Nga kontrasT.al
Nëse dikush kërkon shembullin perfekt që tregon sesi të ecësh mbi ujë – në ekonomi – ja ku është Shqipëria. Sipas misionit të FMN-së që vizitoi Tiranën në këtë nëntor, po kalojmë “një pikë kyçe”. Jo se kemi zbuluar ndonjë formulë makroekonomike për të rritur ekonominë, por për shkak se udhëheqësit tanë kanë vendosur të na argëtojnë me një spektakël reformash. FMN është ftuar për të qenë juria.
Sipas misionit të FMN-së që vizitoi Tiranën në nëntor 2025, zhvillimi ekonomik shqiptar është, thuajse, një përrallë: rritje prej 3.5% në 2025, inflacion modest, borxh publik në rënie, rezervat e huaja fortësisht mbushur. Në vend që të shqetësohemi, mund të mendojmë që, me këtë ritëm, brenda pak vitesh do të bëhemi “Shqipëria-Silicon-Valley-në-Ballkan”.
Por – dhe gjithmonë ka një “por”: FMN-ja na shkund butësisht për të na zgjuar nga ëndrra: “Po, ecni mirë, por mos harroni se rreziku vjen nga jashtë: tensione gjeopolitike, luhatje çmimesh, pasuri aktive që mund të kthehet në pasuri pasive”.
Sipas FMN-së, qeveria jonë është futur në episodin e reformave strukturore – por jo si aktore kryesore, më shumë si një bashkë-protagoniste që ka harruar tekstin: “produktiviteti është ende i ngadalshëm, dializa e BE-së (për integrimin) kërkon më shumë injeksione”.
Në fushën fiskale, FMN-ja shikon se po luajmë me zjarrin: “ruani rezervat buxhetore”, “mobilizoni më shumë të hyra”, “modernizoni administrimin tatimor”, “hiqni përjashtimet tatimore që janë të shtrenjta dhe regresive”. Megjithëse me gjuhë diplomatike, kjo tingëllon si: “Hej, ndërprisni festën e përjashtimeve dhe tatimeve miqësore, se ju nuk po gjeni para për të përballuar shpenzimet e vërteta”.
Më tej, FMN-ja i thotë Bankës së Shqipërisë: “Mos u trembni, jini fleksibël! Kur të vijnë goditjet, lëreni kursin të lëvizë – mos u mbyllni si kallamar në rezervuar.” Dhe po, është pak ironike kur na mësojnë se si të reagojmë kur jeta bëhet pak e paparashikueshme.
Sektori financiar vendas nuk është kursyer nga vërejtjet diplomatike: bankat janë “mirë kapitalizuar, likuiditeti është i lartë”, por ka “ekspozime të mëdha ndaj kredive në valutë”, dhe pasurive të paluajtshme (real estate) në rritje, që për momentin është një lloj valleje e thjeshtë që kërcehet, por mund të kthehet edhe në kaos, si brenda një “pub”-i me probleme. Pra, po na qetësojnë: gjendja është mirë, por nuk është “party” pa rrezik. Diçka të vogël harruan dhe nuk na treguan: se kush po zhvillon dhe kush po i blen këto pasuri të paluajtshme…
Shumë të mençur janë ekspertët e FMN-së kur propozojnë “masa më të kujdesshme (prudente)”: mbikëqyrje më strikte, rregulla më të forta, buffer kapitali – diçka sikur të thuash “sigurojeni veten para se të bësh selfie me suksesin”.
Në fund, FMN-ja na ushqen me ëndrrën e reformave që do të na sjellin “përfitime të qëndrueshme”: edukimi, teknologjia, zhvillimi i punës, qeverisje më e mirë, më pak korrupsion – dhe, natyrisht, integrim evropian. Por FMN-ja na tregoi gjithashtu se, nëse nuk bëjmë “punën e vështirë tani”, gjërat mund të degradojnë: borxhi mund të rritet, llogaritë mund të luhaten, dhe plani B (nëse ka një të tillë) nuk do jetë magji – por do jetë krizë.
Pra, çfarë duhet të kuptojmë ne, qytetarët shqiptarë? Se jemi vend me potencial, që ka zgjedhur të ecë përpara “për në Evropë” – me ndihmën e “tutorëve” ndërkombëtarë. Ne nuk jemi fëmijë që kemi nevojë të tërhiqemi prej dore – por nuk jemi as superheronjtë që me duart tona mund të krijojmë “mrekullinë” ekonomike.
Megjithatë FMN-ja, diçka të vërtetë, të drejtëpërdrejtë e thotë: “Shqipëria ka mundësi, por kjo nuk është paradë pa sfida; reformoni, menaxhoni rreziqet dhe mos harroni se, ky udhëtim është më shumë maratonë sesa sprint.”
Në fakt, ky udhëtim i “Marathonomakëve” shqiptare me “ëndrrën evropiane” ndezur, nuk është fare i lehtë, ndoshta është rrugë e pamundur, mbushur me pengesa aq të larta, sa dhe diplomacia më elegante do e kishte vështirë t’ua fshihte syve që shohin.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






