekspozitës në Londër, shpjegon se këto fotografi ishin një mënyrë për të rifituar kontrollin mbi reputacionin e saj.
“Ajo po përpiqej të rriste profilin e saj publik dhe, në njëfarë mënyre, të rehabilitonte imazhin. Shpesh, sesionet fotografike ishin për të një mënyrë për të përballuar ankthin”, thotë Atienza.

Takimi me fotografin që realizoi imazhet e fundit
Marilyn Monroe dhe George Barris ishin njohur që në vitin 1954, gjatë xhirimeve të filmit The Seven Year Itch. Ata kishin diskutuar edhe mundësinë e realizimit të një libri mbi jetën e saj.
Kur u takuan sërish në verën e vitit 1962, marrëdhënia e krijuar ndër vite dukej se e ndihmonte aktoren të ndihej e qetë përpara aparatit fotografik. Fotografitë e realizuara në plazh kishin një atmosferë të pazakontë për imazhin publik të Marilyn.
Ajo nuk shfaqej vetëm si simbol sensualiteti, por si një grua që argëtohej, vraponte dhe luante me dallgët. Sipas Atienzas, pamjet tregojnë një Marilyn spontane, të çliruar dhe natyrale.
Vajza e fotografit, Caroline Barris, e cila kujdeset për arkivin e të atit, u ka vënë në dispozicion kuratorëve edhe fotografi të papublikuara nga ai sesion. Në to, aktorja shihet duke vrapuar dhe pothuajse duke kërcyer mes dallgëve.
“Ishte prekëse të dije se këto ishin imazhet e fundit që ajo realizoi”, shprehet Atienza.
Për Marilyn, plazhi i Kalifornisë kishte edhe një kuptim personal. Ekziston një fotografi e rrallë e saj si foshnjë, zbathur në rërë pranë nënës, Gladys. Më vonë, gjatë viteve 1940, kur ende përpiqej të ndërtonte karrierën, ajo kishte realizuar fotografi të tjera buzë detit me André de Dienes.
Sipas kuratores Rosie Broadley, këto imazhe krijojnë një lidhje emocionale mes fillimit dhe fundit të jetës së saj. Fotografitë në plazh, në njëfarë mënyre, e hapin dhe e mbyllin historinë e Marilyn Monroe.
Fotografitë që nuk u botuan siç ishte planifikuar
Fotografitë e George Barris ishin menduar fillimisht për një artikull në revistën Cosmopolitan. Por pas vdekjes së papritur të Marilyn Monroe, revista vendosi të mos i publikonte.
Të drejtat e tyre u siguruan më pas nga një përfaqësues i gazetës britanike Daily Mirror, ndërsa fotografitë u shfaqën edhe në revistën Town, në nëntor 1962. Imazhet patën ndikim edhe në artin bashkëkohor.
Artistja britanike Pauline Boty u frymëzua prej tyre për veprën Colour Her Gone në vitin 1962, ndërsa Richard Hamilton i përdori si referencë në krijimin e My Marilyn në vitin 1965.
Për shumë njerëz, fotografitë fituan një domethënie të re pas vdekjes së aktores.
Buzëqeshja e saj, e parë në dritën e tragjedisë që pasoi, u interpretua si një kontrast i dhimbshëm mes imazhit publik dhe jetës së saj personale.
Por Rosie Broadley thekson se fotografitë e Barris dallojnë nga shumë imazhe të tjera të Marilyn.
“Shumë fotografë përqendroheshin te sensualiteti i saj. Me Barris nuk duket kështu. Ai përqendrohet te shpirti i saj lozonjar dhe te vetë Marilyn”, shpjegon ajo.
Fotografi ishte aq i bindur nga gjallëria që kishte parë gjatë sesionit, sa nuk besonte se Monroe kishte vrarë veten.
Marilyn Monroe zgjidhte vetë fotografitë e saj
Një nga detajet më interesante të zbuluara nga arkivat është mënyra se si Marilyn Monroe përfshihej në përzgjedhjen e fotografive. Ajo nuk ia linte gjithmonë vendimin përfundimtar fotografit apo revistës.
Gjatë karrierës, Monroe kishte bashkëpunuar ngushtë me fotografët për të zgjedhur imazhet që do të publikoheshin. Në disa raste, ajo përdorte një karficë flokësh për të shënuar fotografitë dhe shkruante fjalën “good”, që do të thotë “mirë”, mbi ato që i pëlqenin.
Sipas Broadley, ky proces i jepte aktores një nivel kontrolli mbi imazhin e saj që nuk e kishte gjithmonë në marrëdhëniet me regjisorët e filmave.
Pas vdekjes së saj, disa prej fotografive të shënuara u interpretuan nga publiku si dëshmi e pakënaqësisë së Marilyn me pamjen e saj. Por studiuesit theksojnë se këto shenja duhet të kuptohen në kontekstin e procesit të përzgjedhjes artistike.
Vetë Barris kishte deklaruar se Monroe nuk kishte refuzuar kategorikisht asnjë prej fotografive të tij. Sipas tij, aktorja i konsideronte disa nga imazhet e realizuara në Santa Monica ndër më të mirat dhe më natyralet e karrierës së saj.
“Kjo jam unë, me gjithë qukat e mia. Unë e vërteta”, kujton Barris të ketë thënë Marilyn.
Një puthje e fundit për kamerën
Pas vdekjes së Marilyn Monroe, George Barris u largua nga Shtetet e Bashkuara dhe jetoi për rreth dy dekada në Paris. Më vonë, ai botoi fotografitë e saj në librin Marilyn të vitit 1986, në bashkëpunim me shkrimtaren dhe aktivisten feministe Gloria Steinem.
Në vitin 1995, Barris iu rikthye kujtimeve dhe bisedave me aktoren në librin Marilyn: In Her Own Words. Ai tregoi se gjatë sesionit fotografik kishin synuar të rikrijonin etapa të ndryshme të jetës së Marilyn.
Në rrëfimin e tij për fotografinë e fundit, aktorja i kishte dërguar një puthje kamerës duke thënë: “Kjo është për ty, George”. Fotografitë e fundit të Marilyn Monroe mbeten të veçanta jo vetëm sepse u realizuan pak javë përpara vdekjes së saj.
Ato tregojnë një anë të aktores që shpesh mbeti në hije nga fama, sensualiteti dhe dramat e jetës personale: një grua që kërkonte të ishte vetvetja dhe të kishte kontroll mbi mënyrën se si do të kujtohej.
Një shekull pas lindjes së saj, Marilyn Monroe vazhdon të jetë një nga figurat më të njohura të kulturës popullore. Dhe ndoshta pikërisht në ato fotografi të thjeshta, mes rërës dhe dallgëve të Santa Monicas, publiku mund të shohë një nga portretet e saj më njerëzore.

Burimi: BBC





