Nga kontrasT.al
Emri i Ombudsmanit të Shqipërisë – Avokatit të Popullit – ka katër vjet që mbahet peng nga palët që nuk e zgjedhin atë, mazhoranca dhe opozita. Ato e zgjedhin Ombudsmanin me 84 vota, sipas ligjit, pra me 3/5 e 140 deputetëve.
Erinda Ballanca u zgjodh në 22 maj 2017 me 114 vota, për një mandat 5-vjeçar që i përfundoi në 22 maj 2022. Edhe 5 muaj të tjerë dhe ajo do plotësojë një mandat tjetër të plotë – pa u rizgjedhur, pa u mandatuar nga Kuvendi. Erinda do e thyejë këtë rekord botëror parlamentar!
PD dhe PS po bëjnë një “sherr” shembullor për zgjedhjen e një përfaqësuesi të institucionit që nuk e kanë pasur kurrë në “refene”, për shkak të fuqisë që nuk ushtron mbi Politikën, mbi vetë ata.
Ligji “Për Avokatin e Popullit” është një klonim i ligjit danez dhe atij suedez, qethur në berberhanen juridike të Shqipërisë në 1999.
Suedia ka 4 Ombudsmanë që i zgjedh parlamenti, me shumë rëndësi dhe fuqi. Ata kanë rolin e një prokurori të jashtëzakonshëm. Mund të iniciojnë hetime ndaj kujtdo zyrtari publik për dyshime të veprave penale. Nuk lejohet vetëm hetimi i “Lirisë së Shtypit”, pra i gazetarëve.
Suedia nuk e forcoi kaq shpejt rolin e Avokatit të Popullit. Për herë të parë parlamenti suedez e zgjodhi një Avokat Populli në 1810. Në 1967 e bënë me tre dhe në 1975 e bënë me 4 numrin e tyre. Suedezëve iu deshën 165 vjet për të kuptuar se u duhen 4 Avokatë Populli, që të “përgjigjen dhe mbrojnë të drejtat, liritë dhe interesat e shtetasve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme të organeve publike, të vetë shtetit”.
Parlamenti danez e zgjodhi për herë të parë një Ombudsman në 1955, në kohën kur Hrushovi i BRSS dhe Enveri i Shqipërisë kishin mosmarrëveshje të mprehta brenda kampit socialist.
Në Shqipëri, “vikingët” na huazuan ligjet por jo traditën. Nëse dy herët e para 2000-2010, Ermir Dobjani ushtroi dy mandate pa shumë babëzi politike, dy herët e tjera “Avokati i Popullit” u analizua mirë e mirë. Tradita e pashkruar parlamentare e donte që avokatin në parim ta propozonte opozita dhe pozita me një “bujari” kartonash i jepte një dakordësi dhe mesazhin “Ejani na kontrolloni!”. KLSH-ja bashkë me Avokatin e Popullit kanë qenë gjithnjë instrumenta të opozitës në dy dekadat e fundit.
Igli Totozani u zgjodh Avokat Populli me 127 vota në dhjetor 2011. Mandati i tij u zgjat më tepër se një vit, deri në 2017-ёn, derisa u zgjodh me “dëshirë” opozitare Erinda Ballanca, e cila nga propozim opozitar u kthye në aset qeveritar, në mandatin e dytë – pa mandat – të saj. Një rastësi apo përzgjedhje, nuk mund të përcaktohet qartë mbi faktin se të dy këta Ombudsmanë kanë qenë në të njëjtën klasë studimesh juridike me Argita Berishën, “The General’s Daughter”. I padiskutueshëm është fakti se Erinda Ballanca është zgjedhur nga Qeveria (Ministria e Drejtësisë) në pozicionin e anëtares vëzhguese në Bordin e Menaxhimit të Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore (FRA).
E gjithë kjo histori institucionale pa asnjë trashëgimi të lavdishme për një Ombudsman vjen në ditët e sotme, bashkë me një debat pa kokë, por me bisht, për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit, në Shqipërinë e sotme të sakatuar nga përmjerja e çdo personazhi publik, politik ose jo, nuk i plotëson askush.
Neni 3 i ligjit për Avokatin e Popullit e do këtë person që, përveç se të jetë shtetas shqiptar, “të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit” si edhe “të shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale”.
Kush do i plotësonte kushtet e ligjit?
Artan Fuga, Fatos Lubonja, Aurel Plasari apo Edmond Tupe? Po Ylli Manjani, Eduart Halimi, dy Artan Hoxhat apo Ben Andoni i plotësojnë kushtet?
Mund të bëhet një listë jo shumë e gjatë, ku kushtet do ngecnin diku, në rrjetën e pakalueshme të opinionit tonë publik. Mund të jesh një profesionist apo aktivist i shquar, ke kontribute, por s’ke figurën e pastër… se në Shqipërinë e vogël edhe Kadareja i madh nuk mund t’i plotësojë të gjitha kriteret për të qenë një Ombudsman.
Pa hipokrizi: kush do jetë Avokati i Popullit?
Zgjedhja me interes vetëm politik e Avokatit të Popullit është zgjedhja më e ndershme në Shqipërinë e degraduar politike. Loja me kushtet e ligjit, afatet, procedurat parlamentare është thjesht një alibi për të mos zgjedhur atë që dikush nga të dyja palët kërkon.
Çfarë kërkon PD? Po PS?
Duheshin 28 firma të deputetëve të PD për kandidim. Ato iu dhanë më tepër se gjashtë kandidatëve.
- Adriana Kalaja (44 firma) njëra e Klevis Balliut
- Aranita Brahaj (35 firma) njëra e Agron Gjekmarkajt
- Endrit Shabani (35 firma) njëra e Oerd Bylykbashit
- Besim Ndregjoni (34 firma) njëra e Tomorr Alizotit
- Skënder Haluci (30 firma) njëra e Ina Zhupës
- Tartar Bazaj (28 firma) njëra e Jorida Tabakut
Firmat e hedhura në emrin e Endrit Shabanit tregojnë se për 3000 euro/muaj dhe një “pass diplomatike” një demokrat mund të kthehet edhe në një “halabak”. Jo se rrezikon të zgjidhet ky emër, por se tregon deri në çfarë niveli e ul dinjitetin deputeti demokrat për t’i shërbyer një marrëveshjeje kodoshësh politike.
E si mund të zgjidhet Endrit Shabani, që sipas Arjan Konomit e ka “prapanicën si shitëse bulmeti dhe shalët të shpifura”?
E si mund të ketë dikush një imagjinatë aq të çartur sa të besojë se kallëzuesi në SPAK i Frida Krifcës, Belinda Ballukut, Erjon Veliajt, Ilir Beqes, Blendi Gonxhes, Arben Ahmetajt… e, nëse hapen “letrat” e inceneratorëve ashtu si duhet, kallëzimtari i vetë Edi Ramës – të votohet për Avokat Populli nga 83 socialistët? Jo, nuk ka asnjë mundësi që Endrit Shabani dhe Pano Soko t’i shkojnë në shtëpi Frida Krifcës, kur ajo të lindë binjakë… pak kohë pasi kjo të ketë votuar për Ombudsman, Shabanin!
E njëjta situatë edhe për Jola Hysajn, bashkëshorten e një të inkriminuari të deklaruar. Çështja e ish-zёvendёsdrejtorit të Kadastrës, Leonard Kadrimi, arrestuar me akuzën e tjetërsimit të 448 mijë metër katrorëve në bregdetin e Durrësit, vazhdon. Një Avokat Populli nuk mund ta ketë bashkëshortin në burg dhe emri i saj është hedhur për t’u djegur, nga ata që duan të digjen të gjithë.
Është me mundësi zero zgjedhja e Besim Ndregjonit, armikut të komunistëve. Sa komunistë-socialistë do pranonin të votonin një personazh që edhe po të merrte votat e tyre, do u shante baballarët në sallë?
Skënder Haluca, ish-gjyqtar i shkarkuar nga vetting-u, jo vetëm nuk përmbush asnjë kusht ligjor, por me emrin që ka përbri firmave të deputetëve, forcon idenë se ky proces është farsë dhe është llogaritur të dështojë.
Tartar Bazaj, me të njëjtën ngarkesë të mungesës së kushteve profesionale. Një Avokat Populli nuk mund të pranohet të ketë një arsim të çalë universitar, mezi të përfunduar për 7 vjet, dhe specializim “shkencor” në famëkeqin “Kristal”. Është bërë një kapërcim i paimagjinueshëm në emërimin e tij në KLP, nëse sheh vetëm plotësimin e CV-së së zёvendёskryetarit Bazaj, nga vetë ai.
Mbeten për “votim” nga 83 (plus) socialistët, Aranita Brahaj me Adriana Kalanё.
E para, opozitare e moderuar, e kujdesshme, me synime dhe projekte “pro” dhe “kundër” qeveritare.
E dyta, një luftëtare e përkushtuar e opozitës deri në verbim.
E para, e kuruar, e artikuluar, me stil të veçantë kur mban gotën e verës.
E dyta, një revolucionare pasionante, me pamje “bolshevike”, e ngjirur nga thirrjet për rrëzimin e qeverisë vendore dhe qendrore.
Nëse njëra ka marrë 89 projekte me pagesa të majme, për të projektuar një mesazh opozitar, tjetra ka depozituar 89 kallëzime pasi ka marrë pjesë në 89 protesta për të njëjtin qëllim.
Të dyja mund të quhen “armike” të mazhorancës qeverisëse, por ndërsa njëra (Aranita) mund të jetë e pranueshme nga votat socialiste, prej disa rrethanave që burojnë nga financuesit e projekteve që sollën në Shqipëri “Open Data” dhe “Aset Declaration”, tjetra (Adriana) do ishte “tmerri” i tyre si Avokate e Popullit, kur të kapte shkelje të rënda të funksionarëve shtetërore, apo kur t’i rekomandonte prokurorisë fillimin e hetimeve për vepra penale ndaj tyre.
Komisioni i Ligjeve i kaloi për votim për nesër dy kandidatet e “mbetura” të opozitës. Sali Berisha, kreu demokrat, belbëzoi kur tha një ditë më parë: “Ne nuk marrim pjesë në votim farsë. Ky është një akt i ulët primitiv i Edi Ramës. Tregon tolerancën e tij zero që do të vendosë një person që nuk ka asnjë lidhje me opozitën.”
Kreu demokrat është zënë ngushtë të pohojë se të dyja kandidatet janë të tijat, por nga të dyja Kalaja i doli papritur nga plani, në krye të listës. Dhe Adrianën nuk e do “Veliaj”, ashtu si Endrit Shabanin nuk e do “Arjan Konomi”.
Por ndërsa kandidatit Shabani do t’i dalë para Konomi në hyrje të Parlamentit t’i bërtasë: “O Endri Shabani o mashkulli më k*rvë që ekziston… o skuth, o mashkull legen, o njeri i degraduar, o njeri i fëlliqur, s’ka nevojë Shqipëria për njerëz si ty”;
Adriana Kalasё nuk mund t’i dalë askush e t’i thotë “tërhiqu se ashtu është puna”.
Situata është e pamundur për t’u zgjidhur, ndaj palët do bëjnë një “akrobaci” parlamentare duke mos e zgjedhur Ombudsmanin e ditës së enjte, për ta lënë në 2026-ёn.
Kështu, “Kalaja” e fundit e PD-së do bjerë! Bashkë me kandidaturën me të njëjtin mbiemër dhe moralin e rraskapitur opozitar.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






