Gazeta britanike inews i ka kushtuar një artikull Tiranës, duke e prezantuar kryeqytetin shqiptar si një destinacion turistik ekonomik, me një skenë gjithnjë e më të zhvilluar të bareve të koktejeve, ku disa prej pijeve më të veçanta kushtojnë vetëm 6.50 paund. Gazetarja Tamara Hinson sjell përvojën e saj në disa prej bareve të kryeqytetit, duke vënë në pah kreativitetin e banakierëve shqiptarë, përdorimin e përbërësve vendas dhe ndërthurjen e traditës me teknikat moderne të përgatitjes së koktejeve.
Destinacioni ekonomik në Ballkan, me disa nga koktejet më të mira në botë, për vetëm 6.50 paund
Qendra kompakte e Tiranës e bën të lehtë kalimin nga një bar në tjetrin dhe provimin e recetave eklektike që përfshijnë pije alkoolike të forta dhe produkte bazë të periudhës komuniste.
Përshtypja ime e parë për kryeqytetin e Shqipërisë? Pirja e duhanit ndërsa pi apo ha është më se e pranueshme në qytet. Kur largova një tavëll nga tavolina në një piceri, kamerieri më pa sikur të më kishte dalë një kokë e dytë.
Kjo më ngjau si një mbetje nga një epokë tjetër, në një qytet që, përndryshe, po zhvillohet me shpejtësi. Për rreth 50 vjet, deri në fillim të viteve 1990, Shqipëria ishte e izoluar nga bota. Dekada më vonë, Tirana gumëzhin nga gjallëria dhe Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik të njohur.
Vendi regjistroi një rritje prej 85 për qind të numrit të vizitorëve midis viteve 2019 dhe 2025, ndërsa kryeqyteti i tij është pjesë e shumë itinerareve turistike. Megjithatë, ai mbetet ende ekonomik. Për shembull, sipas bazës së të dhënave për koston e jetesës Numbeo, çmimet në restorantet e Tiranës janë rreth 49 për qind më të ulëta se në Londër.
Për momentin, Tirana ruan ende shumë nga karakteri i saj. Parqet e qytetit, për shembull, kanë bunkerë të ripërdorur, si Bunk’Art 2 në rrugën Abdi Toptani, i mbushur me instalacione artistike që nxjerrin në pah persekutimin politik të së kaluarës. Ato vazhdojnë gjithashtu të shërbejnë si vende takimi për grupe banorësh të moshuar, të cilët mblidhen rreth tavolinave prej betoni për të luajtur shah.
Por unë e vizitova qytetin për të shijuar një nga atraksionet e tij më të reja: një brez të ri baresh pёr kokteje, të drejtuara nga mjeshtër të miksologjisë me pasion për inovacionin.
Qendra kompakte e Tiranës e bën të lehtë planifikimin e një mbrëmjeje duke kaluar nga një bar në tjetrin, megjithëse gjetja e disa prej tyre kërkon pak përpjekje.
Një mbrëmje kalova 10 minuta duke qëndruar jashtë një ndërtese të zakonshme në bulevardin Bajram Curri, një nga bulevardet kryesore të Tiranës, duke pyetur veten pse Google Maps tregonte se destinacioni im, Spy Speakeasy, ndodhej pas derës metalike në fund të shkallëve, ndonëse tabela tregonte se aty ishte hyrja e një dyqani kamerash.
Vendosa të provoja fatin dhe trokita në derën e rëndë, përpara se të hapej një dritare e vogël, nga ku u shfaqën një palë sy.
Më pyetën arsyen e vizitës dhe u përgjigja, pas disa sugjerimeve, se kisha ardhur për të riparuar një kamerë. Kjo ishte fraza kyçe që bëri të hapej dera e trashë.
Brenda, qirinjtë e vendosur në mbajtëse antike përhapnin një ndriçim të ngrohtë mbi barin, pas të cilit ndodhej një ekspozim shishesh që ngjante me një farmaci të vjetër.
Banakieri im në këtë bar të fshehtë të Tiranës, i cili ka edhe “laboratorin” e vet, ishte Henry, koktejet e të cilit kushtojnë rreth 700 lekë (6.50 paund).
I veshur me elegancë dhe me një mjekër jashtëzakonisht të madhe, Henry ishte një miksolog i aftë, me pasion për përbërësit vendas.
Në letër, kokteji im Blotto, me bazë pisco, ananas të kripur dhe mjaltë, nuk më tërhiqte veçanërisht, por butësia e shijes së tij më bëri të ndryshoja mendim.
“Kjo vjen nga hirra”, shpjegoi Henry, i cili i siguron përbërësit nga fermat vendase.
Ananasi fermentohet me proces laktofermentimi në laborator, ndërsa mjalti vjen nga Shqipëria e Veriut.
Pija ime e radhës, Jake Walk, e përgatitur me kajsi të pjekura dhe uthull, ishte një tjetër kënaqësi e papritur.
Nga Spy Speakeasy, Nouvelle Vague ishte vetëm pesë minuta larg në këmbë. Ky është bari i parë shqiptar që është përfshirë në listën e 50 bareve më të mira në botë, duke u renditur në vendin e 28-të në vitin 2025.
Ky bar shumëngjyrësh, ku nuk kishte tavlla duhani, ngjante më tepër me një taqueria, me mure të lyera me ngjyra të ndezura dhe dekor eklektik, përfshirë disqe vinili të vendosura me mjeshtëri.
Banakierët e tij ndanin pasionin e Henryt për përbërësit vendas, përfshirë rakinë, pijen e fortë alkoolike të dashur nga shqiptarët e moshuar, por që ka humbur popullaritetin te brezat e rinj.
“Të punosh me rakinë mund të jetë e vështirë, sepse përmbajtja e saj e alkoolit është rreth 45 për qind”, tha kryebanakieri Mariol Djata.
Ai pranoi se kjo përmbajtje e lartë alkooli kërkon përzgjedhje të kujdesshme të pijeve dhe përbërësve të tjerë që përzihen me të, në mënyrë që të mos mbulojnë shijen e rakisë, por të nxjerrin në pah nuancat e saj.
Mariol i prezanton klientët me pijet tradicionale alkoolike duke shtuar përbërës që ngjallin kureshtje.
Merrni, për shembull, Black Sabah, të përgatitur me kafe turke, misër të pjekur, mjaltë, raki dhe rum.
“Sabah do të thotë ‘mëngjes’ në turqisht”, shpjegoi Mariol.
“Gjuha jonë përfshin disa fjalë turke që përdoren ende nga shqiptarët e moshuar dhe ne e quajtëm Black Sabah sepse ka qenë një kohë kur shqiptarët, si gjyshërit e mi, e nisnin ditën me një kafe turke dhe një gotë raki.”
Përveçse i jepnin pijes një butësi të papritur, misri dhe mjalti përforconin notat e çokollatës në kafe.
Mariol thotë se pije të tilla janë një mënyrë shumë e mirë për t’i njohur njerëzit me rakinë, megjithëse pranon se kjo mbetet një punë në vazhdim.
Merrni koktejin Nou Whey, të përgatitur me qumësht lajthie, fasule tonka, lule shtogu dhe raki dardhe.
Përbërës si lulja e shtogut dhe tonka janë shpesh mënyra që Mariol përdor për të tërhequr klientët që nuk janë mësuar me shije të veçanta, si ajo e rakisë. Ata sugjerojnë profile shijesh më të pranueshme.
“Të rinjtë ende kanë frikë nga rakia, prandaj e kemi renditur atë si përbërës”, tha ai.
Pije të tjera i referohen asaj që shqiptarët hanin dhe pinin gjatë periudhës së komunizmit.
“Shqiptarët më të varfër jetonin me bukë dhe çaj mali”, tha Mariol.
Disa nga krijimet e tij përmbajnë shurup misri të fermentuar, një përbërës i lirë i periudhës komuniste.
I preferuari im ishte English Climber (8.31 paund), me bazë xhini, i përgatitur me çaj mali, të cilin shqiptarët tradicionalisht e përgatisnin në shtëpi duke përdorur bimë të egra.
“Çaji i malit në çdo familje shqiptare është i ndryshëm”, tha Mariol.
Ai ishte ftuar së fundmi në Indi për të punuar si banakier i ftuar në një nga baret më të mira të Goas dhe mendon se shkëmbimi i njohurive është çelësi i suksesit të skenës së koktejeve në Tiranë.
Nouvelle Vague fton gjithashtu miksologë nga vende të tjera për të punuar si të ftuar.
Radio Bar, që ndodhet aty pranë, është një tjetër bar, megjithëse shumë më i ngarkuar, që po ndryshon perceptimin e shqiptarëve për koktejet.
I mbushur me objekte të vogla dekorative dhe mobilie që nuk përputhen me njëra-tjetrën, ai ofron një hyrje në shije më pak të njohura.
Kjo mund të ndodhë përmes Algroni-t, një Negroni me aromë rozmarine; Balkan Collins, që përdor reçel vendas boronicash për t’i dhënë një shije të thartë koktejit Tom Collins; ose Fig Sour, të përgatitur me uiski shqiptar dhe shurup fiku.
Popullariteti i barit është një tregues i zhvillimit të skenës së bareve të koktejeve në Shqipëri, të frekuentuara zakonisht nga vendas në të njëzetat dhe turistë, ndërsa brezat më të moshuar vazhdojnë të preferojnë kafenetë dhe baret tradicionale të qytetit.
Prova përfundimtare se skena e bareve të Tiranës është një fenomen që ia vlen të ndiqet erdhi në hotelin tim, Tirana Marriott.
Kur zbrita poshtë për një pije të fundit para gjumit, prisja të gjeja listën standarde dhe pothuajse identike të pijeve që ofrojnë zakonisht hotelet.
Por kokteji Nomad, i përgatitur me raki trëndafili dhe mandarinë, është i jashtëzakonshëm.
Po aq i jashtëzakonshëm, siç rezultoi, ishte edhe Normandy Nocturne (6.50 paund), një përzierje e brandit të mollës, bitterit të çokollatës dhe kafesë së tymosur.
Planifikova të provoja të përgatisja versionin tim kur të kthehesha në shtëpi.
Ndoshta, mendova, do të bëj si gjyshërit e Mariolit dhe do ta pi një për mëngjes.
Burimi: inews.co.uk






