Nga kontrasT.al
Shqipëria kёrkon tё bёhet me ligj “Pёr Lobimin”. Një ligj modern qё e ka SHBA dhe BE, importohet për një realitet të brishtë institucional si yni.
Ishte 3 dhjetor, disa ditё mё parё kur, Këshilli i Europës njoftoi me krenari se kishte mbështetur një tryezë konsultimi për projektligjin e ri “Për lobimin” në Shqipëri. Sipas njoftimit zyrtar, ligji shihet si “një hap i rëndësishëm për transparencën, llogaridhënien dhe forcimin e besimit publik te institucionet” dhe do të shoqërohet madje edhe me ngritjen e një “Regjistri dixhital të lobimit”, pjesë e një projekti të bashkёfinancuar me Zvicrën.
Shqipёria qё nuk ka njё regjistёr pёr avokatёt, veterinerёt apo noterёt, pretendon tё ketё njё regjistёr pёr “sekserёt e influencёs”, ata qё quhen lobistё. Në BE rregullimi i punës së lobistëve, mbetet akoma njё problem. Një regjistër lobistёsh me emra organizatash, kompanish apo personash të pavarur, parlamenti evropian e prezantoi vetёm nё vitin 2011.
Shqipёria qё ende nuk ka hyrё nё BE, si pjesё e 27 vendeve tё EU, ёshtё gati tё ketё legjislacion dhe standarte tё barabarta me to. Lobimi, ёshtё njё prej tyre.
Shpesh termi “lobim” nё vendet qё e njohin me ligj, mban ngarkesё negative nё perceptimin publik dhe mediatik, ndaj dhe nё “korridoret” e politikёs europiane apo amerikane, lobimit pёrpiqen t’i gjejnё njё sinonim mё tё “ndershёm”.
E dёshiruar pёr pёrafrimin dhe pёrngjasimin me standardet perëndimore, qeveria shqiptare bën ligje moderne, ekspertët e huaj vёrshojnё t’i “qepin” teknikisht si nё kostumet europiane, por nё fund ashtu si nё fillim, askush nuk pyet: A është Shqipëria gati për to? A janё gati shqiptarёt tё pёrdorin një ligj “Për lobimin”? Jo në letër, por në praktikë.
Projektligji “Për lobimin” prezantohet si mjet për të vënë rregull aty ku deri tani ka mbizotëruar informaliteti. Që në nenin 3, ai përcakton qartë se për kë zbatohet:
“Ky ligj zbatohet për përfshirjen në veprimtari lobimi të:
a) anëtarëve të Kuvendit, gjatë ushtrimit të funksionit të tyre ligjvënës;
b) anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe funksionarëve politikë pranë tyre;
c) nëpunësve të administratës publike që ushtrojnë funksione vendimmarrëse;
ç) funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar në nivel vendor, si dhe punonjësve të njësive të vetëqeverisjes vendore që ushtrojnë funksione vendimmarrëse.”
Pra, ligji kap deputetët, ministrat, drejtuesit e administratës, bashkitë. Te gjithë ata që mund të ndikohen nga bizneset, oligarkët apo investitorët.
Problemi nuk qëndron se çfarë shkruhet në nen, por si do zbatohet nё realitet. Dihet qё, “deal”-et dhe kontaktet mes zyrtarëve tё shtetit tonё dhe interesave private tё biznesit, nuk kalojnё pёrmes email-it zyrtar, protokollit ose procesverbalit. Ato kalojnё nga kafenetë, drekat buzë detit, bisedave “mes miqsh”, telefonatave qё nuk gjurmohen, apo pёrmes porosive qё jepen nё forma tё “sigurta” komunikimi. Në këtë kulturë e realitet, ёshtё thuajse e pamundur tё mendosh se “tani do vendosim rregull, gjithçka do hyjë në Regjistrin e Lobimit”.
Edhe definicionet janë shumë të gjera. Projektligji thotë se:
- “Lobim” është çdo veprim për të ndikuar vendimmarrjen publike, përmes komunikimit me zyrtarët.
- “Lobist” është kushdo që kundrejt shpërblimit, apo në interes të vet, përpiqet të ndikojë ligje, politika apo vendime administrative, duke komunikuar me zyrtarët.
- “Përfitues i lobimit” është çdo person fizik apo juridik, në emër të të cilit ushtrohet lobimi.
Në një vend me institucione të forta, këto janë përkufizime normale. Në Shqipëri, me kulturë klienteliste të vendimmarrjes, këto fjali hapin një shteg shumë të rrezikshëm: gjithçka që sot quhet “presion”, “ndikim i padrejtë”, “pazar”, nesër mund të rishkruhet si “lobim i regjistruar”.
Korrupsioni mund tё quhet lobim, ose vetё “lobimi” mund tё kёrkojё ta veshё me alibi korrupsionin.
Mjafton të kthehemi te disa raste që tashmë janë bërë publike. Biseda të dala nga dosjet hetimore, ku biznesmenë, ndërtues, “lobues” joformalë diskutojnë për leje ndërtimi, plane rregulluese, favore, emërime. Sot, këto trajtohen si fakte që çojnë nё hetime për korrupsion apo shpërdorim detyre. Me një ligj shqiptar për lobimin, shumë prej këtyre kontakteve do të mund të justifikohen: “po negocionim një kontratë lobimi”, “po përgatisnim dokumentet për regjistrim”, “nuk ёshtё korrupsion, sepse ishte pjesë e procesit të lobimit legjitim”.
Kjo bëhet edhe më dyshuese kur sheh nenin 15 tё projektligjit “Për lobimin”. Kontrata e lobimit bёhet alibia perfekte po tё lexosh kёtё nen: Lobisti nuk mund të ushtrojë veprimtari pa kontratë me shkrim. Por ama kontrata mund të dorëzohet te Komisioneri brenda 15 ditëve nga data e lidhjes.
Gjetje praktike. Lobimi mund të ketë nisur, takimet mund të jenë bërë, mesazhet mund të jenë shkëmbyer, presioni “politik” mund të jetë ushtruar, dhe vetëm më pas, kur dikush e sheh të arsyeshme, zyrtarizohet edhe kontrata. Në një vend si Shqipёria, njё parashikim evaziv me afate “15-ditore” është ftesë e hapur për abuzim. Sot kontaktet e fshehta mund të përbëjnë provë për korrupsion. Nesër mund të paraqiten si alibi para SPAK, si “fazë paraprake e një marrëdhënieje lobimi në proces formalizimi”.
Imagjinohet një kompani ndërtimi që kërkon leje për një kullë të re në Tiranë. Sot, kur dëgjojmë për takime të mbyllura mes kryebashkiakut, drejtorëve të urbanistikës dhe biznesmenëve, mendja të shkon te korrupsioni, pazaret, favorizimet. Nesër, me ligjin “Pёr lobimin”, e njëjta kompani mund të ketë një lobist të regjistruar:
- Lobisti nënshkruan kontratë me kompaninë.
- Dorëzon kontratën te Komisioneri brenda 15 ditëve.
- Takohet me kryetarin e bashkisë, drejtorët, këshilltarët.
- Dërgon “opinione teknike” pse kulla është “zhvillim strategjik”.
- Shfaqet edhe në dëgjesa publike, ku flet për “punësim” dhe “rigjallërim të zonës”.
Formalisht, ky është lobim i ligjshëm. Në thelb, është e njëjta histori e vjetër: një interes privat që kërkon maksimumin nga një vendim publik. Diskutimi nuk do të bёhet më nёse kishim tё bёnim me “korrupsion” apo thjesht “ndërhyrje”, por nёse jemi para rastit tё “lobimit me kontratë” apo “lobimit pa kontratë”.
Një terren i favorshëm për abuzim janë edhe ligjet e “qepura”. Deri tani, kur një ligj përputhet çuditshëm mirë me interesat e një oligarku apo një sektori shumë pranë tij, flitet për “ligj të porositur”. Nesër, e njëjta gjë mund të shitet ndryshe: si “kontribut i sektorit privat në hartimin e politikave”, “proces lobimi me përfshirje të biznesit”, “harmonizim i legjislacionit me nevojat e tregut”.
Një “lobist i regjistruar” mund të hartojë nenet, t’i dërgojë gati nё ministri, të organizojë tryeza të mbyllura me “aktorёt e interesuar”, e më pas të shfaqet në komisionet parlamentare si “ekspert i fushës”. Në teori, ky është lobim. Në praktikë, është po ajo gjë që Shqipëria ka njohur për shumё vite “demokraci”, si kapje të ligjvënies, tё vetё shtetit, nga interesat e ngushta private qё shumё shpesh, janё “kapur” tё lundrojnё kundёr interesit publik.
Kush ёshtё autoriteti qё do mbikёqyrё kёtё “qenie” tё re, qё do i pёrngjajё “Diellёs” por do ketё gjak dhe mish? Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ligjërisht, ky është institucion i pavarur. Në realitet, pavarёsisht emrit qё e drejton apo do e drejtojё nё tё ardhmen, historia ka treguar qё pavarёsia e tij “varet” nё litarin e qeverisё.
Kёtij institucioni do t`i kërkohet që të regjistrojë lobistët; tё kontrollojë kontratat; tё publikojë listat; tё mbikëqyrë ish-zyrtarët që nuk duhet të lobojnë për 2 vite dhe, nё fund tё marrё masa “administrative”- t’i gjobisё “tё pabindurit”.
Në një vend ku, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk ruan dot “shapkat” e veta, është e vështirë të besosh se do të ketë fuqinë reale të kontrollojë marrëdhëniet më delikate mes politikës dhe biznesit.
Pikërisht këtu hyn në lojë dilema me Këshillin e Europës. Projekti “Enhancing Public Sector Resilience Against Corruption” duket shumё serioz dhe angazhues. Fonde, ekspertizë, asistencë teknike, trajnime. Nё fund tё fundit, projektet “e tyre” pёrqёndrimin e vёrtetё e kanё te produkti i dukshёm, i gatshёm pёr t`u reklamuar nё faqet e tyre zyrtare dhe nё raportet pёrfundimtare pёr Shqipёrinё. Ҫdo gjё do jetё “Ok”. Ligji “Për lobimin” i miratuar, regjistri dixhital i ngritur, shumё workshop-e me ekspertë tё zhvilluara me sukses, dhe nё fund festё bashkё me njё rekomandim pozitiv pёr në Bruksel e Strasburg.
Por ka njё pyetje qё ekspertёt e huaj nuk e bёjnё dhe nuk do e bёjnё pёr lobimin. A e ka sot Shqipëria kulturën, pjekurinë politike dhe forcën institucionale, për ta zbatuar këtë ligj, pa e kthyer “lobimin” në alibi tё korrupsionit?
Nëse përgjigjja do ishte “Jo, ende jo!”, atëherë nuk kemi të bëjmë me një instrument real kundër korrupsionit, por me një sofistikim me veshje ligjore tё tij. Njё rrezik të qartë, që korrupsioni, klientelizmi dhe kapja e shtetit të mos fshihen më nën tryezë, por të dalin mbi të, me kontratë, me NIPT, me logo, me “kostum dhe kollare” dhe tё veshur me termin modern: “lobim”.
Do jetё njё sfidё e re për prokurorinë, veҫanёrisht për SPAK, sepse qytetarët e zakonshёm nuk do dinё të dallojnë, ku mbaron “lobimi” i ligjshëm dhe ku fillon blerja e vendimmarrjeve kundёr interesit tё tyre. Sepse ky ligj rrezikon seriozisht të mos jetë mjet për transparencë, por hapi final pёr legalizimin e ndikimit të paligjshëm mbi vendimmarrjen publike.
Shqipëria, ndryshe nga BE dhe SHBA, ku lobimi është pjesë e një kulture të gjatë e tё sprovuar institucionale, ende nuk e ka luksin të bëjë eksperimente kaq të rrezikshme…tё regjistrojё “korrupsionin” me adresё dhe emёr, nё regjistёr.




© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






