Çmimet Oscar po hyjnë në një epokë të re. Duke nisur nga viti 2029, ceremonia më prestigjioze e kinemasë botërore nuk do të transmetohet më në televizionin tradicional amerikan ABC, por do të shfaqet ekskluzivisht dhe falas në YouTube, në nivel global.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje shumëvjeçare me YouTube, e cila i jep platformës së Google të drejtat ekskluzive për transmetimin e Oscar-ëve deri në vitin 2033. Deri atëherë, ABC do të vazhdojë të transmetojë edhe tre ceremoni të tjera, përpara se të mbyllet një kapitull që zgjati afro 50 vjet.
Ky vendim shënon një tjetër ndryshim të madh në industrinë e Hollywood-it, e cila prej vitesh po përballet me rënie shikueshmërie, shkurtime prodhimi dhe ristrukturime të mëdha financiare. Sipas drejtuesve të Akademisë, kalimi në YouTube është një mënyrë për t’u përshtatur me realitetin e ri të konsumit mediatik.
“Akademia është një organizatë ndërkombëtare dhe ky partneritet na lejon të zgjerojmë aksesin në Oscar për audiencën më të madhe të mundshme në mbarë botën,” deklaruan drejtori ekzekutiv Bill Kramer dhe presidentja e Akademisë, Lynette Howell Taylor. Sipas tyre, nga ky hap do të përfitojnë si anëtarët e Akademisë, ashtu edhe komuniteti global i filmit.
Shikueshmëria e Oscar-ëve ka qenë në rënie për vite me radhë, megjithëse ceremonia e vitit 2025 shënoi një rritje të lehtë, kryesisht falë publikut më të ri që e ndoqi eventin nga telefonat dhe kompjuterët, përmes transmetimeve online.
Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i YouTube, Neal Mohan, i quajti Çmimet Oscar “një institucion thelbësor kulturor” dhe tha se bashkëpunimi me Akademinë synon të frymëzojë një brez të ri krijuesish dhe dashamirësish të kinemasë, pa cenuar trashëgiminë historike të çmimeve.
Ndërkohë, rrjeti ABC, që i transmetonte Çmimet Oscar që prej vitit 1976, deklaroi se mezi pret tre ceremonitë e fundit që do të vijojnë në ekranin televiziv, përpara se stafeta t’i kalojë plotësisht transmetimit online.
Kalimi i Çmimeve Oscar në YouTube shihet si një sinjal i qartë se epoka e transmetimeve tradicionale po lë gjithnjë e më shumë vend për platformat digjitale, në një industri ku publiku po largohet nga televizioni dhe po zgjedh ekranet personale.
(Burimi: BBC)






