Sistemi i burgjeve ka qenë dhe mbetet një hallkë e ndryshkur e zbatimit të drejtësisë penale në Shqipëri. Burgje të tipit “Eskobar” vitet e fundit janë shfaqur edhe në publik. Vajza të showbizit janë “bashkëjetueset” e preferuara të të burgosurve VIP. Dhomëzat luksoze dhe jeta “dinjitoze” brenda burgjeve, kanë bërë xhiron e rrjetit, pavarësisht se burgu mbetet, në çdo rast burg.
Nga viti 2013 janë ndryshuar 9 drejtues të lartë të sistemit penitenciar. I fundit ishte Adriatik Kupi, drejtori që “jetoi” vetëm 7 muaj në detyrë.
Kur ministri i Drejtësisë Toni Gogu, prezantoi Kupin, duke falënderuar Klevis Qosen që ishte dy vite në drejtim, u kujdes të theksonte: “Ky ndryshim ka të bëjë vetëm me fuqizimin e sistemit. Sot kemi nevojë për më shumë disiplinë në çdo nivel…”
Pas vetëm shtatë muajsh në detyrë, Adriatik Kupi, sapo nisi të “fuqizonte” sistemin, papritur njoftoi dorëheqjen në rrjetin social Facebook. Ai nuk dha asnjë shkak konkret, por përshtypje la fjalia: “Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot.”
Për çfarë do fliste koha e Adriatik Kupit?
Tri ditë përpara se emri i saj të dilte si pasues i Adriatik Kupit, Sadleva Bodo, u raportua se takoi në godinën e qeverisë, kryeministrin Edi Rama.
Emërimi i saj në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u bë më 14 tetor 2026 dhe shënoi rastin e parë që një grua merr drejtimin e një strukture të vështirë edhe për shumicën e burrave.
Askush nuk e njihte zonjën Bodo, deri ditën kur emri i saj i veçantë, bashkë me CV-në u shpërnda me shpejtësi në media.
- E lindur më 29 janar 1988, me prejardhje nga Dukati i Vlorës.
- Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2010.
- Studimet pasuniversitare në Wayne State University, në Detroit (SHBA), 2016-2018.
- Certifikuar nga Universiteti i Mastricht-it (Holandë) për “Programin për Menaxhimin e Migracionit”, viti 2021.
- Maj 2018 – Gusht 2021, Drejtoreshë e “Drejtorisë së Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës” në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
- Gusht 2021 e në vazhdim, këshilltare ligjore pranë BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit).
Në pamje të parë, CV-ja “Bodo” dukej e pasur dhe akronimi i rëndë “BKH”, shumë bindës. Jetëshkrimi krijonte përshtypjen se një prurje serioze erdhi në drejtimin e burgjeve shqiptare, edhe pse grua, për më tepër me një pamje të butë, të brishtë dhe lozonjare.
Në jetëshkrim, mungonte një pjesë e karrierës. Fillesat në ILDKPI (2014-2016), si sekretare e thjeshtë e më pas specialiste sektori, mungonte.
Sadleva Bodo, si rrallë raste, e kishte nisur karrierën si drejtoreshë.
Shkelja e ligjit nga “Ministria e Ligjit”
Ligji 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, ka fiksuar njё kriter nё nenin 26: kandidati për Drejtor të Përgjithshëm të Burgjeve duhet të ketë të paktën 10 vjet eksperiencë pune, nga të cilat të paktën 5 vjet në pozicione të nivelit të lartë drejtues.
Kriteri 10-vjeçar i eksperiencës, nga jetëshkrimi i publikuar për Sadleva Bodon, nuk plotëson numrin e nevojshëm të viteve, deri në emërimin e tetorit. Nëse publikimi do tregonte karrierën para vitit 2016, puna në ILDKPI do shpëtonte 10 vitet që kërkon ligji. Ndërsa mungesa e 5 viteve të eksperiencës së domosdoshme në pozicione të nivelit të lartë drejtues, do ta s’kualifikonte menjëherë këtë kandidaturë.

Ligji nuk lë vend për interpretim se, kush quhet “drejtues i nivelit të lartë”. Sadleva Bodo nuk ka ushtruar asnjëherë një detyrë me autoritet të tillë. Ajo ka mbajtur vetëm një detyrë të nivelit të mesëm në Ministrinë e Brendshme dhe detyrën e këshilltares në BKH.
Ligji për nëpunësin civil, në nenin 19, përcakton renditjen për pozicionet e drejtuesit të lartë dhe të mesëm. Sipas po këtij neni, znj. Bodo referon pozicionin e një drejtuese të nivelit të mesëm.

Ajo nuk do plotësonte dot pesë vitet që kërkon ligji i emërimit të saj, edhe nëse CV-ja do “këmbëngulte” se 3 vjet e 3 muaj tregojnë për një drejtoreshë të nivelit të lartë.
Nga gushti i vitit 2021 deri në emërimin e fundit, ajo ka qenë këshilltare ligjore në BKH. Një këshilltar jep mendime, nuk drejton struktura dhe nuk ka vartës. Por dhe pesha e germave të institucionit, nuk e kthen dot një këshilltare në drejtore, aq më pak “të nivelit të lartë”.
Për më tepër, drejtoresha e BKH-së, apo drejtori i saj, nuk mund të kenë pasur një drejtoreshë për ta urdhëruar dhe të njëjtën për t’u këshilluar!
Mungesa në “llogarinë” e viteve, në rastin më të favorshëm do ta mbulonte me 3.3 vite eksperiencë kandidaten Bodo, ndërsa në një lexim të ftohtë të ligjit, nuk do i jepte asnjë ditë në nivelin e lartë drejtues.
Kryeministri Rama emëroi Sadleva Bodon, Drejtor të Përgjithshëm të Burgjeve, pasi ministri i Drejtësisë ia propozoi dhe, “pastori” kishte verifikuar me kujdes karrierën e saj.
Toni Gogu i serviri kryeministrit një kandidate të “s’kualifikuar”, për të marrë një firmë të pamerituar; një emërim që nuk plotësonte kushtet minimale ligjore.
Kush e detyroi ministrin të kalonte dy herë “derën e burgut”? Një herë kur propozoi kandidaten Bodo dhe, të dytën kur shkoi për të kryer “lutjen” e mbrëmjes së vonë, në IEVP Fier?
Kandidatja Sadleva Bodo, tashmë është drejtoreshë e “lartë” e burgjeve. Emërimi i saj ngre shumë pikëpyetje për “fijet” që tërhiqen pas në kohë dhe hijet që i mbajnë fort në duar.
Kur, këtë të hënë deputeti Erald Kapri, në një komision parlamentar, i drejtoi disa pyetje të vështira drejtoreshës Bodo, ajo me një qetësi olimpike i tha: “…do t’ju lutesha t’i referoheni kuadrit ligjor të cilin unë sapo e citova, dhe të ndiqni procedurën për çdo lloj kërkese, që juve doni t’ju vihet në dispozicion.”.
Deputeti Kapri, nuk e dinte që, drejtoresha e burgjeve iu lut t’i referohej pikërisht ligjit që ishte shkelur me të dyja këmbët, për emërimin e saj.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





