Policia britanike ka njoftuar se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim penal ndaj grupit punk-rap Bob Vylan, pas hetimit të thirrjeve të bëra kundër ushtrisë izraelite gjatë një performance në festivalin Glastonbury në muajin qershor.
Sipas Avon and Somerset Police, deklaratat e bëra në skenë nuk përmbushin pragun penal të nevojshëm për ndjekje penale, pasi “nuk ka prova të mjaftueshme që të ofrojnë një perspektivë reale dënimi”.
Gjatë performancës në skenën West Holts, këngëtari kryesor i grupit, Pascal Robinson-Foster – i njohur me emrin artistik Bobby Vylan – udhëhoqi thirrje kundër ushtrisё izraelite në kontekstin e luftës në Gaza. Pamjet u transmetuan drejtpërdrejt nga BBC, çka shkaktoi reagime të forta publike dhe politike.
BBC më pas kërkoi ndjesë për transmetimin, duke e cilësuar sjelljen si “fyese dhe të papranueshme”, ndërsa njësia e ankesave konstatoi shkelje të udhëzimeve editoriale.
Policia bëri të ditur se, gjatë hetimit, është marrë në pyetje një burrë rreth të 30-ave dhe janë kontaktuar rreth 200 qytetarë. Vendimi për mbylljen e çështjes erdhi pas shqyrtimit të qëllimit të deklaratave, kontekstit artistik, jurisprudencës përkatëse dhe parimit të lirisë së shprehjes.
“Fjalët kanë pasoja reale në botën jashtë skenës,” thuhet në deklaratën e policisë, duke theksuar se hetimi është zhvilluar në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse.
Ambasada izraelite në Britani reagoi me zhgënjim, duke deklaruar se “thirrjet e dhunshme të përsëritura publikisht po injorohen”, dhe paralajmëroi se mungesa e reagimit institucional mund të inkurajojë akte urrejtjeje.
Nga ana e tyre, Bob Vylan reaguan përmes Instagramit, duke sqaruar se nuk bëjnë thirrje kundër hebrenjve apo ndonjë grupi etnik, por se qëndrimi i tyre është kundër “një makinerie ushtarake të dhunshme”.
Pas incidentit, Shtetet e Bashkuara ia revokuan vizat grupit, duke ҫuar nё anulimin e turneut amerikan të planifikuar për tetor. Ndërkohë, Bob Vylan kanë nisur edhe procedura ligjore për shpifje kundër transmetuesit irlandez RTE, të cilin e akuzojnë se i ka etiketuar gabimisht si antisemitë.
Rasti i Bob Vylan nuk është i vetmi. Në korrik, policia britanike hoqi dorë gjithashtu nga hetimet ndaj grupit irlandez Kneecap, pas thirrjeve “Free Palestine” gjatë një performance, duke arritur në të njëjtin përfundim: mungesë provash për ndjekje penale.
(Burimi: Aljazeera)






