Teknika të lashta të ndërtimit, të përdorura prej shekujsh në vendet e Mesdheut, mund të jenë sot zgjidhja më e thjeshtë dhe më efektive për përballimin e valëve gjithnjë e më të forta të të nxehtit në Europë. Kështu argumenton studiuesja dhe arkitektja Rosa Schiano-Phan në një analizë për “The Independent”, ku shpjegon se klima e Britanisë po afrohet gjithnjë e më shumë me atë të qyteteve mesdhetare si Marseja.
Ajo kujton se që në fund të viteve ’90 ekspertët paralajmëronin se Londra e së ardhmes do të kishte temperatura të ngjashme me jugun e Francës. Sot, thotë ajo, ky paralajmërim nuk duket më teorik. Valët e të nxehtit janë bërë pjesë normale e verës europiane dhe shumë qytete nuk janë ndërtuar për t’i përballuar ato.
Sipas saj, një nga mënyrat më të thjeshta për të ulur temperaturën në banesa është ndryshimi i ngjyrës së ndërtesave. Sipërfaqet e bardha reflektojnë rrezet e diellit në vend që t’i thithin ato. Studimet tregojnë se lyerja e çative me ngjyrë të bardhë ose përdorimi i materialeve reflektuese mund të ulë temperaturën e brendshme të një ndërtese me më shumë se 1 gradë Celsius, ndërsa në disa raste edhe mbi 4 gradë. Po ashtu, temperaturat e jashtme në zonat urbane mund të bien deri në 2 gradë.
Kjo ndihmon në luftimin e efektit të “ishullit urban të nxehtësisë”, fenomen ku asfaltet, betoni dhe sipërfaqet artificiale grumbullojnë vapën dhe i bëjnë qytetet shumë më të nxehta se zonat përreth.
Por ekspertja thekson se asnjë masë nuk funksionon e vetme. Efektiviteti vjen nga kombinimi i disa teknikave tradicionale mesdhetare: mbyllja e dritareve gjatë orëve më të nxehta, përdorimi i grilave ose tendave të jashtme, ventilimi natën dhe muret e trasha që ruajnë freskinë e natës gjatë ditës. Pikërisht kjo është arsyeja pse shumë shtëpi tradicionale mesdhetare mbeten të freskëta edhe në temperatura ekstreme.
Ventilimi gjatë natës konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm, sidomos nëse temperatura jashtë bie pas perëndimit të diellit. Në qytete të mëdha si Londra apo Manchesteri, ku efekti i nxehtësisë urbane është shumë i fortë, çatitë reflektuese dhe shmangia e përdorimit të tepërt të kondicionerëve bëhen edhe më të rëndësishme, pasi vetë kondicionerët çlirojnë nxehtësi në ambient.
Një shqetësim i zakonshëm është nëse çatitë e bardha do t’i bëjnë shtëpitë më të ftohta gjatë dimrit. Por Schiano-Phan shpjegon se ky ndikim është minimal, sidomos nëse ndërtesa është e izoluar mirë. Në klimën e veriut të Europës, drita e dimrit është e dobët dhe shpesh e mbuluar nga retë, ndaj ruajtja e nxehtësisë varet më shumë nga izolimi i ndërtesës sesa nga ngjyra e saj.
Ajo thekson se zgjidhjet nuk janë domosdoshmërisht të shtrenjta apo teknologjike. Në shumë raste, një shtresë bojë e bardhë dhe disa ndërhyrje të thjeshta në dizajn mund të ndihmojnë që shtëpitë të jenë më të freskëta, më ekonomike dhe më të përgatitura për ndryshimet klimatike dhe çmimet e larta të energjisë në vitet e ardhshme.
(Burimi: The Independent)





