Në “Fletoren Zyrtare” nr. 213 të ditës së hënë (17 nëntor 2025), është publikuar për hyrje në fuqi vendimi nr. 339, datë 3.11.2025, i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili miraton një akt me emërtim të gjatë dhe pompoz: “Rregullore për Kodin e Etikës dhe Parandalimin e Konfliktit të Interesit për Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. Në thelb, ligji i ka kërkuar “Qeverisë së Prokurorëve” të miratojnë thjesht një Kod Etik, asgjë më shumë. Një dokument të qartë, të përmbledhur, me disa rregulla mbi sjelljen institucionale, siç e përkufizon shprehimisht neni 159, pika 2, germa “f)”, në ligjin 115/2016: “Mbledhja plenare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë miraton Kodin e Etikës së Këshillit”.
Ishte një detyrë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, pa hapësira filozofike, pa platforma doktrinare dhe pa nevojë për inovacion juridik – bërja e Kodit Etik. Por, duket se për 11 anëtarët e KLP-së, të cilët paguhen dhe akomodohen si një kabinet qeveritar i mirëfilltë, me paga dhe zyra mbresëlënëse, misioni ka qenë shumë më fisnik: të shpikin një specie të re normative, një hibrid të pazakontë: Rregulloren-Kod.
Hibrid-Rregullorja ka të singjashmen e saj, të krijuar rishtazi, pak para Diellës: Draft-Kodin Penal.
E firmosur me solemnitet nga kryetarja e KLP-së, pedagoge e së drejtës, e cila supozohet të edukojë brezat e rinj të juristëve me standardet e arsyetimit juridik dhe formulimin teknik të akteve, rregullorja përbën një model të spikatur se si mungesa e saktësisë profesionale shndërrohet në patetizëm institucional. Sikur vetëm lista e bazës ligjore të shihet, ky është shembull i një tendence të stolisur, sikur rëndësia e aktit duhet të matet me numrin e dispozitave të renditura, pavarësisht nëse kanë apo jo lidhje me objektin.
Citohet, shkohet deri te Kodi i Procedurave Administrative, pa përmendur asnjë nen të tij. A thua se, po të hedhësh një ligj mbi letër, dukesh i thellë e akademik. Ironikisht, çdo student i vitit të parë – e madje edhe një nxënës që sapo ka përfunduar edukimin qytetar – e di që një akt procedural nuk mund të shërbejë si bazë materiale juridike për një akt normativ të brendshëm. Por, me sa duket, në KLP mjafton emri i një ligji për të krijuar iluzionin se themelet janë “të forta”.
Pastaj vjen preambula. Po, po, preambula! Një preambulë më e gjatë se vetë Kodi, një tekst solemn me ton konstitucional, që fillon duke deklaruar se integriteti, pavarësia dhe paanshmëria e sistemit të prokurorisë janë themeli i shtetit të së drejtës. Nëse dikush nuk e dinte se ku është Shqipëria sot, do të mendonte se KLP-ja po harton Kushtetutën e re të këtij vendi. Preambula është një element karakteristik i kushtetutave, jo i rregulloreve të brendshme administrative.
Rregulloret nuk kanë preambula dhe nëse gjuha e përdorur pretendon solemnitet shtetformues, në fakt ajo tregon vetëm zbrazëti konceptuale, kotësi institucionale.
Prej saj nuk lind asnjë dispozitë, asnjë normë, asnjë detyrim; është vetëm një shkrim ceremonial me fjalë të mëdha, që ka më shumë rol propagandistik sesa funksion juridik. Por, duket se ka qёnë tejet e rëndësishme të thuhej me zë të lartë se KLP-ja është palë e shenjtë e Republikës dhe nga vullneti i saj buron besimi popullor. Besimi në drejtësi, që në praktikë, mbetet vetëm një klishe e përsëritur dhe e përdorur shumë, aq sa nuk e beson më askush.
Dispozitat e aktit pastaj e zbulojnë me qetësi natyrën e tij.
Neni 1, që flet për pavarësinë, arrin kulmin e “shqetësimit” institucional te pika 3, ku thuhet se reagimi ndaj kritikave ndaj sistemit apo vetë KLP-së duhet të jetë i ekuilibruar, duke shprehur qëndrimin e institucionit pa gjykime emocionale.
Me sa duket, kjo është plagë e madhe kombëtare: si të reagojë KLP-ja kur Kryeministri bën një status në Instagram, Facebook apo X ose kur portale të caktuara shkruajnë për “retreat”-et e tyre përgjatë bregdetit. Një standard etik i kohëve moderne: kod etike që vepron si manual komunikimi publik.
Neni 2, për paanshmërinë, kujdeset që anëtari jo vetëm të jetë i paanshëm, por të duket i tillë. Pra, qetësisht pranohet se në realitet konfliktet, marrëdhëniet dhe interesat ekzistojnë, e rëndësishme është të ruhet aparenca.
Neni 4 shkon edhe më larg, duke promovuar aktivitete për krijimin e një “mjedisi të shëndetshëm pune”, një mënyrë elegante për të mbuluar udhëtimet periodike dhe aktivitetet social-reflektive për “thellim profesional” buzë detit dhe liqeneve, që publiku i quan ndryshe.
Neni 5, ndërkohë, është një perlë e veçantë: nënkupton se anëtarët duhet të zhvillojnë vazhdimisht aftësitë e komunikimit dhe punës në grup, sikur “anëtarët” të mos jenë përzgjedhur për kompetencat e tyre profesionale, por për prani rekreative në workshop-e motivuese.
Neni 11 kulmon duke i vënë kapakun këtij Kodi: KLP “duhet të shqyrtojë mundësinë” e krijimit të një komisioni etike. Nuk detyrohet ta krijojë, vetëm ta shqyrtojë. Nuk ka detyrime, vetëm opsione. Nuk ka strukturë të sanksionuar nga ligji, vetëm mundësi të lira për t’u hapur ose mbyllur sipas interesit të momentit. Një kod etik afërmendsh që respektohet dhe zbatohet, por ky “allasoj” kod vetëm ofron mundësinë që të flitet për mundësinë e ndonjë rregulli të ardhshëm.
Në fund, teknika ligjore formale është në “retreat”; ajo bie ndesh me standardin elementar juridik: hyrja në fuqi përsëritet dy herë, një herë në vendim dhe një herë në rregullore. Kodet etike nuk kanë dispozitë hyrjeje në fuqi, ajo përcaktohet vetëm në aktin miratues. Një gabim që nuk e lejon as një mësues i vitit të parë, lëre më një organ që qeveris sistemin e prokurorisë, me emër të madh “KLP”.
E gjitha kjo, nëse hiqet retorika, është një pasqyrë realiste e gjendjes ku është drejtësia. Jo thjesht për nivelin e dokumentit, por për mentalitetin që ajo përfaqëson.
KLP-ja? – Një institucion që e sheh veten me peshë historike, por që nuk zotëron as minimumin teknik të hartimit të akteve. Një organ që shpall solemnitet etik, por shmang çdo detyrim real. KLP-ja, një institucion brenda një sistemi, që kujdeset vetëm për retorikën dhe fjalët, por aspak për përmbajtjen.
Nëse kjo është cilësia profesionale në majën e piramidës së vetëqeverisjes së prokurorisë, atëherë nuk kemi një krizë sistemi, por një dështim të heshtur të standardeve të gjithëpranuara të tij.
Një dështim që ndoshta nuk vjen nga paaftësia e individëve, por nga bindja e plotë se askush nuk i kontrollon, se askush nuk do të pyesë se çfarëdo të shkruajnë në letër, publiku do ta duartrokasë – do ta pranojë si të shenjtë.
Kështu, pas KLP-së, vjen KLGJ-ja, ILD-ja e me radhë, të gjitha të pajisura me “rregullore” dhe figura erudite në fushën e drejtësisë.
Të gjithë shqiptarët presin me besim, prej tyre.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






