Putin: “Udhëheqësit ukrainas ulen në tualete të arta, nuk mendojnë për ushtarët e tyre.”
Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 1.366-të. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti thirrjen e tij për një “paqe dinjitoze”, pas takimit me Sekretarin e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Daniel Driscoll, i cili i paraqiti planin 28-pikësh të Uashingtonit për t’i dhënë fund pushtimit rus. Zelensky deklaroi se Ukraina është e gatshme të punojë për një marrëveshje që ruan pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit.
“Ukrainës i duhet paqe. Një paqe dinjitoze, ku kushtet respektojnë pavarësinë dhe sovranitetin tonë, si edhe dinjitetin e popullit ukrainas,” u shpreh ai në rrjetet sociale. “Përsërita atë që është me rëndësi themelore për ne dhe ramë dakord që ekipet tona do të vijojnë punën mbi këto propozime, që ato të kthehen në hapa konkretë. Ne nuk do të bëjmë deklarata të ashpra: jemi të përkushtuar të punojmë qartë dhe me ndershmëri, së bashku me Shtetet e Bashkuara, miqtë dhe partnerët tanë në Evropë dhe në mbarë botën.”
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin sulmoi udhëheqjen ukrainase, duke deklaruar se “udhëheqësit ukrainas ulen në tualete të arta dhe nuk mendojnë për ushtarët e tyre”, një deklaratë që lidhet me akuzat e përsëritura për korrupsion brenda Kievit.
Në debat ndërhyri edhe kryeministrja estoneze Kaja Kallas, e cila theksoi se çdo plan paqeje duhet të përfshijë drejtpërdrejt Ukrainën dhe vendet evropiane. Po ashtu, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të ketë një rol aktiv në proces.
Ndërkohë, autoritetet ruse njoftuan se i kanë dorëzuar palës ukrainase rreth një mijë trupat e ushtarëve që, sipas tyre, u përkasin të rënëve të Ukrainës.
(Burimi: TGCom)






