Vendimi vjen pas një investigimi të përbashkët mediatik, i cili zbuloi komunikime të dëmshme ndërmjet chatbot-it dhe përdoruesve të mitur, përfshirë biseda me përmbajtje seksuale dhe abuzive.
Kompania amerikane Apple ka hequr nga platforma e saj App Store aplikacionin Talkie, një chatbot i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga kompania kineze MiniMax, pas një investigimi mbi ndërveprimet potencialisht të dëmshme të platformës me fëmijët.
Investigimi dokumentoi dëshmitë e prindërve në Australi dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kishin zbuluar komunikime me përmbajtje të papërshtatshme seksuale dhe abuzime verbale ndërmjet fëmijëve të tyre dhe personazheve të krijuara nga inteligjenca artificiale në këtë platformë.
Ndryshe nga asistentët tradicionalë të inteligjencës artificiale, Talkie u mundëson përdoruesve të krijojnë marrëdhënie personale të simuluara me personazhe virtuale, nëpërmjet komunikimit me mesazhe të shkruara dhe bisedave zanore.
Pavarësisht se aplikacioni ishte klasifikuar si i përshtatshëm vetëm për personat mbi 18 vjeç, si në App Store të Apple, ashtu edhe në Google Play, platforma është përdorur nga mijëra fëmijë.
Mbi 50 milionë shkarkime në Google Play
Apple konfirmoi se vendimi për heqjen e aplikacionit zbatohej në të gjithë botën. Ndërkohë, Byroja e Gazetarisë Investigative raportoi të martën se Talkie vazhdonte të ishte i disponueshëm në Google Play, ku ishte shkarkuar më shumë se 50 milionë herë.
Aplikacioni Talkie, i administruar nga SUBSUP, një degë e kompanisë kineze MiniMax me seli në Singapor, është projektuar posaçërisht për të nxitur ndërveprime të zgjatura të përdoruesve me personazhet virtuale.
Dokumentet e brendshme të kompanisë, të shqyrtuara nga gazetarët gjatë investigimit, treguan se përdoruesit e Talkie dhe të versionit të tij për tregun kinez shpenzonin mesatarisht më shumë se 70 minuta në ditë në këto platforma.
Hera e dytë që Apple largon aplikacionin nga platforma e saj
Vendimi i fundit shënon herën e dytë që Apple tërheq aplikacionin Talkie nga dyqani i saj virtual.
Një version i mëparshëm i aplikacionit ishte hequr në vitin 2024 për shkak të përmbajtjes së papërshtatshme të krijuar nga përdoruesit, përpara se kompania MiniMax të publikonte një version të ri në vitin 2025.





