Nga kontrasT.al
Në Shqipëri, Banka e Shqipërisë kujdeset për stabilitetin financiar, inflacionin, rezervat valutore dhe për këtë mburret shpesh. Por kjo kryebankë nuk kujdeset për njeriun, nuk njeh dhimbjen, nuk ka shpirt.
Historia që do tregohet më poshtë është kaq absurde sa do të dukej si satirike, po të mos ishte e vërtetuar me vendime zyrtare dhe dokumente shtetërore.
Një punonjës me arsim të lartë në administrim biznesi, specialist prej vitesh në Bankën e Shqipërisë, u diagnostikua me kancer të zorrës së trashë. Pas operacionit, kimioterapisë dhe gjithë dramës njerëzore që shoqëron një diagnozë të tillë, ai rikthehet në punë. Dhe këtu fillon “kujdesi institucional” i Bankës së Shqipërisë për punonjësin e saj.
Në vend që të tregojë atë që në letër quhet institucion modern, evropian dhe për më tepër i përgjegjshëm, ajo vendos ta “lehtësojë” punonjësin duke e transferuar nga specialist… në mirëmbajtës. Nga tavolina e zyrës së nëpunësit bankar, te veglat e punës fizike. Nga arsimi universitar, te kriteri “arsim i mesëm profesional”.
Në logjikën e Bankës së Shqipërisë, një njeri që po bën kimioterapi duhet të kontrollojë pajisje mekanike, të gjejë e riparojë defekte dhe të kryejë punë fizike, mundësisht të bëjë karpentierin. Kjo, sigurisht, “për të mirën e shëndetit të tij”.
Morali i një institucioni pa “zemër”
Vetë manuali i punës së “mirëmbajtësit”, i administruar nga Banka e Shqipërisë, parashikon detyrë fizike, punë teknike dhe ngarkesë që bie ndesh drejtpërdrejt me gjendjen shëndetësore të një personi në trajtim onkologjik. Por Banka e Shqipërisë ka zbuluar një terapi të re për këtë lloj punonjësi: kimioterapi + punë krahu.
Kur punonjësi, i rraskapitur fizikisht dhe psikologjikisht, kërkoi të rikthehet në pozicionin e tij të mëparshëm, në zyrën me kompjuter të punës, përgjigjja institucionale ishte shembullore: ndërprerje e marrëdhënies së punës, pa asnjë motivim. Thjesht një urdhër. Një firmë. Një “faleminderit për shërbimin”.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me një vendim të qartë dhe pa ekuivokë, e pranoi hapur atë që Banka e Shqipërisë u përpoq ta mbulojë me rregullore të brendshme dhe procedura burokratike: ka pasur diskriminim për shkak të gjendjes shëndetësore.
Jo vetëm kaq. Vendimi thekson diçka edhe më të rëndë: Banka e Shqipërisë nuk ka justifikuar as profesionalisht, as njerëzisht veprimet e saj. Madje edhe vlerësimi i brendshëm për punën e kryer nga punonjësi ishte pozitiv, por përfundimi ishte absurd: “punon mirë, sillet mirë, por s’kemi më nevojë për të”.
Në Shqipëri, nëse punon mirë, sillesh mirë, madje je nëpunës shembullor, por ke kancer në trupin e pafajshëm – të flakin në rrugë! Banka e Shqipërisë shkon më larg, të përndjek më pas edhe në gjykatë.
Vendimi i Komisionerit jo vetëm nuk u reflektua, nuk u korrigjua, mundësisht me një shfajësim njerëzor institucional, por u bë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Problemi për Bankën e Shqipërisë nuk është diskriminimi, por fakti që dikush guxon ta kundërshtojë vendimin suprem të saj.
BSH lufton të sëmurin me kancer
Në vend që të zbatonte një vendim që kërkonte rikthim në punë në përputhje me arsimin dhe shëndetin e punonjësit, Banka e Shqipërisë zgjodhi rrugën pa mbarim që ofron sistemi ynë gjyqësor: zvarritje, procese, vite gjykimi. Qëllimi? Të fitojë sëmundja, jo njeriu.
Banka e Shqipërisë regjistroi një rekurs më 3 Shtator 2018 që do gjykohet në 20 Janar 2026. Diskriminimi ndaj punonjësit të saj, njeriut të sëmurë me kancer, është me qëllim vazhdues, nga 2018 deri në 2026, për plot 2,332 ditë, ose 6 vjet 4 muaj e 18 ditë. Nëse do shtohet koha që zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë, nga vera 2026 Banka e Shqipërisë do jetë gati që këtë çështje të humbur ta çojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Në fund të fundit, inflacioni mund të presë, por krenaria institucionale ndaj një ‘kanceri’ të pabindur – kurrë.
Kjo nuk është thjesht historia e dhimbshme e një punonjësi, e një nëpunësi banke, por prova më lënduese se si institucioni, shteti shqiptar e sheh njeriun si numër ose dosje personeli, si problem apo si “kancer” për t’u … zhdukur ligjërisht.
Kjo ngjarje është shembulli më kuptimplotë se përse fjala “shtet” dhe drejtësia sociale mbeten slogane bosh në Shqipëri. Sepse, në Shqipëri, kur Zoti të merr shëndetin, duhet të të marrë edhe kurajon që ke për të mos heshtur ndaj padrejtësisë.
Banka e Shqipërisë, me këtë shembull, tregoi fytyrën e vërtetë të shtetit tonë pa asnjë dimension evropian. Sa për fytyrën e saj, tregoi se mund të dijë të ruajë stabilitetin monetar në vend – por nuk ka asnjë dëshirë të mësojë për stabilitetin njerëzor të qytetarëve të tij.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






