Nga kontrasT.al
Mbrëmë, gazetari i njohur Arjan Ҫani, hodhi një informacion “bombë”, live në TV, në emisionin e tij Zonë e Lirë.
“Dëgjoni pak me vëmendje! Në këto tre ditët e fundit, duke përfshirë edhe ditën e sotme, në një restorant në qendër të Tiranës… Mos kërkoni më shumë detaje se kaq. Është kapur në përgjim me foto dhe me audio, një ministër, ministër/ministre, shumë e rëndësishme e qeverisë dhe e njohur, jo nga këto “no name”-et, në takim me një person shumë të lartë të Gjykatës Kushtetuese që është në ikje. Ndiqeni me vëmendje! Nuk ka mjaftuar vetëm ky takim. Ka vazhduar takimi në këto dy-tre ditët e fundit dhe midis këshilltares bionde të ministres aktuale me këshilltarët e njeriut të lartë në Gjykatën Kushtetuese – e një anëtareje të lartë në Gjykatë Kushtetuese. Do flisja më troç, po nuk mundem. Provat janë, nuk di kur do bëhen publike.”
…
“Unë i kam? – I kam! I nxjerr dot për momentin? – Jo!
S’kam akoma autorizim. Të gjithë ata që e dëgjuan, e dinë shumë mirë për kë bëhet fjalë. Ky lajm nuk është për popullin.”
…
“Unë nuk e di kush e ka bërë përgjimin. Nuk e di… Dhe është bërë në një restorant, në një dhomë “prive”, kujdes! Jo në restorant me njerëz, në dhomë “prive”. Në një “prive”! Perlë e paparë!”
Siguria me të cilën foli Arjan Ҫani lë pezull jo vetëm kuriozitetin, por edhe imagjinatën. Po sikur të jetë i vërtetë? Kush është ministrja e rëndësishme që negocionte votën e Gjykatës Kushtetuese në minutat e fundit? Po “bjondja” këshilltare e saj ndërmjetëse, me kë takohej?
Përpjekja për të zgjidhur këtë “puzzle” mediatik, pa të dhëna konkrete, aq sa dha gazetari, përfshin disa emra.
Ministrja “e njohur” në qeverinë Rama, është Elisa Spiropali. Ajo mban postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme prej shtatorit të këtij viti.
Spiropali ka dy këshilltarё, sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme. Një prej të dyve është “bjonde”.


Rezarta Mataj, thuhet në CV-në e këshilltares së Spiropalit: “Nga tetori 2017 deri në janar 2019, ka mbajtur rolin e Sekretares së Kryeministrit në protokoll dhe më pas atë të Asistentes Personale të Kryeministrit të Shqipërisë.”
Ministria e Jashtme ka edhe një person tjetër “bjonde” në përbërje, Zëvendësministren Vilma Premti, e cila është emëruar pa zhurmë, pasi u përfol para një muaji se kryeministri Rama e emëroi Drejtore të Kabinetit të tij.
Vilma Premti ishte deri në shtator Drejtore e Kabinetit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj (edhe kjo bjonde), e cila përfundoi mandatin e saj dhe u zëvendësua nga Asim Vokshi më 25 nëntor.


Premti dhe Zaçaj njihen si shoqe dhe bashkëpunëtore të pandara. Për një dhjetëvjeçar, nga 2010 në 2020, ato drejtuan sektorë juridikë në dy banka greke në Shqipëri. Viti 2021 i lidhi në një zyrë shoqet e vjetra. Në Gjykatën Kushtetuese, njëra kryetare dhe tjetra “shefe” kabineti. Lidhja e tyre me personelin e gjykatës ku punuan disa vjet, duket se është e fortë edhe tani që janë larguar. Vilma Premti figuron ende në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese si Drejtore Kabineti, megjithëse është zëvendësministre.
Sonila Bejtja është gjyqtarja kushtetuese, të cilës i ka mbaruar mandati që në 25 prill 2025. Por vendimi për përfundimin e mandatit të saj u mor vetëm më 16 tetor 2025. Pra, “personi shumë i lartë i Gjykatës Kushtetuese që është në ikje” mund të jetë znj. Bejtja, për të mos menduar ish-kryetaren Holta Zaçaj, e larguar dy javë më parë zyrtarisht.

Po të hulumtohen emrat e publikuar të këshilltarëve në Gjykatën Kushtetuese, marrë në revistë që nga këshilltari kryesor, Ama Kraja, CV-të e tyre nuk lënë asnjë dyshim se kush mund të jetë takuar me “bjonden” e ministres “enigmatike”.
Kaliona Nushi, Ermal Tauzi, Noela Ruço, Brunilda Bara, Gentian Mete, Ela Elezi, Elona Gjergjani dhe Jonida Kondili janë të gjithë emra dinjitozë për t’i vendosur në lupën e dyshimit.
Atëherë, për kë aludonte gazetari Arjan Ҫani në konfesionin “sekret” mbrëmjen e së premtes?
Kush janë “komplotistet” e përgjimit ambiental në zonën “prive” të lokalit të panjohur në qendër të Tiranës? Çfarë kanë thënë ato? A u përcaktua fati i qeverisë në atë lokal?
Por pyetja me përgjigjen përvëluese brenda saj është: kush i përgjonte “bjondet” e qeverisë dhe ato të Gjykatës Kushtetuese? Drejtësia apo rastësia?
Deri në daljen e së vërtetës që Arjan Ҫani e garantoi se është e tillë, por që s’është i autorizuar ta dekonspirojë më tepër se sa tha, “bomba” e komplotit kushtetues mbetet e paplasur, bashkë me kuriozitetin publik, që po rritet çdo orë që kalon nga mbrëmja e datës 12 dhjetor 2025.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






